Floida Kërpaçi: Sistemi i drejtësisë në kaos totalisht, aksioni i opozitës do vazhdojë

Intervista e Deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi për emisionin “Intervista e Mbrëmjes në Channel One.  

Seanca plenare nuk zgjati shumë, votimet e dy projektligjeve të rëndësishme, përkatësisht për magjistraturën dhe kodin rrugor u shtynë për të hënën. Sërish PS i kërkoi, sidomos LSI-së në veçanti për ligjin për magjistraturën sepse e kanë bashkëhartuar atë draft. Si do të veprojë LSI?

Mund të them që situata që ndodhemi sot dhe ku është sistemi i drejtësisë është në kaos totalisht. Akoma nuk janë ngritur KLP dhe KLGJ, kështu që mund të themi që në një situatë të tillë padiskutim që LSI, ka një qëndrim shumë parimor dhe e ka shprehur qëndrimin e saj. Sot situata në sistemin e drejtësisë dhe në atë çka po mundohet të bëjë rilindja është qartazi e dukshme. E para ka ndryshuar frymën e konsensusit dhe të asaj reforme në drejtësi e cila mbështetej nga parimet e Komisionit të Venecias që u miratua në 21-22 korrik të 2016. E dyta nëpërmjet këtyre propozimeve që ajo po sjell sot tregoj qartazi që nuk po bën asgjë më shumë sesa kërkon kapjen e sistemit të drejtësisë vetëm sepse ka frikë. Dhe kërkon në shumë mënyra për të shpëtuar veten e saj. Ai projektligj që kemi sot, nuk është projektligji që na ka ardhur nga ekspertë dhe ndërkombëtar, por padiskutim kanë gjetur rilindasit mënyrën sesi të shpëtojnë veten e tyre.  Me anë të marifeteve të krijojnë ndryshimet e nevojshme në mënyrë të tillë që të shpëtojnë veten, të kapin drejtësinë dhe të mos ketë me as sistem gjyqësor, asnjë lloj sistemi drejtësie.

Po por nëse nuk bashkëpunojnë palët politike sikurse edhe presidenti Meta bëri thirrje jo më larg sesa dje për bashkëpunim…

Patjetër LSI e ka treguar qëndrimin e saj në 21-22 korrik e cila iu bashkua dhe me konsensus të plotë me 140 vota duke i qëndruar frymës dhe rekomandimeve të komisionit të venecias për të miratuar reformën në drejtësi. Këtë reformë që mund të themi është dhe reforma më e madhe dhe një reformë e shumëpritur që do ta drejtonte sistemin e drejtësisë në drejtimin e duhur por çfarë ndodh sot? Sot jemi në situatën që këto projektligje janë te ndryshuara nuk vijnë me të njëjtën frymë, nuk vijnë me të njëjtat rekomandime dhe janë të ndryshuara. Unë dua të rikthej në vëmendje atë që ka thënë ministrja e drejtësisë. Ajo ka thënë që KLD është një faqe e zezë në historinë e sistemit të drejtësisë. Kjo është e thënë, e aprovuar dhe e dëgjuar nga e gjithë qeveria. Tani në një moment të tillë ku është vetë ministre e drejtësisë e cila thotë që KLD është një faqe e zezë në sistemin e drejtësisë, ti me këtë projektligj të ndryshuar sesi ka qenë më përpara, ti kërkon ti japësh kompetencat këtij llumi të sistemit të drejtësisë për të emëruar. Pra që këtu fillon problemi i parë. Problemi i dytë, me prokuroren e përkohshme të përgjithshme, le ta quajmë si të duash këtë prokurore e cila me propozimin e parë së bashku me KLD nuk kanë asnje lloj kompetence. Tani kërkohet ti rikthehet kompetenca kësaj prokurore të cilën rilindja gjeti mënyrën sesi ta votonte në mënyrë të jashtëligjshme me 69 vota. Kur vetë Kushtetuta e thotë që ajo duhej të miratohej me 84.Kështu që jemi në një situatë shumë kaotike. Aspak normale për vendin tonë dhe duket që rilindja nuk kërkon që të ngrejë as KLP as KLGJ dhe nëpërmjet procedurave që ata po ndjekin nuk e kërkojnë këtë gjë. Dhe i  vetmi mesazh që edhe për qytetarët të jemi pak më të thjeshtë dhe ata ta kuptojnë këtë procedurë e cila futet dhe bëhet shumë teknike ndonjëherë, është që Rilindja dhe qeveria dhe vetë kryeministri i vendit shumë thjesht kërkojnë që të kapin sistemin e drejtësisë në mënyrë që ta kontrollojnë atë. Që të jetë një sistem drejtësie që të punojë për kryeministrin, për qeverinë dhe për qytetarët e thjeshtë do të vazhdojë me të njëjtin mision dhe të njëjtin strategji që ka ecur deri më sot.

