Gazment Bardhi: Rama skenar për të nxitur konflikt popullor
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike: Rama mendon se duke destabilizuar vendin, mund t’i zgjasë pushtetin vetes. I ka bërë llogaritë gabim.
Intervistoi Jonida Halili
Zgjedhje ku partitë politike ia lenë vendin bandave kriminale, nuk ka për të pasur më në Shqipëri. Është kjo kundërpërgjigja e Partisë Demokratike ndaj deklaratave kokëforta të kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama, i cili në krah të shefes së diplomacisë evropiane edhe dje pasdite përsëriti vendosmërinë e tij për të zhvilluar zgjedhje në 30 qershor. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një intervistë për Gazetën “Koha Jonë” ka folur qartë se opozita nuk ka ndërmend të tolerojë asnjë sjellje arrogante që do të çonte në instalimin e një sistemi autoritar nga Edi Rama. Mes tjerash, numri 2 i selisë blu flet edhe për dhunën e policisë ndaj banorëve të “Unazës së Re” dhe ish-deputetit Klevis Balliu.
Bardhi thotë se policia gjatë qeverisjes së Edi Ramës ka patur dy detyra kryesore: E para, të ndihmojë trafikantët në kultivimin dhe transportimin e drogës, duke i shërbyer grupeve kriminale; E dyta, të frikësojë qytetarët e ndershëm, duke zbrazur burgjet nga kriminelët e vërtetë dhe duke i mbushura ato me qytetarë të ndershëm dhe të pamundur, që ngrenë zërin kundër padrejtësive. Më tej Bardhi shprehet se Rama prej kohësh ka një skenar kriminal mbi tryezë që nxit dhunën për destabilizimin e Shqipërisë, përmes qeverisjes me krimin e organizuar.
“Edi Rama është përgjegjës që e ka shndërruar Policinë dhe Drejtësinë, nga mbrojtëse të të drejtave të qytetarëve, në dhunuesit më të mëdhenj të këtyre të drejtave. Interesi i Edi Ramës nuk është Shqipëria dhe shqiptarët. Interesi i tij është pushteti për veten dhe një grusht njerëzish. Prandaj nxit konflikt dhe mendon se duke destabilizuar vendin, mund t’i zgjasë pushtetin vetes. I ka bërë llogaritë gabim. I ka bërë llogaritë pa qytetarët e ndershëm që janë shumicë absolute në vend, dhe që janë gati të mos lejojnë Edi Ramën, që për pushtetin e tij, t’i bllokoi shqiptarëve rrugën evropiane dhe t’i pamundësoi mirëqenien|, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i PD-së gazmend Bardhi në përgjigje të interesimit të gazetës “Koha Jonë”, për situatën e tensionuar që po kalon vendi.
Si e komentoni ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë tek zona e “Astirit”, ku Policia nuk kurseu as banorët, por as ish-deputetët e opozitës, a keni frikë nga arrestimet siç ndodhi me kolegun tuaj Klevis Balliu?
Policia gjatë qeverisjes së Edi Ramës ka patur dy detyra kryesore: E para, të ndihmojë trafikantët në kultivimin dhe transportimin e drogës, duke i shërbyer grupeve kriminale; E dyta, të frikësojë qytetarët e ndershëm, duke zbrazur burgjet nga kriminelët e vërtetë dhe duke i mbushura ato me qytetarë të ndershëm dhe të pamundur, që ngrenë zërin kundër padrejtësive. Arrestimi politik i Klevis Balliut nuk ka trembur as Klevisin dhe askënd nga opozita. Sot i vetmi njëri i frikësuar në Shqipëri është Edi Rama. Prandaj urdhëron arrestimet politike, prandaj urdhëron dhunën ç’njerëzore ndaj qytetarëve, prandaj e ka shndërruar Policinë e Shtetit në roje private të tij dhe pushtetit të vet kriminal.
Arrestimi i ish-deputetit Balliu, po cilësohet si tentativë që Rama kërkon të sjellë destabilizimit dhe po nxit konflikt. Sipas jush cila është arsyeja që Rama guxoi të burgosë ish-deputetin, duke prekur një cak të pazakontë, atë të një politikani deri dje anëtar i Kuvendit?
