Gjiknuri takim me banorët e Sherishtës në Vlorë: Mos bini pre e provokimeve, fitorja e PS do të jetë e thellë

Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me banorë të Sherishtës, pjesë e njësisë administrative Qendër. I pranishëm në këtë takim, deputeti aktual i zonës Fate Velaj, tha se ardhja si kandidat e drejtuesit politik të qarkut në këtë zonë është një mundësi e madhe që edhe ato të cilat gjatë këtyre kohëve nuk arritëm dot ti zgjidhnim, të vihen tashmë në rrugën e zgjidhjes për të mirën e këtij komuniteti të madh të njësisë administrative Qendër.

“Një gjë duhet thënë që në fillim, rruga që kalon këtu është një mundësi e pasuri e madhe që ju dha komunitetit. Unë e mbaj mend edhe rrugën e vjetër dhe tani kjo rrugë është mundësi e mirë edhe për ata që kalojnë drejt fshatrave të Lumit të Vlorës që të ndalojnë edhe në Sherishtë”, u shpreh Velaj.

Duke folur për përspektivën e zhvillimit të fshatit, Gjiknuri u ndal edhe tek investimet madhore që po ndodhin në zonat në afërsi të Sherishtës. “Nga një fshat që ishte si periferi dhe nuk i binte ndërmend njeriu, tani do të jetë afër një nyje të rëndësishme të transportit pasi pak më sipër kryqëzohet bajpasi dhe këtij vjen rruga e Lumit të Vlorës. Do të thotë që interesi për zonën dhe potenciali për zhvillim këtu do të rritet. Por Vlora nuk do të mbetet me kaq pasi ka dhe projekte tjera të mëdha siç është Porti i Jahteve apo Aeroporti. Janë të lidhura gjërat pasi një aeroport do të rrisë shumë investimet në Vlorë, do të bëjë të mundur investime të mëdha në gjithë qytetin dhe zonat përreth”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e deklaratave dhe veprimeve provokative që synojnë të tensionojnë fushatën. “Ne do të vëzhgojmë çdolloj lëvizjeje sepse ata mund të tentojnë edhe të korruptojnë pasi janë në situatë shumë të keqe. Populli i Vlorës e di mirë rrugën e tij. Ai kujton se vlonjatët janë vetëm të pushkës dhe rrokin armët por vlonjatët kanë mend dhe i kanë dhënë mend gjithë Shqipërisë. Nuk ka nevojë të vijë ai të na japë mend. Të dashur vëllezër e motra të mos pranojmë provokime të tilla. Jemi në të drejtën tonë, jam i bindur se ne do të fitojmë ndaj e dua votën në mënyrën më masive për Partinë Socialiste”, këmbënguli Gjiknuri.

SHKARKO APP