Gjosha: Reforma, politika të dialogojë sërish për konsensus
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha kërkoi sot që “palët politike të dialogojnë sërish për gjetjen e konsensusit për reformën në drejtësi”.
Ajo ndodhet në Sarandë në sesionin informues për programin ndërkufitar Greqi-Shqipëri, ku iu përgjigj interesimit të gazetarëve për takimin e djeshëm dhe negociatat për reformën në drejtësi.
Gjosha nuk i konsideron të dështuara bisedimet mes palëve, për aq kohë sa ky draft mbetet për t’u votuar në Parlamentin e Shqipërisë.
“Unë them që deri në momentin që ai do të votohet, si qeveria ashtu dhe opozita duhet të shfrytëzojnë çdo moment dhe çdo sekondë për të bërë një kompromis të mundshëm për të kaluar reformën në drejtësi. Këtë do ta quaja me shumë interes në radhë të parë sepse ne i detyrohemi qytetarëve shqiptarë dhe asaj çka ata presin: një Shqipërie më të drejtë ku zbatohet ligji, por nga krahu tjetër ne u detyrohemi atyre për procesin e integrimit dhe reforma në drejtësi është kushti themelor për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Për hir të integrimit ne duhet të shfrytëzojmë çdo moment për të arritur një kompromis”, tha ajo.
E pyetur nëse mungesa e kompromisit pengon procesin e integrimit, Gjosha tha se “pengon procesin e integrimit, pengon ecurinë e këtij procesi për çelejen e negociatave, por mbi të gjitha pengon besimin që ne duhet të fitojmë tek qytetarët tanë”.
“Me këtë në mendje palët duhet të ulen, të dialogojnë sërish të gjejnë kompromisin sepse ende ky draft nuk është votuar. Çdo secondë duhet shfrytëzuar”, tha Ministrja e Integrimit.
KOHA JONË SONDAZH