Edi Rama prej kohësh ka një skenar kriminal mbi tryezë që nxit dhunën. Edi Rama është përgjegjës për destabilizimin e Shqipërisë, përmes qeverisjes me krimin e organizuar. Edi Rama është përgjegjës që e ka shndërruar Policinë dhe Drejtësinë, nga mbrojtëse të të drejtave të qytetarëve, në dhunuesit më të mëdhenj të këtyre të drejtave. Interesi i Edi Ramës nuk është Shqipëria dhe shqiptarët. Interesi i tij është pushteti për veten dhe një grusht njerëzish. Prandaj nxit konflikt dhe mendon se duke destabilizuar vendin, mund t’i zgjasë pushtetin vetes. I ka bërë llogaritë gabim. I ka bërë llogaritë pa qytetarët e ndershëm që janë shumicë absolute në vend, dhe që janë gati të mos lejojnë Edi Ramën, që për pushtetin e tij, t’i bllokoi shqiptarëve rrugën evropiane dhe t’i pamundësoi mirëqenien.
Kryeministri Rama është i bindur se do të fitojë 61 bashki dhe shprehet se nuk do të pranojë qeveri transitore, siç pretendon opozita. Në këtë situatë aspak të qetë, ku presioni është rritur, si duhet ta izolojë opozita qeverinë “Rama 2” për të shkuar në zgjedhje?
Edi Rama pasi ka eliminuar Parlamentin, duke e shndërruar në shtojcë të Qeverisë, dhe pasi ka kapur politikisht drejtësinë, mendon se do kontrollojë plotësisht edhe pushtetin vendor. E vetmja mënyrë sesi një parti politike mund të fitojë zgjedhjet, është gara e barabartë, e lirë dhe e ndershme, si dhe ofrimi i mundësisë për qytetarët që të zgjedhin alternativën më të mirë. Zgjedhje ku partitë politike ia lenë vendin bandave kriminale, nuk ka për të pasur më në Shqipëri. Për këtë, koalicioni opozitar është i vendosur për të pamundësuar votime farsë në 30 Qershor në Shqipëri. Ripërsërisë që Edi Rama i ka bërë llogaritë pa qytetarët. Mendonte se mjafton marrëveshja që ka me krimin e organizuar për të nënshtruar shqiptarët. Mendonte se mund të ndal qytetarët nëpërmjet përdorimit politik të Policisë së Shtetit, apo drejtësisë. Shqiptarët kanë rrëzuar regjimin kriminal dhe çnjerëzor të Enver Hoxhës dhe sot janë ngritur për të rrëzuar një kopje të shëmtuar të atij regjimi. Votime në 30 Qershor nuk ka për të patur. Shqiptarët në vitin 2019 meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe ato mund të zhvillohen vetëm pasi të largohet njeriu që ka dhënë prova të mjaftueshme se nuk ka vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Këtë javë është paralajmëruar një protestë kombëtare në Tiranë nga ana e opozitës. Si po organizohet opozita, dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?
Protesta e 11 Majt do të jetë madhështore dhe qytetarët do të tregojnë edhe njëherë se e përbuzin modelin e Edi Ramës dhe se janë bashkë për të luftuar të keqen. Opozita të marrë të gjitha masat që 11 Maj të jetë dita ku zëri i qytetarëve do të dëgjohet më shumë se kurrë më parë.
A do të prodhojë këtë herë politika një konsensus në kuadër të zgjidhjes së krizës? A do të ketë rrugë ligjore për një marrëveshje e cila do të shmangë një përplasje civile?
Qëllimi i opozitës është mirëqenia e qytetarëve shqiptar dhe kurrsesi përplasja civile. Shqiptarët nuk mund të jenë të përçarë në kërkesën e tyre për standarde më të mira për veten dhe familjet e tyre, që mund të sigurohen vetëm nga një Qeveri që fatin e lidhë me zgjedhësit dhe jo me krimin. Opozita ka bërë të qartë se sa kohë Edi Rama është Kryeministër dhe krimi qeverisë nëpërmjet tij, nuk ka për të pranuar asnjë zgjidhje që vjen nga krimi, nëpërmjet zërit të Edi Ramës. Ne jemi parti politike dhe nuk mund të bëjmë kurrë marrëveshje me krimin, edhe nëse ai fshihet pas fytyrës së Edi Ramës. Prandaj dhe zgjidhja e krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, mund dhe do të ndodhë atëherë kur Edi Rama t’i hapë rrugë zgjidhjes politike të ofruar nga opozita, që ka në themel të saj garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.