Fushata e zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi
1- Cipras: Edhe negocim do të bëhet, edhe marrëveshje do të ketë
Dy mesazhe, një ndaj partnerëve europianë që përmban edhe kuadrin e negociimit që do të paraqesë qeveria e SYRIZA-s dhe një për opinionin e brendshëm të vendit se programi i partisë është i panegociueshëm, drejtoi Aleksis Cipras duke hapur punimet e kongresit programatik të partisë. Hapja e punimeve të kongresit u bë në një atmosferë panegjirike, Cipras u prit me një entuasiazëm të paparë për parametrat e partisë.
Cipras shprehu sigurinë se “edhe negocim do të bëhet, edhe marrëveshje do të ketë. Dhe memorandumi bashkë me trojkën do t’i përkasin të kaluarës!”, duke folur për negociatat që do të bëjë si kryeministër me kreditorët e vendit.
Në përgjigje të deklaratave të zyrtarëve grekë dhe europianë, Cipras deklaroi se “na akuzojnë kundërshtarët tanë se synojmë dhe planifikojmë përplasjen me partnerët tanë në eurozonë”. Mirëpo, shtoi, “ajo që synojmë dhe planizojmë është përplasja me barbarizmin. Përplasja me absurden dhe gabimin”, ndërsa përsëriti se borxhi nuk do të jetë i qëndrueshëm, ashtu si dhe politika e sotme.
Kryetari i SYRIZA-s theksoi se përmes një negociimi të sinqertë, por të vendosur, me vijë të kuqe interesin e popullit, shuarjen e pjesës më të madhe të borxhit dhe të futet Greqia më në fund në rrugën e zhvillimit.
2- Samaras: “SYRIZA e çon vendin në falimentim”
Një sulm të ashpër ndaj SYRIZA-s ka ndërmarrë që nga Larisa kryeministri Antonis Samaras, duke e akuzuar partinë kryesore të opozitës se e shpie vendin drejt falimentimin dhe asfiksisë kredituese dhe përfundimisht jashtë Europës.
Kryeministri u shpreh optimist për rezultatin e zgjedhjeve dhe tha se avantazhi i SYRIZA-s ka rënë. “Nga Larisa fillojmë marshimin e fitores, Greqia do të fitojë. Ekziston siguria se do të fitojmë. Flladi i fitores që kishte SYRIZA po mbaron, klima po ndryshon. Populli grek na votoi para dy vjetësh e gjysmë për ta nxjerrë Greqinë nga kriza. Para dy vjetësh pak e besonin. Për dy vjet e gjysmë Greqia bëri nikoqirepsejn më të madhe, nuk ka deficite, ishte e gatshme që të dilte nga kriza, mirëpo disa nuk na lanë. Një pakicë deputetësh e tërhoqën vendin në zgjedhje të cilat populli nuk i donte. SYRIZA ka frikë që po dalim nga memorandumet dhe se çdo vit do të jetë më i mirë se i mëparshmi. Kanë frikë që të mbetemi në rrugën e stabilitetit dhe të zhvillimit. Për këtë arsye na çon në zgjedhje, mirëpo ne u themi bashkë me popullin grek se këto zgjedhje do t’i fitojmë. Ishte gabim të na shpien në zgjedhje në momentin që vendi nisi të rimëkëmbej. Prandaj dhe populli do t’i ndëshkojë. Se sa e rrezikshme është ajo që bënë e tregoi reagimi i tregjeve, që do të thotë se kjo qeveri kishte inspiruar besim. Përkundrazi, ato që thotë SYRIZA shpien në falimentim. Ua thotë çdo ditë shtypi ndërkombëtar dhe faktorët ndërkombëtarë. Të gjithë u bërtasin se ato që thonë nuk mund të realizohen dhe se do ta shpien vendin në një aventurë kolosale”.
Samaras theksoi se ato që thotë nuk janë spekulime me rrezikun, siç thotë SYRIZA. Ai shtoi se “vendimet institucionale të kongresit të tyre thonë se nuk do të paguajnë interesa dhe amortizime, mirëpo këto shpien në falimentim. Dhe më tej akoma, thonë se do të bëjnë kreditim të detyrueshëm. Ne themi të vërtetën. Kjo është arma jonë, e vërteta dhe përgjegjësia. Me SYRIZA-n do të rrezikojnë subvencionimet europiane, që për shtatë vitet e ardhshme arrijnë në 45,5 miliardë euro. Gjithashtu do të rrezikojë edhe likuiditeti, do të mungojnë menjëherë 15 miliardë euro pas marsit. Do t’i humbasim sepse na kanë paralajmëruar, kush nuk respekton rregullat e BE nuk merr para. Do ta shpien vendin në një asfiksi kreditimi. Kjo është e vërteta dhe kam obligim ta them”.
