FOTO/ Zv/kryeministrja Balluku: Ritme të mira punimesh në 3 kantieret e rrugës Qukës-Qafë Plloçë
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në segmentin numër 3 të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë. “Ka shumë rëndësi që të tre kantieret po ecin ashtu siç duhet. Fakti që financimi tashmë është zgjidhur, ka kaluar të gjitha etapat, edhe aprovimin e Parlamentit, do të thotë që nuk e kemi pengesën financiare. Sigurisht gjeologjia këtu do të vazhdojë të jetë sfiduese, pasi duket edhe vetë gjatë punës në këtë kantier, por fakti që në dy lotet e tjera ne kemi ecur me hapa të qëndrueshëm, se nuk është rasti për të thënë këtu me hapa të shpejtë, tregon që problematikat arrijnë të menaxhohen”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se sa kontratat parashikojnë edhe afatin e përfundimit të kësaj vepre, duke theksuar se edhe në këtë projekt, ashtu sikundër në projektet e tjera infrastrukturore, synimi është përfundimi i tyre para afatit. “Kantieri i segmentit të tretë ka filluar nga puna dhe tashmë me hapa të shpejtë pasi parashikohet që ky segment të dorëzohet në muajin mars 2025. Ndërkohë që dy segmentet e tjera, segmenti i parë dhe segmenti i dytë që ndodhen në një ecuri mbi 75 % parashikohen, parashikohet të dorëzohen në dhjetor të 2024”, u shpreh Balluku.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili shoqëroi ministren Balluku, bëri të ditur se “Ka gjashtë ura që janë ura të mëdha. Ka dy tunele që hyjnë në kategorinë e tuneleve të mesëm, njëri ka një gjatësi prej 800 metrash dhe tjetri 600 metra. Vetëm tombino në këto 40 kilometra kemi mbi 140 dhe janë me bokse të mëdha, që mund të ktheheshin dhe ura pasi nuk janë me dimensione të vogla si vepra arti”, tha Berberi, duke sqaruar se përmes tyre do të bëhet e mundur kanalizimi i ujërave që vijnë si pasojë e përrenjve të shumtë që janë në zonë.
Projekti bazë për ndërtimin e tre loteve të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë është hartuar në vitin 2011, por për shkak të problemeve me projektin, ku u panë mospërputhje mes projektit dhe terrenit, punimet për përfundimin e saj u vonuan. I gjithë financimi për ndërtimin e tre loteve të rrugës Qukës-Qafë Plloçë arrin në 255.8 milionë dollarë.
Ky projekt përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e Juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.
Po ashtu, ndikon në rritjen e turizmit të zonës së Pogradecit dhe Korçës, bën të mundur akomodimin e trafikut të rëndë, ndikon në zhvillimin e bujqësisë së zonës rurale të Mokrës dhe fshatrave përreth, duke ndihmuar në shkurtimin e distancës së fshatrave me rrugën e kryeqytetit dhe anasjelltas, rrit dhe nxit punësimin, shkurton kohën e rrugëtimit nga Tirana drejt Korçës dhe kohën e transportit të mallrave nga porti i Durrësit për në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.