 Po për ligjin e teatrit çdo të bëjë Presidenti?

Kjo nuk është një përgjigje që më takon mua sepse kjo është në kompetencat e Presidentit për të marrë një vendim. Por ajo që mund të themi për ligjin e teatrit është kjo, padiskutim është një ligj që dëmton qartazi identitetin tonë Kombëtar dhe unë madje e kam thënë dhe në parlament që unë e votova dhe do ta votoj gjithmonë kundër këtë ligj. Një ligj i cili kërkon të shfarosë identitetin tonë kombëtar. Përsa i përket vendimit të Presidentit besoj që në kompetencat e tij ai do të na japë përgjigjet nëse do ta dekretojë apo jo këtë ligj. 

Kuvendi mund ti mbyllë punimet para se të flasë Presidenti…

Këto janë procedura dhe është rregullorja e Kuvendit ajo që përcakton se kur mbetet për tu bërë. Por mund të them që ky është një ligj antikombëtar që ka një qëndresë të jashtëzakonshme nga qytetarët shqiptarë për ti qëndruar deri në fund, për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse nuk mund ta lejojmë Edi Ramën apo këdo përfaqësues tjetër të qeverisë, që duhet të jenë mbrojtësit më të mëdhenj të identitetit tonë kombëtar, ta shfarrosin atë vetëm sepse duan të bëjnë pazare për kulla, për ndërtesa, për 205 milionë euro, për të shitur tokën etj vetëm sepse duan të mbushin xhepat e tyre dhe të disa biznesmenëve.  Dhe ndërkohë se çfarë ndodh me vendin tonë apo se çfarë do të ndodhë pas 20 vitesh me këtë strategji qe po ecet deri më sot nuk do të kemi histori, nuk do të ngelet më asgjë nga vendi ynë sepse çdo gjë do të jetë shfarrosur, mjafton që xhepat edhe e ardhmja e 4-5 individëve të jetë e jashtëzakonshme. Çfarë po ndodh sot me ekonominë, sot me ekonominë po ndodh që gjërat dhe çdo gjë është monopolizuar në duart e 3-4 individëve. Kjo duket mjaft qartazi. Mjafton të shkosh në marketet e vogla të lagjes. Të cilat nuk kanë më punë sepse taksat janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Edhe çdo gjë është monopolizuar në duart e 3-4 qendrave, njerëzve. Tani po ngrenë kulla gjithandej. Është monopolizuar çdo aspekt i jetës. Dhe bizneset e vogla, bizneset që drejtohen nga njerëz të shtresës së mesme, që mundohen të punojnë për të mbijetuar në Shqipëri, nuk kanë më hapësirë sepse taksat kanë shkruar në stratosferë. Kjo është alternativa e Rilindjes? Kjo është alternativa e kryeministrit? Që ti ngrejë taksat, ti marrë frymën qytetarëve shqiptarëve dhe pastaj ti thotë, tani nuk keni më as me ca të jetoni as me ca të hani bukë, largohuni nga Shqipëria edhe kjo është e ardhmja. Vetëm këtë alternativë po shikojmë. Unë nuk po shikoj të paktën edhe si e re, nuk po shoh alternativë tjetër as për të rinjtë, as për qytetarët, as për bizneset as për vendin. Kur po shikojmë që po shfarroset dhe identiteti kombëtar, nuk e di sesi mund të bëjë një njeri pazar me identitetit kombëtar. Një njeri që presupozohet që ka qenë dhe ministër kulture, që gjasme e do dhe shumë artin. Nuk e kuptoj sesi mund të bëjë pazar me atë që ju takon qytetarëve shqiptar dhe që janë ata që e kanë shkruar atë. Askush nuk të jep ty të drejtën që të jesh aty në krye dhe të bësh ca të duash vetëm sepse ke votat dhe me arrogancën tënde nuk pyet më dhe nuk i dëgjon as artistët, as qytetarët.

