FOTO/ Balluku: Tabela informuese në Levan-Damës për orientimin e turistëve drejt Bylisit
Në Levan-Damës janë vendosur tabela informuese, të cilat shërbejnë për të orientuar turistët që duan të vizitojnë Parkun Arkeologjik të Bylisit. Zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot në rrjetet sociale momente nga vendosja e këtyre tabelave.
”Shqipëria është një vend me vlerë të jashtëzakonshme arkeologjike, ndaj duhet të kujdesemi jo vetëm për mirëmbajtjen dhe restaurimin e tyre, por padyshim dhe për promovimin e vazhdueshëm. Parku Arkeologjik i Bylisit është një nga pasuritë e shumta të vendit, i cili vit pas viti po kthehet në një destinacion tërheqës për shumë vizitorë, jo vetëm për vlerat dhe historinë që mbart, por edhe peizazhin natyror që ofron”, theksoi Balluku.
Bylisi është parku i vetëm arkeologjik në Shqipëri me mbi 1000 m² mozaik të periudhës së Antikitetit të Vonë si dhe parku i vetëm në Shqipëri me densitetin më të lartë të bazilikave brenda territorit të tij. Qyteti antik i Bylisit shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.