Genc Pollo: Profetë të rremë, idiotë të dobishëm, listat e hapura dhe marrëzia kolektive

Nga Genc Pollo

Profetë të rremë, idiotë të dobishëm, listat e hapura dhe marrëzia kolektive
(Shënime gjatë viteve 2019-2021)
Mbi “profetë” e “idiotë”
Nikolla i Kölnit, dikur nga fillimi i shekullit 13, pretendoi se i ishte shfaqur Jesu Krishti për t’i thënë se atë që nuk e arrinte dot forca e shpatës e kryente pafajësia fëminore dhe se një kryqëzatë fëmijësh do të ishte më efektive për çlirimin e Jeruzalemit nga të pabesët sesa ekspeditat e kalorësve kryqtarë.
Nikolla mblodhi rreth 30 000 fëmijë lart e poshtë në Europë dhe në gusht 1212 arriti në portin mesdhetar të Gjenovës. Nga fëmijët që hipën në anije, kush nuk u mbyt në lundërthyerje, u shit si skllav në Tunizi. Nikolla me florinjtë e mbledhur nga kjo punë u fsheh në Alpet italiane derisa e gjetën dhe e ngulën në hu.
Profeti i rremë është një person që pretendon se përcjell fjalën e Perëndisë; ai i ofron publikut (besimtarëve) rezultate të mrekullueshme përmes zgjidhjeve sempliste të cilat janë shpesh me leverdi personale për të. Nikolla është një ndër qindra syresh të dokumentuar në historinë europiane të tre mijëvjeçarëve të fundit nga Abrahami e këtej.
Danilo Dolci ishte një aktivist social i pasluftës, i cili luftoi kundër varfërisë e Mafias në Siçil. Por gjithmonë e më shumë ai sulmoi pushtetarët demokristian; në këtë të fundit njëlloj si komunistët opozitarë. Sipas establishmentit të kohës ai, edhe pse njeri i ndershëm, nuk ishte veçse një idiot i dobishëm për Partinë Komuniste Italiane. Dolci nuk ishte komunist me bindje dhe aq më pak anëtar i PKI-së, por kjo nuk i pengoi sovjetikët që në fund të viteve 50 t’i akordononin atij Çmimin Lenin për Paqe.
“Idiot i dobishëm” është term i përdorur gjerësisht në diskursin perëndimor për të cilësuar ato personalitete të cilët me mirëbesim por edhe me naivitet përkrahnin kauza komuniste ose edhe vetë Bashkimin Sovjetik që nga koha e Leninit deri në vitet 80.
Marrëzia e bilanci i Listave të Hapura
Midis vjeshtës 2019 e asaj 2020 nuk më është shqitur nga mendja ideja fikse se dy rastet e mësipërme do të ishin parabola e përshtatshme për shumë prej atyre që me zell të paepur kanë insistuar për lista të hapura (më tej LH) të kandidatëve për deputet.
Këtë parabolë e referoj këtu me njëfarë brenge në zemër pasi mes dashnorëve të shumtë të këtyre listave ka jo pak persona me angazhim të lavdërueshëm për gjënë publike, shpesh edhe kundrejt sakrificave personale. Disa syresh i njoh personalisht e i çmoj për parimësinë e për sensin qytetar që dëshmojnë; madje vë dorën në zjarr se ata anojnë më shumë nga Danilo dhe aspak nga Nikolla. Por prapë nuk i heq dot nga mendja ato muaj, pjesërisht të kaluar në izolim epidemik, kur çdo ndërfaqe me jetën publike qoftë mediat, rrjetet sociale der tek kafeneja e lagjes dominohej nga obsesioni me LH si shpëtimtari i vetëm, gati mesianik, i demokracisë e begatisë shqiptare.
Sot, pak javë mbas zgjedhjeve parlamentare me LH, mund të bëhet një bilanc fillestar mbi efektin e tyre.
Së pari, pozicioni solid i opozitës (përjashto ndonjë piruetë quicky e joparimore) se LH nuk ofrojnë zgjidhje të asnjë problemi real, por vetëm shërbejnë për spostimin e debatit publik nga problemet reale tek fantazitë utilitare dhe për zbutjen e presionit publik për zgjidhje reale duket i konfirmuar.
Sot OSBE/ODIHR shkruan për abuzime masive nga partia shtet dhe opozita flet për masakër elektorale. Për hir të së vërtetës edhe pozicioni i PS ndaj LH ishte po aq serioz deri në çastin që Rama shpalli amendimin e Kushtetutës për të kapur bonusin prej pesë mandatesh.
Së dyti teza e dashnorëve të LH se përmes preferencës së elektoratit shkërmoqet monopoli i kryetarëve të partive politike për të përcaktuar faktikisht deputetët e ardhshëm u rrëzua. Vetëm tre kandidatë arritën të thyejnë herësin e të fitojnë kështu mandatin. 137 kandidatë të tjerë do të bëhen deputetë sipas renditjes të nënshkruar nga kryetarët. Por edhe sikur herësi të mos ishte kaq i madh (afro 10 mijë vota parapëlqyese) dhe listat përfundimtare të rirenditeshin absolutisht sipas votave parapëlqyese ndryshimi do të ishte minimal: sipas një vështrimi paraprak në çdo qark listat do të mbeteshin 95% njëlloj.