Si mund të injorohet zëri i aktorëve të mëdhenj si Mirush Kabashi apo Robert Ndrenikës, Bujar Asqeriut, Tinka Kurtit, apo shumë të tjerëve.  Të injorosh zërin dhe mendimin e tyre, për mendimin tim është një ofendim shumë i madh për qytetarët shqiptarë. Megjithatë arroganca e tij dhe moskokëçarja për të treguar që unë i kam votat, taksat mund ti rris, token mund ta shkatërroj, mund të bëj çfarë të dua dhe pastaj të bëj show dhe propagandë. Nuk është diçka e re për qytetarët shqiptarët të cilët po bëjnë qëndresa të jashtëzakonshme sepse nuk munden më ta durojnë.

Si përfundoi, keni dijeni për çështjen e infermierëve, sa i takon diplomës, ulja e pagës që ministria premtoi ta zgjidh, si shkoi fati i tyre?

Fati i tyre shkoi që sot jo vetëm me infermerët por dhe mjekët dhe gjithë stafin mjekësor, vazhdon një eksod i jashtëzakonshëm dhe bëre shumë mirë që më pyete. Sa herë që më bëhet një pyetje e tillë në fakt nguroj të flas sepse ajo që do flas nuk është një realitet që mua më pëlqen ta them. Por në fakt sot shohim që ka mjekë që po hiqen nga puna në mënyrë të padrejtë. Pa u bazuar  mbi profilet e tyre, pa u bazuar në përvojën e tyre vetëm sepse nuk janë militantë apo nuk aderojnë në një parti politike. Atëherë nuk kane më shpresë dhe nuk kanë me vend për të punuar në Shqipëri. Sepse kjo është alternativa që ofron kjo qeveri. Alternativa tjetër që ka ngelur për këta mjekë dhe infermierë, për këta punonjës dhe heronj të sistemit shëndetësor, nuk është asgjë tjetër veçse të largohen nga Shqipëria. Në fakt ky premtim i rritjes së rrogave është si premtimi i hapjes së 300 mijë  vendeve të punës por në fakt ku janë? Se po ti kishim nuk do na ishin larguar 300 mijë qytetarë shqiptarë. Dhe këto janë premtime boshe që kryeministri sa herë del në televizor, mundohet sesi të gënjejë dhe mashtrojë qytetarët shqiptarë kur në fund te fundit qytetarët shqiptarë janë ata që kur shkojnë dhe mbyllin muajin e dinë sesa e vështirë është të mbijetosh në Shqipëri, jo të jetosh mirë, flasim për mbijetesë. Sepse kështu ka shkuar realiteti në Shqipëri. Ka shkuar në kushtet e mbijetesës. Dhe për tu kthyer përsëri te mjekët dhe te studentët jo vetëm që nuk ka shpresë për këta që kemi këtu sot, sepse mjekë shumë të mirë që kanë vite që janë të profilizuar dhe kanë punuar në Shqipëri, sot janë larguar sepse alternativa që ofrohet jashtë vendit është më e mirë sesa alternativa që i ofrohet në Shqipëri.  Por edhe studentët ekselentë dhe jo vetëm që po mbarojnë universitetin e mjekësisë mbi 90% e tyre kanë lidhur kontrata jashtë vendit. Që do të thotë nuk e shikojnë të ardhmen në Shqipëri dhe për të punuar këtu. Sepse sistemi shëndetësor nuk ofron asnjë mundësi. Një mjek sot që punon detyrohet ti blejë vetë ilaçet dhe të gjitha pajisjët e tjera sepse nuk kanë. Nuk kanë alkool, nuk kanë pambuk, nuk kanë mundësi, nuk kanë ilaçet më bazike, për