FOTO/ Kryeparlamentarja Spiropali pret në takim Konjufcën: Vizitën e parë do ta kem në Kosovë. Bashkëpunim vëllazëror të shkëlqyer
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali priti këtë të premte homologun nga Kosova, Glauk Konjufca, për të folur për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ajo premtoi që vizitën e parë si kryetare e Kuvendit do ta mbaj në Kosovë. ”Jam e lumtur që vizitën e parë miqësore në zyrë pas marrjes së detyrës së Kryetares së Kuvendit, e pata nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca. Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës kanë ndërtuar një bashkëpunim vëllazëror të shkëlqyer, jo thjesht protokollar, por funksional dhe praktik, mes kryetarëve, komisioneve parlamentare, grupeve parlamentare dhe deputetëve”, u shpreh Spiropali.
Postimi i plotë
Jam e lumtur që vizitën e parë miqësore në zyrë pas marrjes së detyrës së Kryetares së Kuvendit, e pata nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca.
Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës kanë ndërtuar një bashkëpunim vëllazëror të shkëlqyer, jo thjesht protokollar, por funksional dhe praktik, mes kryetarëve, komisioneve parlamentare, grupeve parlamentare dhe deputetëve.
Memorandumi i Bashkëpunimit, nënshkruar në shtator 2022, krijoi një kuadër të përbashkët për bashkëpunimin parlamentar, i cili u pasua nga mbledhja e përbashkët e dy Kuvendeve, me rastin e 110-vjetorit të pavarësisë, më 27 nëntor 2022.
Të dy Kuvendet tona do të vijojnë të bashkëpunojnë për proceset integruese në 🇪🇺, mbështetjen e pranimit të Kosovës në NATO, Këshillin e Europës dhe përfaqësimin në organizatat ndërkombëtare.
Delegacionet e Kuvendit të Shqipërisë në organizatat parlamentare ndërkombëtare po lobojnë fort për rritjen e përfaqësimit, njohjeve dhe rolit ndërkombëtar të Kosovës. Vizitën e parë si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë padyshim do ta mbaj në Kosovë.