Deputeti Gështenja: Alimehmeti do tërhiqte elektorat gri, por nuk e favorizojnë primaret në PD
Deputeti i PD-së, Lefter Gështenja, thotë se dy grupimet brenda selisë blu janë të dënuar të bashkëpunojnë për të fituar përballë Edi Ramës. Për të momentalisht primaret në PD do të favorizonin figurat politike, që janë brenda strukturave dhe jo intelektualë apo personalitete që mund të tërheqin elektorat gri.
”Brenda PD-së ka një krizë, krizë legjitimiteti mes palëve, që s’njohin njëra-tjetrën. Unë s’jam kundër primareve. Por në momentin ku ndodhet sot PD dhe opozita në tërësi, primaret s’janë zgjidhje. Sepse primaret favorizojnë figurat politike në njësitë vendore, ndërkohë që mund të ketë figura qytetare që mund të tërheqë pjesën gri. Nëse për një vit kemi vazhduar me alternativën e kokëfortësisë, kjo është arsyeja pse jemi këtu sot, të ndarë. Sot çdo demokrat e kupton që PD është e ndarë, nuk është më e fortë dhe e bashkuar siç ka qenë. Duhet të jetë institucion mendimi ndryshe. Përpos, bindjet ne i kemi të djathta. Kjo është arsyeja pse ne jemi në PD. I vetmi person që i intereson çakërdisja dhe çarja e opozitës është Rama”,-tha në ”MCN TV”.
Nga ana tjetër, i pyetur nëse mund të jetë mjeku Alimehmeti një kandidat potencial për Tiranën, tha se ai mund të tërhiqte elektorat gri, por shtoi se nuk do të favorizohej nga primaret.
”Nuk do doja të hyja në emra. Z.Bogdani e njoh, edhe z.Alimehmetin nga mediat e njoh. Për z.Alimehmeti besoj që është një rast për të marrë edhe pjesën gri, por ky njeri s’vjen nga struktura. Automatikisht struktura do votojë një njeri brenda strukturave se sa një që vjen nga jashtë. E njëjta gjë do ndodhte edhe me kandidatë të tjerë. Këtu mund të ndikojë edhe kundërshtari, që përmes patronazhistëve të nxjerrë fitues një kandidat i dobët”- tha deputeti demokrat.