të mos shkuar pastaj për të folur për sëmundjet që janë edhe më të rënda dhe kanë kosto të jashtëzakonshme. Siç mund të jenë kancerat apo tumorët e ndryshëm të cilat ne e dimë shumë mirë sesi qytetarët shqiptarë nuk gjejnë dot zgjidhje në Shqipëri. Enden dhe rropaten dyerve të spitaleve edhe ku e ku mund të gjejnë veten jashtë Shqipërisë pa asnjë shpresë dhe pa asnjë mundësi financiare për të shkuar. Kështu që të gjetur në një situatë të tillë ku pagat janë në nivele skandaloze, për mjekë që punojnë në kushte emergjencë çdo ditë, në kushte ku nuk kanë as ambientin ashtu siç do duhet ta kishin. Sepse po të shikojmë sot në urgjencë vetëm te QSUT, në korridor mund të shihni mbi mbi 10-12 shtretër të vendosur aty jashtë dhe sesi vaksinat apo mjekimi bëhet në kushte skandaloze. Padiskutim që e vetmja alternativë që po shohin është të ikin nga Shqipëria. Dhe mua më vjen jashtëzakonisht shumë keq që po ndodh kjo gjë.  Në fakt nuk ka alternativë, sepse kemi një qeveri që pretendonte se kishte një timon por në fakt nuk ka patentë nuk e ka as timonin dhe makina ka ikur pa drejtim. Dhe Shqipërinë dhe shqiptarët i kanë çuar pa drejtim sepse nuk kanë alternativë as për ekonomi, as për të rritur punësimin, as për turizmin, as për bujqësinë, as për mjekët, as për shëndetësinë. Janë bosh, janë pa shpresë.

Kur niset Lëvizja Rinore për Integrim në Jalë?

Siç e kemi diskutuar, ne kemi një aktivitet shumë të rëndësishëm  që është një akademi politike por jo vetëm. Do të fillojë në datën 20 gusht deri në 25. Ku do të jenë të ftuar njerëz shumë të rëndësishëm, vendas dhe të huaj. Për tu bashkuar në 5 ditë intensive të një akademie ku të rinjtë do të rriten profesionalisht, do të shkëmbejnë tema diskutimi, debati, do të ketë trajnime të shumta por mbi të gjitha do të jetë dhe një eksperiencë sociale për të rritur dhe solidaritetin sepse kohët e fundit me këtë qeveri që kemi, që po tregon sa vdekjeprurëse është ndaj qytetarëve shqiptar, na duhet që të kemi nje brez të ri i cili të jetë më solidar me më shumë shpresë dhe të punojë jashtëzakonisht shumë fort për ti thënë jo alternativave që shkatërrojnë vendin, historinë e vendit dhe mbi të gjitha shkatërrojnë rininë shqiptare dhe e drejtojnë atë jashtë vendit. Prandaj kemi zgjedhur disa tema të cilat janë të përcaktuara nga vetë të rinjtë dhe janë tema trajnimesh, bisedimesh ku në përfundim do të krijohet një platformë politike ekonomike dhe rinore mbi të gjitha e cila tregon vizionin e të rinjve. Se si ata e shikojnë të ardhmen në Shqipëri dhe mbi të gjitha se cila është alternativa që të rinjtë mendojnë se mund të kthejë shpresën për ata dhe qytetarët shqiptarë. Besoj se do të jetë jo vetëm një kamp i të rinjve por do të jetë një akademi me shumë alternativë, shpresën dhe vizion ku vetë të rinjtë do të përcaktojnë pikat e tyre mbi të cilat nuk do të bëjnë më kompromis.

