Erion Veliaj vizitë në Kanada, takon kryetarin e Bashkisë së Otavës
Gjatë vizitës së tij dy ditore në Kanada, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u mirëprit në një takim nga homologu i tij, kryetari i Bashkisë së Otavës, Mark Sutcliffe. Kryebashkiakët biseduan për një kalendar kulturor të përbashkët mes dy qyteteve, për të përforcuar edhe më shumë lidhjen mes dy komuniteteve.
“Ura që lidh Otavën me Tiranën dhe Otavën me Shqipërinë janë burimet njerëzore, është humanizmi i atyre që kanë krijuar histori suksesi, si në Mesdhe, ashtu edhe këtu, në Amerikën e Veriut. Jam vërtet mirënjohës dhe ndoshta, në të ardhmen, ne të kemi një kalendar të përbashkët. Tirana vjet ka qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë, sivjet Qyteti Europian i Sportit. Ndërkohë që, vitin tjetër kemi aplikuar të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Do të ishte ideale nëse do të kemi një kalendar kulturor të përbashkët, ku artistët më të mirë nga Shqipëria dhe Kanadaja, nga Tirana dhe Otava, si dy kryeqytetet respektive, të mund të shkëmbenin dhe të forcojmë këtë lidhjen mes njerëzve”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë falenderoi homologun e tij për mbështetjen që ky i fundit u ka dhënë shqiptarëve që jetojnë në Otava. “Otava është një vend dhe hapësirë e jashtëzakonshme, ku komuniteti shqiptar ka ndërtuar një shtëpi, ka ndërtuar një karrierë, kanë bërë biznes, kanë shkëlqyer në universitete. Shumë prej shqiptarëve që kanë ardhur këtu, kanë ardhur në vite shumë të vështira, pas komunizmit, një tranzicion i jashtëzakonshëm. Fakti që sot janë një histori suksesi, jo vetëm në qytetin tuaj, por edhe të kombit tonë, dhe fakti që sot janë një urë lidhëse mes dy vendeve, jam shumë mirënjohës për gjithë punën që bën ambasada jonë, punën që bën Ministria e Jashtme”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Otavës, Mark Sutcliffe, tha se ndihet i nderuar për vizitën e kryebashkiakut Veliaj në Kanada, ndërsa shprehu dëshirën për të vizituar së shpejti Tiranën. “Ishte një kënaqësi t’ju mirëprisnim këtu dhe të mësonim rreth Tiranës. Shpresoj që ju të keni një vizitë të këndshme në Kanada. Kemi shumë të përbashkëta midis qyteteve dhe vendeve tona dhe mendoj që ka një miqësi të madhe mes nesh. Mezi presim që t’ju vizitojmë një ditë në Tiranë”, tha kryebashkiaku Sutcliffe.