Gjirokastër, zgjidhet Komiteti Drejtues i LSI
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi Konventën Zgjedhore të Gjirokastrës. Në këtë konventë u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e ri të LSI Gjirokastër si edhe u zgjodh Komiteti Drejtues i LSI për qarkun Gjirokastër.
Në aktivitet morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Luan Rama, Nënkryetari i LSI-së, Endrit Braimllari, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, znj. Zamira Rami, Ministër i Shtetit për Çështjet Vendore, z. Bledi Çuçi, etj.
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Gjirokastrës z. Vangjel Tavo tha në fjalën e tij në këtë konventë se: “LSI është një forcë progresiste dhe dinamike në çdo aspekt të jetës së vendit. Për më tepër, ajo është institucionalizuar si një standard, një njësi matëse e cila merret si shembull edhe nga partitë e tjera, dhe sikurse e ka treguar vetë mbështetja e madhe e qytetarëve shqiptarë, LSI është aseti më i vyer i politikës në vend, dhe e ardhmja e mbarë vendit”.
Në vijim të fjalës së tij, z. Tavo u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim është familja politike e cila përfaqëson më së miri të gjitha shtresat dhe kategoritë shoqërore. “Është fakt i pakontestueshëm që LSI është partia e rinisë. Tashmë çdo i majtë e i djathtë në mbarë vendin e pranon që LSI është partia e së resë, partia e integrimit dhe partia e së ardhmes. LSI ka në qendër të programit të saj politik rritjen e standardit të jetesës së qytetarit dhe rritjen ekonomike të vendit, zhvillimin e rajoneve, rritjen e punësimeve, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit, dhe integrimin e vendit në BE”, – u shpreh deputeti i LSI-së, z. Vangjel Tavo.
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama theksoi se LSI ka nisur një proces zgjedhor që në thelb është një proces ristrukturimi dhe riformatimit i të gjitha niveleve, i të gjitha strukturave të partisë në funksion të horizontit ku ne duam të mbërrijmë.
“Në funksion të asaj që është e nesërmja evropiane e Shqipërisë Europiane për të cilën edhe është krijuar Lëvizja Socialiste për Integrim. Nuk është e rastit që konventa parë zgjedhore mbahet në qytetin e Gjirokastrës. Krahasuar me disa vite më parë, rritja juaj, forca juaj, produkti, pra rezultati juaj janë spektakolarë, janë shembullorë dhe më lejoni që duke folur sot nga kjo konventë në Gjirokastër të ftojë të gjitha strukturat e LSI-së në mbarë vendit të mësojnë, më arrin shembull dhe të ndjekin shembullin e LSI-së në Gjirokastër”, – theksoi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
Në vijim të fjalës së tij, z. Rama theksoi se jemi përballë sfidash të mëdha dhe LSI ka lindur si sfidë, është rritur si sfidë dhe do vazhdojë më tej si sfidë për të bërë të mundur përshpejtimin e reformave të integrimit evropian të vendit. “Prandaj siç e kemi ndjekur edhe dje edhe në vijimësi, qëndrimi ynë ka qenë konstant, qëndrimi ynë ka qenë në kohezion të plotë me interesin publik, me interesin e qytetarëve, por edhe kohezion të plotë me gjithë qëndrimin e partnerëve tanë ndërkombëtare. Prandaj grupi parlamentar, prandaj deputetët e LSI-së në të gjithë qëndrimin e tyre politik dhe ligj bërës në Kuvend janë orientuar vetëm nga interesi publik, vetëm nga interesi qytetar dhe vetëm nga interesat e vendit”, – tha z. Rama duke nënvizuar se: “Reforma në drejtësi nuk është çështje dëshirash apo interesash, grupi, klanesh, liderësh apo emrash individual. Reforma në drejtësi është detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë dhe do të bëhet për të garantuar standarde evropiane të drejtësisë në këtë vend, për të garantuar shërbim europian të çdo institucioni në këtë vend, por edhe për të garantuar ndëshkim evropian për cilindo që i bie në ndesh ligjit dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve dhe interesave të vendit. Dhe LSI është e vendosur të kontribuojë maksimalisht për të garantuar konsensusin e nevojshëm që të çojmë në një votim unanim të reformës në Kuvend dhe për të dëshmuar para opinionit publik dhe para opinionit ndërkombëtar që ne dimë të bëjmë zgjidhjet më të mira të mundshme në interes të Shqipërisë”.
Në vijim të fjalës së tij, Sekretari i përgjithshëm i LSI-së u shpreh se reformat e mëdha, kanë nevojë për liderë të mëdhenj, kanë nevojë për njerëz vizionarë, kanë nevojë për njerëz të aksionit, për njerëz të veprimit, për njerëz të fjalës së mbajtur dhe të respektit ndaj qytetarëve të cilët duhet të kuptojnë dhe duhet të ndiejnë një herë e mirë që politika është për tu shërbyer atyre dhe jo që politikanët të sillen si padron apo të humbasin logjikën e orientimit e pushtuar nga nervozizmi të mos dinë çfarë thonë.
