Gjergj Meta: Metafizika e Reformës në Drejtësi
Nga Dom Gjergj Meta
“Ligjet i rrinë drejtësisë, sikurse ekzistenca i rri qenies”, ishte shprehja që profesori im i Filozofisë së të Drejtës, jezuiti Ottavio de Bertolis, në Universitetin Gregorian (Fakulteti i së Drejtës Kanonike), na e përsëriste rëndom, si një refren shungullues përgjatë orëve të lëndës së tij.
Më është sjellë ndërmend shpesh këto kohë shprehja e profesorit tim, duke parë se çfarë po ndodh në rrafshin e ligjshmërisë dhe të drejtësisë në vendin tonë, qysh se dëshira e madhe e një reforme në drejtësi po ndeshet përditë me një sistem paralel paligjshmërie kapilare, në pothuaj të gjitha skutat e shoqërisë shqiptare.
Sfidë e vështirë, herë e dëshiruar, herë e pabesuar, herë të tjera e përçmuar dhe e nënqeshur e jo rrallëherë, pas kuintave, gjithashtu prej ndonjë syresh që ka misionin ta çojë përpara një reformë të tillë. Këto rreshta gjithsesi nuk kanë qëllim të tendosin gishtin tregues ndaj dikujt në veçanti, edhe pse duhet të vihet në pah, jo pa keqardhje, se jemi ende larg një drejtësie ashtu siç e kërkon, jo vetëm zbatimi i ligjeve, por mbi të gjitha, ontologjia që iu krijon shtratin mbi të cilin ato ligje lëvizin (ose flenë).
Kur mendoj shpeshherë për figura të përballjes me paligjshmërinë apo antiligjin, më vijnë ndërmend njerëz si Falcone, Borsellino, Livatino, Don Pino Puglisi, Don Giuseppe Diana e të tjerë, të cilët janë përballur me antiligjin par excellance, d.m.th. me mafien italiane, një ndër shprehjet më të egra të tij, sidomos kur ajo u lidh këmbë e krye me shtetin dhe politikën, duke shkruar në listëpagesat e saj funksionarë e protagonistë të njërës e të tjetrës.
Ata që përmenda më sipër fatkeqësisht përfunduan ose me një plumb në krye ose të hedhur barbarisht në erë. Me të drejtë janë quajtur dhe janë de facto martirë të drejtësisë në një vend ku, për hir të së vërtetës, institucionet e së drejtës janë krijuar më së pari e nuk kanë pasur kurrë një shkëputje. Në një ambient si Italia, ka kuptim të gjesh edhe martirin edhe të korruptuarin, por edhe shenjtin edhe dreqin, përsiatjen mbi themelet e drejtësisë dhe fakultetet ku ajo ka tempujt e vet e “priftërinjtë” e vet.
Po Shqipëria? Pak më shumë se 100 vjet shtet dhe traditë juridike, ajo nuk ka ndonjë trashëgimi historike rreth drejtësisë dhe “punëtorëve” të saj, aq sa të krijojë shkollë mirëfilli juridike. Të vetmet trashëgimi janë ato të monarkisë dhe të regjimit komunist. Janë të vetmet shkolla drejtësie me të cilat mund të krijohet një histori, por që ta thotë mendja se janë të pamjaftueshme.
Kësisoj, një reflektim rreth një ontologjie të ligjeve, rreth pasionit për drejtësinë (ius) si vlerë shpirtërore, përtej ligjit pozitiv (lex), është diçka e largët shekuj dritë nga shkollat dhe vepruesit e së drejtës, përveç rasteve hipotetike individuale.
Përkundër kësaj mungese, “shkolla” e paligjshmërisë dhe e krimit i paraprin pothuaj gjithmonë asaj të ligjshmërisë dhe drejtësisë, pasi e ka një nënshtrat “metafizik”, edhe pse të zvetënuar. Janë lidhjet e gjakut, kodet e pashkruara, pasioni për pasurimin e menjëhershëm, vullneti i pushtetit dhe i sundimit që shprehjen e kanë në dhunën e mirëprogramuar dhe të skajshme që përdoret prej tyre.
Sofistikimi i krimit dhe i korrupsionit është shumë më i mirëmenduar se sa ai i ligjit dhe i drejtësisë. Faktet e tregojnë këtë gjë. Prandaj, kundërvënia ndaj këtij realiteti pervers të krimit dhe korrupsionit ka nevojë jo vetëm për saktësinë e ligjeve, kompetencën e vepruesve të ligjit, por edhe për një pasion të kultivuar për drejtësinë. Motori që lëviz pasionin për drejtësinë, me siguri nuk mësohet (vetëm) në shkolla që përgatisin më së shumti teknikë ligjesh se sa jurisprudencë dhe reflektim rreth saj.
Drejtësia nuk është vetëm një dimension i shtetit, por para së gjithash e mbi të gjitha, një dimension i shpirtit të njeriut. Ajo është një harmoni që mban bashkë çdo dimension tjetër të njeriut dhe të shoqërisë, saqë mund të themi se vetëm njeriu i drejtë është njeriu i virtytshëm dhe vetëm një shoqëri e drejtë është shoqëri e denjë për t’u jetuar. Kësisoj, kuptojmë se nuk është shkolla juridike ajo që edukon me drejtësinë, por ajo farkëton atë prirje të natyrshme, atë përmasë kërkuese brenda strukturës shpirtërore të njeriut.
Ajo nis në familje, në raportet e gjakut e në ato të fqinjësisë dhe të atyre komuniteteve të natyrshme, brenda të cilëve ne vijmë në jetë dhe rritemi. Nuk mund të imponohet nga lart, nëse nuk gjen një shtrat ku të rrijë. Mund të bërtasim ditë-natë kundër SPAK-ut apo KÇK-ve, por në fakt, po bërtasim, si pa e ditur, kundër vetes dhe shurdhërisë që kemi apo symbyllëtisë që tregojmë përreth nesh.
Përderisa ligji do të shihet vetëm si përmasë ndëshkuese, momenti më i lartë i sintezës në dialektikën hegeliane të së drejtës, apo si instrument kundër klasave antiproletare (Marks), me siguri do të kemi një sistem drejtësie negativ.
Kur ligji të shihet, jo si qëllim në vetvete, por si shprehje historike dhe kontekstuale e një drejtësie që buron nga strukturat antropologjike të njeriut, me siguri perspektiva do të ndryshojë. Kur të kuptojmë se fjala “ligji mbi të gjithë” duhet të zëvendësohet me fjalët “personi njerëzor mbi të gjitha”, atëherë do të jemi në udhën e drejtë të një Reforme të njëmendtë në Drejtësi.