FOTO/ Shqipëria në këmbë! Protestë në Korçë: Drejtësi për Klodianin! Digjen pemë, gurë e shishe ndaj Bashkisë

Si kurrë më parë, e gjithë Shqipëria është në protestë. Pas Durrësit, Shkodrës, Gjirokastrës, Burrelit, Kukësit, edhe qytetarët e Korçës janë ngritur në protestë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga Policia e Shtetit.

Me pankarta në duar “Lleshaj dorëhiqu” dhe “Unë jam Klodiani” me dhjetëra të rinj protestuan sot në Korçë fillimisht para policisë dhe më pas u drejtuan drejt bashkisë.

“Qeveri vrasëse, policia vret, duam drejtësi” ishin thirrjet e tyre në kor.

Por parakalimi drejt bashkisë së qytetit nuk shkoi qetë. Protestuesit i vunë flakën pemëve festive, hodhën shishe dhe gurë.

Nuk munguan edhe goditjet me sende të forta ndaj policisë.

Raportohet se një polic është lënduar.Policia më tej tentoi të zmbrapsë turmën pas.

Protestuesit vijuan të qëllojnë me gurë në drejtim të bashkisë!

Mbrëmjen e djeshme, kryeqyteti u përfshi në protestë masive ku qytetarë të shumtë u revoltuan para Ministrisë së Brendshme duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj.

SHKARKO APP