”Giro d’Italia”, Rama në Romë: Privilegj dhe një eksperiencë unike për Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Romë, ku mori pjesë në prezantimin e eventit “Giro d’Italia” që do të mbahet këtë vit në Shqipëri. Një privilegj dhe një eksperiencë fantastike për Shqipërinë e quan kreu i qeverisë, mundësinë që vendi ynë do të presë “Giro d’Italia”.
”Është një privilegj i madh të jesh këtu për një eksperiencë unike. Është e vështirë të bëja një marrëveshje me Presidentin Kajro, por më në fund ja dolëm. Unë ndihem këtu i veçantë sepse jam i vetmi që di të ngas biçikletën dhe jo mjetet e tjera.
Kur Shqipëria ishte e mbyllur, e vetmja mënyrë për t’u lidhur me botën tjetër ishte radioja. Ishte një kohë tjetër, një ajër ndryshe, eksperienca e asaj kohe.
Sporti italian për ne ishte një mënyrë për të ëndërruar që na tregonte se pas detit ka një tjetër jetë, e ndryshme nga ajo që jetonim në një Shqipëri të mbyllur. Kjo ishte si një përrallë, gjëra që i kam jetuar vetë. Jam shumë i nderuar dhe i vlerësuar”,-tha Rama.
I pranishëm në prezantim ka qenë edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Tajani i cili është shprehur se ky event nuk është vetëm në garë, por edhe një instrument që tregon mbështetjen për Shqipërinë. Tre etapat e para të garës së njohur çiklistike “Giro d’Italia” do të zhvillohen në Shqipëri nga data 9 deri më 11 Maj në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Gjatë garës do të jenë të pranishëm rreth 3 mijë sportistë të mbështetur nga stafet e tyre.