Thënë kjo, do të vëreja se sfida reale me ofertën e kandidatëve për deputet nuk është është eliminimi i rolit të kryetarit apo i organeve drejtuese të partisë.
Kjo gjë do të ishte jodemokratike, antistatutore dhe e papërgjegjshme. Por si mund të arrihet që kandidatët e partive të jenë jo vetëm njerëz normalë e të panjollosur por edhe të mishërojnë idetë politike të partisë që do të përfaqësojnë e të jenë të njohur e të gëzojnë besimin e antarësisë, elekoratit partiak e më gjerë? Është më pak sempliste dhe populiste por qartazi më e dobishme të insistosh e të realizosh proçedura demokratike brenda partive duke marrë si model në mos primaret amerikane të paktën konsultimet edhe me votë të fshehtë a të hapur me bazën e strukturat partiake siç praktikohet gjerësisht në Europë.
Edhe aty nuk mohohet roli i kryetarit apo i kryesisë qendrore por me rregull e traditë ky rol kufizohet në veto individuale e ndryshime të vogla e përherë të arsyetuara. Por kjo kërkon vullnet në krye të partisë e praktikim të gjatë. E këtu fillojnë defiçitet tona. Por më mirë të identifikosh drejt e saktë problemin e pazgjidhur sesa të japësh formula kryekëput të gabuara. Si ai tipi i barcoletës që i kishte rënë çelsi nga xhepi diku në errësirë dhe që e kërkonte tjetëkund poshtë llampës së rrugës. Sepse ekuivalente me listat “100% të hapura” është shpallja e 560 kandidatëve (katër subjektet fituese të 25 prillit herë 140 kandidatët e secilit syresh) si të pavarur: vë bast që rezultati do të ishte rumpallë 40 ditore elektorale dhe katër vjeçare parlamentare.
Së treti teza e dashnorëve të LH se përmes tyre filtrohen kandidatët problematikë gjithashtu u rrëzua. Në listat rilindiste (e ku tjetër!) një djalosh i panjohur por me lidhje familjare me dekriminalizmin theu herësin dhe i mori mandatin shefit të degës Tiranë të PS. Herësin në po këtë qark e theu edhe një tjetër kandidat por jo se për të mobilizua masivisht elektorati socialist. Ishte investimi masiv financiar e njerëzor i Bashkisë që rirenditi listën duke dëftyer raporte brenda partisë e jo parapëlqime në popull. Të njejtin fenomen shfaqi edhe lista rilindiste në qarkun “problematik” të Elbasanit. PD e kishte thënë prej kohësh se LH ishin faktikisht një korsi emergjence për kandidatët e mafies dhe oligarkisë. Sot mund të thotë se i doli fjala.
Së katërti aspektet negative të LH të dëshmuara nga Estonia në Kosovë duket se i patëm edhe ne. Së pari gara brenda familjes për të marrë votën parapëlqyese tek elektorati i sigurt partiak prishi harmoninë e koordinimim mes kandidatëve të një qarku. Deri tek konflikte si “çfarë don ti tek lagjia/vota ime”. Që në disa raste u maisën keq. Këto e të tjera helmatisin klimën mes deputetëve të një subjekti e mes vetë partisë. Më keq akoma ka jo pak sinjale se komisionerët mbasi numëruan votën e partive u ulën veçan sipas partisë e transferuan sipas qefit vota parapëlqyese nga kandidati X tek Y brenda listës. Arsyet mund t’i imagjinoni. Ose mund të pyesni në shtetet ku ka ndodhur rëndom.
Epilog
Me farmacistin ku blej zakonisht barnat, bisedoj për çeshtje gjenerale në intervalin midis porosisë e pagesës. Ai është i informuar e i interesuar të debatojë; më jep përshtypjen se simpatitë i ka djathtas edhe pse nuk shprehet. Herën e fundit në farmaci, para se të na mbyllte në shtëpi epidemia, nga përtej banakut e me zë jo të ulët më tha: “Ah o zoti Genc! Po i caktoi prapë deputetët Rama e Basha nuk ka shpresë! Edhe më keq do të bëhet!” Ika i deprimuar e pa e kundërshtuar gjatë.
Covidi rezultoi se sjell pasoja fatale për të moshuarit e të sëmurët. Virusi i budallepsjes kolektive krahasuar me të është absolutisht jodiskriminues; ai zapton njëlloj mendjen e të ndershmit dhe atë të delenxhiut, e të mençurit dhe të trushkulurit, e të shkolluarit dhe të injorantit e kështu me rradhë. Këtë e dëshmoi bestytnia e një pjese në PD se “djegia e mandateve” do të sillte automatikisht rrëzimin e qeverisë e zgjedhje të reja. Po ashtu e dëshmoi në vjeshtë 2013 edhe histeria shoqërore ndaj projektit të asgjësimit të armëve kimike siriane.
Mbetem me shpresë të përkohshmëria e këtij virusi; disi më pak tek ilaçi e vaksina kundra tij. Se Nikollë e Danilo do të gjallojnë për jetë e mot. –fund–
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
27 maj 2021

SHKARKO APP