Fundi i masakrave në Shqipëri

Nga: Redjon Shtylla

Që pas rënies së komunizmit dhe fillimit të demokracisë, Shqipëria është përballur me vrasje që nga ato në familje deri në eleminimin e kokave të pushtetit politik, me krime monstruoze, dhe sot që flasim, bandat në disa qytete vijojnë të sundojnë dhe ligjet e tyre janë edhe mbi shtetin.

Muaji nëntor u mbyll me një bilanc tragjik si kurrë më parë. Vrasje mes bandave, krime të frikshme ndaj fëmijëve, e kthyen nëntorin në një muaj të mallkuar, e jo festash. Po cili është rruga që do të rikthejë rendin në vend? Policimi në komunitet, mbledhja e miqve të fëmijëve në parlament, por edhe nisma të shumta të shoqërisë civile duket se nuk kanë shmangur krimet e rënda.

Është koha një qasje e re, por me pjesëmarrjen e bashkive nëpërmjet këshillave vendor të sigurisë publike, policisë, por dhe prokurorisë. Për Sotiraq Hronin, ekspert sigurie, kjo është e vetmja mënyrë që plani i ndërtuar nga qytetarët të përfshijë jo vetëm policinë, por edhe shoqërinë. Nëse këto institucione bashkëpunojnë, mund të parandalojmë krimin si një ndër format më efikase të goditjes së tij.

Nga ana tjetër, shoqëria shqiptare është në depresion. Lajmet e kronikës së zezë krijojnë një psikologji të rëndë, që shkaktojnë dëme që askush nuk i konstaton për ti rregulluar. Nëse shoqëria nuk merr masa komplekse, integrale dhe shumëplanëshe, krime të tjera kanë për të ndodhur përsëri.

Një pjesë e mirë e shoqërisë po e kërkon rikthimin e dënimit me vdekje. Natyrisht aderimi në strukturat Europiane bën që Shqipëria të mos dënojë aplikimin kapital me pushkatim, por asnjë pengesë nuk ka që njerëzit që kryejnë vrasje me paramendim të dënohem me burgim të përjetshëm.

143.7% më shumë krime nga grupet e strukturuara dhe organizatat kriminale mafioze janë shënuar këtë vit në krahasim me 2020. 30% e vrasjeve të ndodhura në 2021-in vijnë si pasojë e dhunës në familjes.

Elemimi i krimit të organizuar, nuk është vetëm një e mirë për vendin, por edhe për politikën e jashtme. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy faktorët kryesore që pengojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Viti 2022, kërkon një punë më të fortë të Policisë përballë krimit. Shqipëria meriton të lulëzojë, e jo të kthehet në një vend ku masakrat dhe bandat e rrënojnë, ku rinia ikën dhe shteti nuk merr masa.

SHKARKO APP