Gara për kreun e PD-së në Pogradec, Oligert Muçllari shpallet fitues me 23 vota diferencë ndaj Kasëm Gallës

Në degën e Partisë Demokratike në Pogradec ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj force politike në nivel lokal.

Sipas të dhënave zyrtare, në votim morën pjesë 476 anëtarë të Partisë Demokratike. Gara u zhvillua mes dy kandidatëve të njohur në strukturat e kësaj force politike në qytet: Kasëm Galla, i cili ka drejtuar degën e PD në Pogradec gjatë viteve 2019–2021 dhe njihet gjithashtu si biznesmen në zonë, si dhe Oligert Muçllari, drejtues i komanduar i degës pas procesit të primareve dhe me profesion ekonomist.

Procesi i votimit nisi në orën 08:00 të mëngjesit dhe u zhvillua në një atmosferë të qetë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga numërimi i votave rezultoi se Oligert Muçllari ka marrë 247 vota, ndërsa kandidati tjetër, Kasëm Galla, ka siguruar 224 vota. Në këtë proces janë shpallur edhe 6 vota të pavlefshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pas shpalljes së rezultatit, Muçllari falenderoi anëtarët e PD në Pogradec për mbështetjen.

“Falenderoj të gjithë anëtarët e PD në Pogradec për vlerësimin dhe privilegjin që më dhanë për drejtimin e degës së Pogradecit, por edhe për përgjegjësinë e madhe që na pret në të ardhmen. Unë e shoh këtë si një përgjegjësi të madhe jo vetëm ndaj demokratëve, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të Pogradecit.

Ishte një proces dhe një garë dinjitoze. Kam vlerësim maksimal edhe për mikun tim, Kasëm Galla, me të cilin ishim në garë. Me dëshirë dhe angazhim të madh, shpresoj që ne si degë e PD të çojmë përpara misionin tonë, duke e rikthyer bashkinë nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe duke e qeverisur me dinjitet, ashtu siç u takon qytetarëve të Pogradecit.”, u shpreh ai.

Panorama.al

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?