Gaz Bardhi: Rama merr në mbrojtje oligarkët. PD do të çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për ndërtimet pa leje
Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, ka paralajmëruar se grupi parlamentar i PD-së do të çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për ndërtimet pa leje.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur dje të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, për shpalljen e tij antikushtetuese, për shkak se Vendimi i Qeverisë është për të marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës:
• Është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cenon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cenon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji;
• Është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend;
• Është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Grupi Parlamentar i PD do të informojë Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë për këtë praktikë të paligjshme të qeverisë, që nxit, favorizon dhe i hap rrugë ndërtimit të Kullave në mes të Tiranës, duke favorizuar në këtë mënyrë një skemë të mundshme pastrimi të parave të pista, nisur nga fakti se siç ka pohuar vetë Prokurori i Përgjithshëm, ka dyshime të forta që një pjesë e parave që janë investuar në ndërtim në qytetin e Tiranës kanë si burim aktivitetet kriminale jashtë territorit të Shqipërisë“, tha Bardhi.