Gjata: Shpenzimi i 100 mln eurove për matrikullimin e hidrokarbureve, më i tmerrshëm se arsyet ligjore

Sekretari për Çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata, ka folur në “Ditari” në A2 CNN, për padinë e PD-së drejtuar SPAK për koncesionin e hidrokarbureve. Përtej arsyeve ligjore, Gjata thekson se gjëja më e tmerrshme është shpenzimi i 100 milionë eurove për matrikullimin e karburanteve në një kohë pandemie, ndërsa rendit edhe arsyet ligjore.

“Janë 3 momente përtej momentit ligjor në këtë ditë pandemie; qeveria shpenzon 100 mln euro për matrikullimin e karburanteve. Kjo është e para dhe është e tmerrshme, së dyti kalojmë tek ana zyrtare 3 vepra penale; shpërdorimi i detyrës, ka firmosur zv.kryeministri se kujton se po shpëton, por ai nuk mund të shmanget nga përgjegjësia, shkelje e barazisë në tendera pa transparencë dhe një kategori shkeljesh dhe kriteret janë që kjo të merret nga kjo kompani përkatëse. Ne kemi sjellë zv.kryeministrin me emër dhe ia kemi lënë SPAK-ut të merret e të hetojë dhe momenti i tretë është problemi zgjedhor. Ka një marrëveshje të 5 qershorit që 40 ditë para nuk mund të merren vendime nga qeveria dhe Rama ka rënë dakord dhe ka firmosur. KQZ-ja ka marrë vendim që nuk lejohen të bëhen koncensione dhe këto janë hapur në kundërshtim”.

Për Gjatën, kjo po ndodh pasi Rama kërkon që jo vetëm ta përdorë politikisht, por edhe të përfitojë sa të mundë, pasi sipas tij e ka zënë tmerri i largimit nga pushteti.

Sa i takon reformës në drejtësi Gjata u shpreh se Rama e ka kthyer sistemin kokëposhtë dhe nuk pati strategji për zëvendësimet e ikjeve nga vetting-u. Sipas tij, lënia me një gjyqtar në gjykatën e Apelit vjen nga frika që e ka kapur Ramën dhe mendon se i ka në dorë.

“Sa herë kemi diskutuar për çështje të cilësisë së reformës në drejtësi, 40 ligje të njëanshme që u bënë pa pyetur opozitën dhe ekspertët. Pushteti gjyqësor nuk bën ligje, por pse nuk i more masat që atëherë, vetting-u fillon nga poshtë dhe jo nga lart. Duhet të kishte strategji se si do zëvendësonte ikjet. Në gjykatën e Apelit të gjykohet me një gjyqtar, nga 3 që ishin në Apel. Dhe tani po e kthen kokëposhtë të gjithë sistemin. Nuk ndryshohet përbërja e trupit gjykues se s’ka gjyqtar, si gjykohet kjo se ti nuk je i zoti të bësh shtet. Këto duheshin parashikuar që në momentin që u bë dhe kjo kërkon kompromis të madh për ndërhyrje në këtë reformë. Këto ndryshime vijnë nga frika që ka kapur Ramën. Por nuk do t’ia dalë dot. Ai shpreson se i ka në dorë po këto janë mjerim i një kryeministri në ikje”.

I pyetur për fushatën elektorale të PD-së, Gjata theksoi se asnjë opozitë në 30 vjet nuk ka paraqitur programin që ka opozita sot, i cili sipas tij sjell garanci të jashtëzakonshme për 25 prillin.

“Ka pritshmëri, ka një pritshmëri të jashtëzakonshme në terren te qytetarët. Në 30 vjet nuk ka dalë që një opozitë të ketë nxjerrë një program kaq serioz me të gjitha fushat e ndara, një program ambicioz që ka garanci të jashtëzakonshme, ka mezipritshmëri për datën 25, është dita kur do të shkarkojë mllefi popullor që pret ndryshimin. Do të jetë si referendum. Kemi gati një fushatë të egër të qeverisë ndaj opozitës.”

SHKARKO APP