“Prandaj edhe një herë duke sjell për vëmendje rolin e veçantë, kontributin e veçantë që jep kryetari i LSI në këtë proces të rëndësishëm më lejoni t’ju siguroj që roli i LSI-së do të jetë roli që do ta çojë Shqipërinë në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian të vendit. Reformat janë të pakthyeshme dhe reformat do të kurorëzohen me suksese sepse nuk ka rrugë tjetër zgjidhjeje dhe zgjedhjeje përveç se reformave euuropianizuesve të vendit”,- tha z. Rama.
Duke folur para Konventës së LSI-së degën e Gjirokastrës, Nënkryetari i LSI-së Endrit Braimllari thekso se dega e LSI-së në këtë qytet është për t’u marrë shembull.
“Është kënaqësi për mua dhe është emocion i veçantë që dhe prezantimin e parë si nënkryetar i ri i LSI-së ta bëj këtu para jush, para një ekipi që është shembull për t’u marrë anembanë vendit, para një ekipi të fortë të LSI-së këtu në Gjirokastër. Ju keni sjell shembullin më të mirë të solidaritetit, keni sjell shembullin më të mirë të bashkëpunimit, të tolerancës, të mirëkuptimit dhe jam i bindur dhe kam besim që për këtë gjë ka nevojë edhe Shqipëria. Shqipëria ka nevojë për ritëm. Shqipëria ka nevojë për tolerancën tuaj. Shqipëria ka nevojë për bashkëpunim”,- tha nënkryetari i LSI-së.
Më tej z. Braimllari theksoi se: “Unë jam i bindur se me këto cilësi, me këtë frymë pozitive, ne do të arrijmë që të realizojmë reformat që ka nevojë vendit, por duhet që të sjellim ritëm sepse ne nuk kemi kohë për të humbur. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kohë më për të humbur ndaj duhet të jemi të vendosur, duhet të punojmë shumë për të realizuar objektivat tona dhe për ta çuar Shqipërinë përpara”
Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, njëherësh edhe Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, znj. Zamira Rami theksoi se gjatë 13 viteve, LSI është rritur ndjeshëm dhe se ajo është tashmë forca e ekuilibruese që çdo ditë e më shumë mbledh rreth vetes qytetarë që kanë ide, bindje, pikëpamje dhe interesa të përbashkëta politike.
“Sot në përmbyllje të këtij procesi të gjatë jam e sigurt që secili prej nesh ndihet krenar sepse ishim pjesë e një zhvillimi të rëndësishëm që reflekton demokracinë, që reflekton forcën tonë politike, frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit që ekziston në çdo strukturë tonën. Forca politike që lindi për të plotësuar atë që i mungonte spektrit politik, një parti me frymë europiane, me parime të përcaktuara qartë. Gjatë 13 viteve LSI është rritur ndjeshëm. Ajo është tashmë forca e ekuilibruese që çdo ditë e më shumë mbledh rreth vetes qytetarë që kanë ide, bindje, pikëpamje dhe interesa të përbashkëta politike. Them se ndihem krenare që kam punuar me ju dhe se së bashku kemi dalë fitues në dy sfida tepër të rëndësishme në zgjedhjet parlamentare të 2013-s dhe në zgjedhjet lokale të 2015-s. Fakti që sot jemi kaq shumë është meritë e të gjithëve, ndaj mirënjohja shkon për çdo anëtar që ka dhënë dhe jep kontribute në çdo moment, u shkon çdo të rinjve, mirënjohja është për të gjitha gratë për solidaritetin që kanë përçuar. Mirënjohje dhe falënderime për kryetarët e deritanishëm të degëve të LSI. Falënderim i veçantë shkon për z. Tavo për gjithë përkushtimin dhe mbështetjen që ai jep. Mirënjohje për forumet drejtuese të LSI dhe kryetarit tonë z. Ilir Meta. Ne jemi sot më të shumtë dhe më të fortë për të përballuar çdo sfidë sepse ne kemi një vizion të qartë të kryetarit tonë, z. Ilir Meta”, – shtoi znj. Rami.
Më pas u kalua në procesin e votimit, që shpalli si kryetar të ri të LSI Gjirokastër, z. Krenar Kulla. Në fjalën e tij përshëndetëse z. Kulla tha se duke punuar së bashku arrihet suksesi politik dhe ndihmohet komuniteti me shembullin e bashkëpunimit.
“Ne do krijojmë një frymë ndërtuese dhe jo shkatërruese. Së bashku do e rrisim edhe më shumë numrin e anëtarëve dhe mbështetësve tanë. Së bashku do krijojmë një frymë pune dhe miqësie – dyert e LSI Gjirokastër do jene gjithmonë të hapura për këdo që dëshiron ti bashkohet familjes sonë politike. Askush nuk do jetë i mënjanuar në këtë familje. Mendimet dhe sugjerimet tuaja do vihen në zbatim. Të gjithë do jemi të barabartë dhe do ketë gjithë-përfshirje në çdo aspekt të punës sonë”, – deklaroi z. Kulla.
KOHA JONË SONDAZH

