FOTO/ Festa e Abetares, Zonja e Parë Armanda Begaj dhuron libra për 3 shkolla në Tiranë

Zonja e Parë, Armanda Begaj ishte pjesë e festës tradicionale të Abetares në shkollat “Qemal Cena”, “Bashkim Berisha” dhe “Lasgush Poradeci” në Tiranë. Ndërsa kremtoi këtë ditë të shënuar me të vegjlit, mësuesit dhe prindërit e tyre, Begaj i falënderoi nxënësit për gëzimin që sollën me programet e tyre festive tradicionale të përfundimit të Abetares.

Ajo i përgëzoi nxënësit e klasave të para për mbylljen e një etape të rëndësishme për shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe. Bashkë me urimet për përfundimin e librit të parë shkollor dhe dhënien e certifikatave të Abetares, Begaj dhuroi libra edukativë dhe argëtues për të vegjlit në vijim të nismës për nxitjen e leximit shqip.

Ajo shprehu falënderime ndaj prindërve për përkushtimin dhe ndaj mësuesve për pasionin në ushtrimin e detyrës, duke inkurajuar vijimin e kësaj fryme edukimi dhe mësimi edhe në të ardhmen.

Vizita në shkollën “Bashkim Berisha” në Ndroq ishte një premtim i mbajtur për Begajn. Ajo u takua herën e parë me këta fëmijë në nisje të vitit të ri shkollor dhe, sikurse u kishte premtuar më 11 shtator 2023, shkoi sërish për të ndarë me ta gëzimin e festës së Abetares.

SHKARKO APP