Tani jemi në verë, sezon pushimesh a do të kemi ndonjë aksion të opozitës apo duhet të presim në shtator?

Opozita deri më sot e ka vazhduar aksionin e saj. E kam dëgjuar shpeshherë që çfarë po ndodh, a do të vazhdojë aksioni apo jo. Opozita në aksion ka qenë, i është bashkuar aksionit, ka ndërmarrë aksione të ndryshme.  I është bashkuar aksionit nga shoqëris civile dhe artistët, ka qenë çdo ditë prezente dhe e angazhuar, ka vazhduar aksionin e saj në parlament kështu që besoj që me të njëjtin ritëm, me të njëjtën formë padiskutim duke ndjekur vullnetin e qytetarëve shqiptarë për kauza të cilët ata kërkojnë nga ne si përfaqësues të tyre, ti përfaqësojmë me mënyrat me demokratike dhe këmbëngulëse. Padiskutim që ne do ta vazhdojmë këtë mision sepse përsa kohë jemi në atë parlament dhe jemi të zgjedhur të popullit, të pakten si LSI kemi zgjedhur që të qëndrojmë fort për të gjitha qëndrimet që kanë qytetarët shqiptarë pa bërë kompromis me asnjë njeri. Nuk mund të bëjmë siç bën rilindja, e kthen vendimin sot, e çon nesër, bën kompromis në dëm të qytetarëve shqiptarë, në dëm të ekonomisë shqiptare, në dëm të të rinjve shqiptarë sepse ne besojmë fort dhe kemi një alternativë. Dhe alternativa jonë është njëherë e përgjithmonë ta ndajmë shtetin shqiptar nga bandat, nga krimi nga korrupsioni dhe të krijojmë atë shtet që kthen shtetin e vlerave sepse sot është instaluar shteti i antivlerave. E dyta kthen shtetin që punon për qytetarët shqiptarë, për të rinjtë shqiptarë, që siguron një ekonomi më të mirë për vendin tonë. Dhe mbi të gjitha që kthen shpresën për të rinjtë, për qytetarët, për intelektualët, për të gjithë shqiptarët, për të jetuar, punuar me një standard të lartë jetese ashtu siç janë vendet e BE. Aty ku dhe ne synojmë të shkojmë dhe mbi të gjitha të punojmë fort që duke përmbushur të gjitha aspiratat që kanë qytetarët shqiptarë të afrojmë vendin me BE.

Çfarë mund të presim në shtator?  Sepse shumë paralajmërime ka në fakt..

Aksioni ashtu siç u shpreha do te vazhdojë sepse situata ku ndodhet vendi sot nuk është situata më e mirë.  Në sistemin e drejtësisë është një situatë kaosi, në sistemin e ekonomisë ekonomia ka vajtur në nivelët e saj më alarmante, sistemi arsimor vetëm sistem arsimor që nuk quhet dhe për të mos i hyrë në themel të gjitha problemeve që ka vendi duke u gjendur përpara një situatë të tillë dhe përballë nevojës që kanë qytetarët shqiptarë për tu qëndruar fort përballë kësaj qeveri dhe për ta refuzuar ate dhe narkovizionin që kanë sjellë në qeveri. Duke iu shërbyer një grushti njerëzish dhe duke mos i shërbyer qytetarëve të thjeshtë. Pa diskutim që aksioni i opozitës do të vazhdojë edhe më intensiv, edhe për teatrin edhe për ekonominë, edhe për papunësinë edhe për largimin e të rinjve edhe  për probleme të tjera që ka vendi ynë. Padiskutim që do të ketë një axhendë që do të vendoseni në dijeni ashtu si gjithmonë.

 

SHKARKO APP