Gjadri mbetet bosh pasi refugjatët kthehen në Itali, kryeministrja Meloni reagon ashpër
Seksioni i imigracionit në Gjykatën e Romës vendosi këtë të premte që refugjatët të cilët mbërritën në portin e Shëngjinit të rikthehen në Romë, pasi Bangladeshi dhe Egjipti nuk janë “vende të sigurta”. Edhe pse kërkesa për azil e 12 emigrantëve që u vendosën në Gjadër është refuzuar nga vendi fqinj, sipas vendimit të Gjykatës së Romës ata do të duhet të kthehen mbrapsht dhe do të kenë 14 ditë kohë për të apeluar vendimin.
Vendimi i Gjykatës së Romës është një zhvillim i brendshëm i shtetit Italian që bazohet në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni e akuzon opozitën për veprime te turpshme në dëm të vendit. Meloni e cila pasi mori lajmin gjatë vizitës së saj në Liban, komentoi për mediat vendimin e gjykatës duke thënë: “Është e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga një pjesë e institucioneve”.
Vendimi i Gjykatës së Romës vë në dyshim themelin e gjithë paktit Rama-Meloni për emigrantët nga Afrika, për të cilin qeveria italiane ka parashikuar të shpenzojë mbi 600 milionë në pesë vite. Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë përcaktoi se kjo kërkesë plotësohet vetëm nga kombet në të cilat të gjitha kategoritë e individëve, pa përjashtim, janë të sigurta nga diskriminimi. Shumë nga 22 vendet e identifikuara si “të sigurta” nga Italia nuk e kanë këtë status, prandaj ekziston pamundësia e mbajtjes së të huajve në kampin e Gjadrit.