Gjosha: LSI padi penale për ata që na akuzojnë se kemi paguar të rinjtë protestues

Ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha përmes një deklarate për mediat nga selia bëri me dije se do të ngrihen padi penale për të gjithë ata që akuzojnë LSI-në që kanë paguar të rinjtë protestues. ”Përgjatë 5 ditëve të protestave qytetare, Rilindja është hedhur në sulm për të përbaltur dhe shpifur ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe opozitës se ne paskemi paguar dhe keqpërdorur minorenët për të protestuar dhe për të përdorur dhunë”,-tha Gjosha. Nga ana tjetër, ajo tha se ka ardhur koha që Shqipëria të funksionojë nëpërmjet triumfit të të vërtetës dhe jo shpifjeve dhe ka ardhur koha që Shqipëria të udhëhiqet nga shteti i së drejtës dhe jo nga shteti dhunues policor.

Deklarata e plotë e Klajda Gjoshës

Përshëndetje!

Ndodhem sot në këtë komunikim të drejtëpërdrejtë për shkak të një situate tepër të rëndë që po kalon vendi pas vrasjes makabre të të riut 25 vjeçar, Klodian Rashës. Si nënë, si grua por edhe si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim dëshiroj t’i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes për këtë humbje, që ka brenda dhimbje të jashtëzakonshme, e cila është e pamundur të shuhet por që uroj t’i kthehet në forcë për të përballuar të ardhmen.

Kemi qenë tepër të rezervuar në daljet tona publike, për shkak se kemi respektuar dhimbjen e madhe të familjes së Klodianit, dhe se kemi besuar se çdo retorike politike mund të përkeqësonte revoltën qytetare dhe sjelljen c’njerëzore të kësaj qeverie. Përgjate 5 ditëve të protestave qytetare, Rilindja është hedhur në sulm për të përbaltur dhe shpifur ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe opozitës se ne paskemi paguar dhe keqpërdorur minorenët për të protestuar dhe për të përdorur dhunë.

Sot pushteti dhe Rilindja kërkojnë të mbulojnë vrasjen, dhunën shtetërore, dështimin dhe keq qeverisjen, nëpërmjet shpifjes dhe si gjithmonë gjetjes së fajit të palët e treta. Sot në vend të pendesës dhe mbajtjes së përgjegjësisë, Edi Rama dhe vartësit e tij kërkojnë të dezinformojnë publikun dhe aktorët e tjerë, me qëllim devijimin e të vërtetës dhe realitetit të trishtë që ka pushtuar vendin.

Për këtë arsye LSI ka vendosur të padisë në Prokurori për shpifje dhe dezinformim të gjithë ata që me deklaratat e tyre kanë ushqyer opinionin publik më të pavërteta! LSI beson fort te protestat paqësore qytetare si një mjet i rëndësishëm për demokracinë, si një mjet për t’u dëgjuar por edhe për të kërkuar llogari atyre që abuzojnë me pushtetin duke krijuar mjerim, varfëri dhe sot më shumë se kurrë, pasiguri për jetën. Ka ardhur koha që Shqipëria të funksionojë nëpërmjet triumfit të të vërtetës dhe jo shpifjeve dhe ka ardhur koha që Shqipëria të udhëhiqet nga shteti i së drejtës dhe jo nga shteti dhunues policor.

Shpresoj shumë që kjo padi të shqyrtohet sa më parë nga Drejtësia, në mënyrë të paanshme, që vëmendja t’i rikthehet hetimit të plotë të asaj ç’ka ka ndodhur në këtë vend natën e së henes datës 7 Dhejtor, ku nëpërmjet vrasjes së Klodianit është vrarë çdo shpresë e rinisë dhe çdo sakrificë çdo prindi. Vrasja e Klodianit nuk është çështje partiake është çështje e të gjithë shqiptarëve dhe si e tillë meriton të trajtohet me seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri! Ju Faleminderit!

SHKARKO APP