Forumi i Sigurisë në Beograd, Vuçiç: Gjërat kundër njëri-tjetrit na lënë pas
Vendet e Ballkanit duhet të lënë pas mënyrat “fëminore” të sjelles ndaj njëri-tjetrit siç ka ndodhur në të kaluarën, dhe të bashkëpunojnë në rrugën drejt integrimit. Ky është mesazhi i përbashkët i përcjellë nga dy kryeministrat, e Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Serbisë Aleksander Vuçiç, gjatë Forumit të Sigurisë në Beograd.
Temë kryesore e Forumit janë marrëdhëniet shqiptaro-serbe, siguria në rajon, dhe rruga drejt integrimit europian.
Në fjalën e tij, kryeministri Vuçiç theksoi se vendet e rajonit nuk duhet të bëjnë gjëra kundër njëri-tjetrit, pasi kjo pengon integrimin dhe rritjen ekonomike, ndërsa vuri theksin tek bashkëpunimi.
“Jam krenar që them se dëshirojmë marrëdhënie më të mirë me shqiptarët dhe boshnjakët. Pasi kështu në mënyrë potenciale do të kemi rritje më të madhe ekonomike se vende të tjera të BE. Nëse bëjmë gjëra kundër njëri-tjetrit nuk kemi mundësi të bëjmë përpara, por nëse bashkëpunojmë do të ecim më mirë. BE shpesh vendos detyra të reja”, tha kryeministri serb.
Duke u ndalur tek detyrat e përcaktuara nga BE, Vuçiç tha se ka një “ngërç” në Serbi, pasi qytetarët nuk e kanë kuptuar saktësisht se çfarë kanë përfituar në këto vite nga procesi.
“Nuk duhet të fajësoj BE edhe pse e mendoj atë çka thashë për procesin e integrimit. Nuk kemi qenë të aftë për t’i shpjeguar popullit tonë si duhet se çfarë kemi arritur së fundmi. Njerëzit nuk e kanë ndjerë ndryshimin në xhepat e tyre”, tha Vuçiç.
KOHA JONË SONDAZH

