Gara në PD, Pampuri: Kandidatët shigjetojnë Bashën, por nuk flasin për masakrën zgjedhore
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Oriola Pampuri tha se kushdo nga kandidatët në garë për kreun e Partisë që shigjeton Bashën, por nuk thotë asnjë fjalë për maskaradën zgjedhore të 25 prillit, që thjesht ndihmon Edi Ramën në jetëgjatësinë e tij në pushtet.
Në një intervistë dhënë për “Syri TV”, Pampuri u shpreh se Edi Rama nuk do që Basha të jetë kryetari i PD-së dhe nuk do që PD-ja të jetë e bashkuar pas 13 qershorit.
Prandaj, thotë Pampuri, Lulzim Basha ka artikuluar që pas 13 qershorit, PD-ja do jetë edhe më e bashkuar.
“Patjetër që është një garë reale, që janë të katër kandidatët sigurisht në garë reale. Fakti që gara është tani në qershor besoj është bërë tashmë e qartë dhe nga kolegët e mi dhe nga z. Basha, është që nga momenti që dolëm nga një masakër zgjedhore, filluan direkt shigjetimet indirekt ndaj kryetarit aktual z. Basha. Dhe mundësia më e mirë ishte që nga një studio televizive të përshpejtohej një garë dhe i gjithë ky problem i nxitur, nga ata kandidatë që dalin në studio televizive apo të tjerë që inspironin për t’u bërë pjesë e garës, mënyra më e mirë është për t’u futur në një garë që më pas të merremi me masakrën zgjedhore. Sigurisht që kjo është mënyra më e mirë që tregon që në një parti ka demokraci, ka garë, por kur kjo garë e kandidatëve nuk shënjestron autorin e maskaradës së zgjedhjeve të 25 prillit, por shigjeton vazhdimisht Lulzim Bashën, ajo pastaj e ndan një garë nga demokratike në një garë në shërbim të dikujt tjetër. Gjatë gjithë kësaj periudhe nga kandidatët e tjerë është artikuluar se ne jemi në opozitë deri në vitin 2025, dhe kjo nuk mund t’i shërbejë askujt tjetër, vetëm se Edi Ramës. Demokratët e dinë shumë mirë sot se vota e tyre është deformuar. Dhe nuk mund ta pranojnë kurrsesi që një kandidat i Partisë Demokratike, të pranojë humbjen dhe të mos flasë për masakrën zgjedhore, duke i shtuar jetëgjatësinë Edi Ramës. Nëse një kandidat pranon këtë, kjo nuk është një garë e barabartë. Në momentin që kandidatët nuk artikulojnë që kjo e 25 prillit ka qenë një masakër zgjedhore, është t’i vish në ndihmë Edi Ramës. Lulzim Basha nga fillimi deri në fund e ka artikuluar maskaradën e 25 prillit dhe ka parashtruar një platformë se si do të vijohet pas 13 qershorit. Edi Rama nuk do që Basha të jetë kryetari i PD. Nuk do që PD të jetë e bashkuar pas 13 qershorit. Prandaj Lulzim Basha ka artikuluar që pas 13 qershorit, PD do jetë edhe më e bashkuar”, tha Oriola Pampuri.