Gaz Bardhi kërkon përfshirjen e opozitës në seancën e Gjykatës Kushtetuese për mandatet e gjyqtarëve
Kreu i Grupit Parlamentar të PD i dërgon shkresë zyrtare kryeparlamentares Spiropali, në prag të seancës për çështjen e mandateve kushtetuese.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i ka dërguar një shkresë zyrtare kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, duke kërkuar përfshirjen e opozitës parlamentare në seancën që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me interpretimin e mandateve të gjyqtarëve të këtij institucioni.
Në shkresën e firmosur më 7 korrik 2025, Bardhi thekson se përfaqësimi i Kuvendit në këtë seancë duhet të jetë pluralist, duke reflektuar përbërjen reale politike të parlamentit dhe rolin kushtetues të opozitës në proceset e rëndësishme institucionale.
“Duke qenë se Kuvendi është palë e drejtpërdrejtë në këtë çështje, dhe përfaqëson interesin e të gjithë trupës parlamentare, kërkoj që në përbërjen e grupit që do përfaqësojë Kuvendin në Gjykatën Kushtetuese të përfshihet edhe përfaqësimi i opozitës,” thuhet në shkresën e Bardhit.
Çështja që po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese ka nisur pas një kërkese të presidentit Bajram Begaj në janar të këtij viti, ku ai kërkoi interpretimin e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues. Të përfshira si palë të interesuara në këtë proces janë Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë dhe Gjykata e Lartë – secili prej tyre emëron nga tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, sipas Kushtetutës.
Ndërkohë, çështja ka ngritur shqetësime edhe në nivel ndërkombëtar. Komisioni Europian ka shprehur alarm mbi pasigurinë ligjore dhe përplasjet ndërinstitucionale, që mund të cënojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Opozita thekson se përfshirja e saj në këtë proces është jetike për legjitimitetin e qëndrimit që Kuvendi do të paraqesë përballë trupës kushtetuese, dhe se përjashtimi i saj do të përbënte një deformim të vullnetit politik pluralist të Parlamentit.
Gjykata Kushtetuese pritet të zhvillojë seancën për këtë çështje në ditët në vijim.

KOHA JONË SONDAZH

