Gjekmarkaj: Me arrestimin e Klevis Balliut, Rama do të vrasë çdo rezistecë

Analisti Agron Gjekmarkaj, e kam quajtur arrestimin e ish-deputetit Klevis Balliu një ngjarje të rëndë në vargun e atyre që po karakterizojnë qeverisjen e Edi Ramës. Në një intervistë për 55news.al, Gjekmarkaj pohon se përmes këtij akti, Rama kërkon të vrasë çdo rezistencë qytetare.

Ç’mendim keni për ndalimin e ish-deputetit të PD_së, Klevis Balliu?

Padyshim është një ngjarje e rëndë në vargun e atyre që po karakterizojnë qeverisjen e Edi Ramës. Ky ndalim dëshmon që policia që do të duhej të quhej policia shqiptare, është thjeshtë një polici politike e personale e Edi Ramës. Ky ndalim është më shumë se kaq, është ndëshkim dhe kjo shfaq fytyrën e autoritarizmit ku jetojmë. Ndalimi i ish-deputetit është përzgjedhje për rezistencën e gjatë të tijën dhe banorëve të ”Unazës së Re”, të cilët po mbrojnë një kauzë të drejtë.

Gjithashtu ky veprim është një testim ndaj shoqërisë dhe opozitës, për të parë deri ku shkon forca e tyre për të reaguar! Po kaq më ngjan një goditje biografike për qëndrimet jo vetëm të Klevis Balliut por edhe të Fari Balliut, dmth të të atit. Nga ana tjetër, këto janë gjeste të dëshpëruara, pa të ardhme në një shoqëri e cila e ka provuar diktaturën dhe ja njeh mjetet.

Nuk besoj se ka gadishmëri për të pranuar një diktaturë të re. Ata janë munduar ta friksojnë ish-deputetin por i kanë bërë një nder të madh publik duke i firmosur kësisoj certifikatën e rezistencës ndaj triumfit të despotizmit oligarkik e korruptiv.

Pse mendoni qe Edi Rama guxoi të burgosë ish-deputetin, duke prekur një cak të pazakontë, atë të një politikani deri dje anëtar i parlamentit?

Edi Ramës i ka shpërrthyer gjithçka. Parlamenti është monist. Sistemi ka rënë. Ekonomia është në pikiatë. Shqiptarët ikin! Korrupsion mbretëron ngado! Protestat e rrethojnë në çdo hap! Një tjetër protestë e madhe e opozites pritet për pak ditë. Në këtë mënyrë ai hakëmerret personalisht po do të percjellë mesazhin e frikës. Ai do të vrasë rezistencën. Psikologjikisht është e rëndë për të ku në çdo kilometër has pengesa për të kaluar! Nuk ka ndodhur me asnjë kryeministër.

Me arrestimin e Klevis Balliut, do të tkurrë të gjitha kategoritë shoqërore po mbi të gjitha eksponentët e opozitës politike. Pushteti i Ramës është në rrezik por ai atë e do mbi çdo gjë dhe për këtë vë në rrezik stabilitetin dhe demokracinë shqiptare. Personalisht besoj se shumë shpejt ish-deputeti do lihet i lirë.

Çdo gjë ka një cak dhe Rama e di! Ka nje cak edhe shpërdorimi i dhunës! Njerëzit nuk kanë më çfarë humbasin, janë të dëshpëruar. Në vend që tjua zgjidhë ato, u burgos përfaqësuesit. Kjo është dekadencë psikologjike e politike, simbol paniku.

SHKARKO APP