Gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës, Rama: Kanë nxjerrë në dritë skeletin e një kali dhe të një luftëtari
Gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës pas 30 vitesh po vijojnë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër. Kryeministri Edi Rama ka ndarë momente nga puna e arkeologëve në kalanë e Gjirokastrës duke shtuar se zbulimet e para përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë (shek. V-VI pas Kr.).
”Zbulimet e para përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë (shek. V-VI pas Kr.). Punimet gjithashtu kanë nxjerrë në dritë skeletin e një kali dhe të një luftëtari pranë tij dhe poashtu, janë zbuluar objekte arkeologjike të periudhës së Bronzit të Mesëm dhe të Vonë, që dëshmojnë për fazat më të hershme të ndërtimit dhe funksionit të kalasë. Gërmimet vijojnë dhe zbulimet që priten në javët në vijim mund të sjellin dimensione të reja mbi historinë e qytetit dhe trashëgiminë tonë kulturore”,-shkruan Rama.
Kalaja e Gjirokastrës ndodhet e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.
KOHA JONË SONDAZH

