GËZUAR 2017 nga Astrit Patozi: E kam pasur bezdi që festat të m’i përcaktojë kalendari
Nga Albina Gjergji
Edhe pak orë na ndajnë nga 2017-ta dhe nga një vit aktiv që jetuam presim të startojmë një tjetër me shpresën se do të jetë më i mirë se ky që po lëmë pas. Gjatë 2016-ës kanë ndodhur ngjarje nga më të ndryshmet në jetën e gjithsecilit prej nesh. Kemi përjetuar emocione të forta, gëzime, sfida, trishtime, momente suksesi në punë a familje. Kemi marrë urime datëlindjeje, lindjeje, por… edhe ngushëllime për ata që fatkeqësisht nuk janë më. Pra, 2016 ka rrokur shumë ngjarje në 365 ditëshin e saj e përtej faktit që i mbeten shumë pak orë për të na plotësuar “dëshirat” e premtuara në kohë, le të shpresojmë në atë që, çka nuk na i solli këtë vit, 2017-ta na i sjelltë të dyfishuara. Gëzimet në familje, sukseset në punë dhe dashurinë për njëri-tjetrin në raportet e përditshme njerëzore.
Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi për gazetën “Koha Jonë” tregon se, përtej faktit që Natën e Vitit të Ri do ta kalojë me të afërmit, festat nuk ia përcakton kalendari. Sipas tij festë quhet një ditë e kaluar bukur mes miqsh të mirë. “Do të qëndroj në shtëpi me njerëzit e mi të afërt, por ky “vendim” nuk ka të bëjë, as me vështirësitë e opozitës, e aq më pak me moshën, së cilës i shtohet një vit më shumë. Thjesht, që “i vogël” e kam pasur bezdi që festat të m’i përcaktojë kalendari. Kam dashur gjithmonë që për ato të vendos vetë dhe unë festë quaj një ditë të kaluar bukur mes miqsh të mirë. Pak rëndësi ka koha dhe vendi. E tillë shpresoj të jetë edhe ditë – nata e ndërrimit të viteve”.
KOHA JONË SONDAZH

