Gjekmarkaj: Për Ramën asnjë emër i denjë, të bëhet vetë edhe President!
Është mbledhur Konferenca e Kryetarëve për të vendosur për seancën e dytë të posaçme për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
Në këtë mbledhje, deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka thënë se për kryeministrin Rama asnjë emër nuk është i denjë për t’u bërë kryetar shteti, ndaj ai ka ironizuar duke thënë që Rama të bëhet vetë edhe President Republike.
Më tej, Gjekmarkaj tha se kreu i ri i shtetit nuk duhet të jetë as i Ramës as i Bersshës as i Metës, por të jetë një person i pranuar nga bota perëndimore.
“Ndoshta në optikën e njeriut që vendos për çdo gjë dhe për çdokënd, askush nuk është i denjë për postin e Presidentit të Republikës, atëherë ne mund të propozojmë që ta bëjë si punë part time, paradite të jetë kryeministër dhe pasdite president Republike, t’i bashkojë dy poste në një. Kjo është një ironi e hidhur e një realiteti ku jetojmë. Besoj shumë që Shqipëria ka nevojë për një President më shumë se sa një njeri i opozitës apo i PS-së. Një president euro-atlantik.
Revokoj këtu të gjithë faktorët politikë shqiptarë që mund të ndikojnë, do të ishte e udhës që secili të bëjë presion që Presidenti i ri të mos jetë as i Ramës, as i Berishës, as i Metës, por të jetë një person me integritet, me statusin e një personi të njohur dhe të pranuar nga bota perëndimore në Shqipëri si investim i rojtarit të demokracisë shqiptare”, tha Gjekmarkaj.