3- Giorgos Papandreu shpall partinë e re “Lëvizja e Socialistëve Demokratë”
Me fjalën “Shkojmë!”, e filloi fjalimin e tij ish kryeministri Jorgos Papandreu, duke shpallur krijimin e partësë së tij, “Lëvizja e Socialistëve Demokratë”. Do të shkruajmë histori, shtoi përmes brohoritjeve të publikut, që sipas organizatorëve kishte tejkaluar çdo parashikim.
Që nga fillimi i fjalimit të tij ish kryeministri ka dhënë tonin e partisë së re, duke theksuar se në bazë të parimeve do të jetë humanizmi, angazhimi për dinjitet njerëzor. Na frymëzojnë vlerat e liberalizmit politik, qytetarët duhet të kontrollojnë pushtetin, të dominojë forca e të drejtës dhe jo e drejta e të fortit. Na frymëzojnë parimet e socializmit dhe besnikëria jonë ndaj drejtësisë dhe vlerave të ekologjisë.
Papandreu theksoi se “duam të shprehim politikisht një aleancë sociale të drejtësisë dhe krijimit. Këtë aleancë duhet të kalitim”.
Papandreu theksoi nevojën e çlirimit të demokracisë “që është peng i interesave ekonomike dhe mediatike që mbështeten nga një shtet klientelist”.
4- Venizelos: PASOK-u, jemi ne dhe nuk ia dhurojmë askujt
Nga Sparta e ka filluar fushatën elektorale kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, para një auditori që kishte mbushur jo vetëm sallën, por edhe rrugën jashtë godinës.
Vanizelos ushtroi kritikë ndaj Jorgos Papandreut dhe vendimit të këtij të fundit për të krijuar parti dhe madje në periudhën e caktuar kohore, ndërsa theksoi përmes duartrokitjeve se “PASOK-u jemi ne dhe nuk ia dhurojmë askujt”.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Venizelos theksoi se nuk kishte alternativë tjetër për shpëtimin e vendit, veç marrjes së vendimeve dhe masave të vështira. E kuptojmë se i plagosëm njerëzit, mirëpo nuk ekzistonte alternativë tjetër. Bëmë betejën dhe e mbajtëm vendin në momentet e vështira.
Kryetari i PASOK-ut sulmoi edhe SYRIZA-n, dhe vuri në dukje se është e habitshme që një parti që ka gjasa të qeverisë, edhe tani në fushatën elektorale jep premtime dhe thotë gjëra që janë krejtësisht të pamundshme.
5- Sopndazhi: SYRIZA kryeson me 3,1% ndaj Demokracisë së Re. Partia e Papandreut ene pa u krijuar në vend të tretë
Ngushtim të diferencës ndërmjet SYRIZA-s dhe Demokacisë së re tregon sondazhi i kompanisë Rass që publikohet në gazetën Elefteros Typos të dielën. SYRIZA prin me diferencë 3,1% nga 3,4% që ishte diferenca javën e mëparshme, ndërsa Antonis Samaras ruan dominimin e vet në preferencën për kryeministër më i përshtatshëm.
Më konkretisht, SYRIZA grumbullon 30,4%, Demokracia e Re 27,3%, partia Komuniste 4,8%, Lumi 4,7%, Agimi i Artë 3,8%, PASOK 3,5%, Grekët e Pavarur 2,5%. Parti tjetër deklarojnë se do të votojnë 3,8% e të anketuarve, ndërsa vota e papërcaktuar arrin në 15,2%.
Ndërmjet dy liderëve kryesorë politikë, Antonis Samaras ka avatazh të fuqishëm, 7,6% sa i përket pyetjes kush është më i përshtatshëm për kryeministër, duke grumbulluar 41% kundrejt 33,4% të Aleksis Tsipras.
Gjithsesi, mundësia që të bëhet kryeministër Aleksis Tsipras krijon frikë te 41% e të anketuarve, ndërsa 38,1% deklarojnë se një mundësi e tillë u krijon shpresë. Ndërkaq, 74,2% e të anketuarve besojnë se vendi duhet të qëndrojë me çdo kusht në eurozonë.
Sondazhi i kompanisë Rass hulumton edhe ndërmarrjen e Jorgos Papandreut, ndërsa ende nuk ishte shpallur partia e ish kryeministrit. 6,1% u përgjigj që në rast se ai krijonte parti dhe kërkonte votën e qytetarëve, do t’i besonin.
Kujtim Vani
Korrespodent i "KOHA JONE"
Athinë