Gjosha: Vendimet e Metës nuk duhet të diskutohen në komisione
Ish-ministrja e Integrimit, njëherazi ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha e ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora u shpreh se dekretet e Presidentit Ilir Meta nuk kanë qenë një fortesë për opozitën.
Sipas Gjoshës, dekretet e Metës kanë qenë fortesë për kombin shqiptar dhe vendimet e tij nuk mund të diskutohen në komisione hetimore.
Gazetari: 13 tetori është fortesa e fundit e opozitës dhe çfarë qëndrimi ka LSI për vendimet e Metës?
Gjosha: Dekretet e Presidentit nuk kanë qenë një fortesë për opozitën. Dekretet e Presidentit duhet të kthehen në ligj. Ata duhet të publikohen në fletoren zyrtare dhe më tej të implementohen sikurse çdo ligj tjetër që ka afatet e tyre për tu vënë në jetë. Është për të ardhur keq që e gjithë klasa politike nuk dakordëson, pavarësisht se në vetëvete të gjithë ata e kuptojnë se një dekret i presidenti duhet respektuar nga të gjitha palët. Dekretet e Presidentit kanë qenë një fortesë e madhe për kombin shqiptar, për t’i dhënë një mundësi qytetarëve shqiptarë për të shkuar në zgjedhje dhe për të gjithë klasën politike për t’u kthyer në jetë normale politike. Tashmë gjithçka po funksionon në anormalitet. Madje edhe institucionet shumë prej tyre janë ilegjitime. Dekretet e Presidentit nuk mund të diskutohen në komisione hetimore, as në rezoluta parlamentare, as nga parti të ndryshme politike që mund të kenë dëshirat e tyre, për të komentuar politikisht. Ato diskutohen dhe janë çështje të vetme të Gjykatës Kushtetuese, që sot që flasim nuk është ngritur. Ky është ngërçi më i madh i shkaktuar Shqipërisë.
Gjosha: Komisioni i Venecias vjen nesër, një turp i madh për Shqipërinë
“Një turp i madh për Shqipërinë”, kështu e ka quajtur ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha ardhjen e Komisionit të Venecias nesër në Tiranë.
Gjosha tha se në vend që të diskutohet për zgjidhjen e ngërçeve në vend, me Komisionin e Venecias do të diskutohet për shkarkimin e Presidentit.
Gjosha: Përmendët faktin që Komisioni i Venecias vjen nesër. Për mua është një turp i madh për Shqipërinë, sepse në vend që ne të diskutojmë zgjidhjen e këtyre ngërçeve, tejkalimin e të gjithë krizës politike, institucionale që ka vendi, ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, ngritjes së Gjykatës së Lartë, se janë mijëra çështje që presin duke shkelur kështu edhe të drejtat e njeriut, për të pasur një vendim për çështjet që ato mbartin mbi supe.
Ata kanë vite që qëndrojnë në dyert e Gjykatave shqiptare dhe sot e kësaj dite nuk shqyrtohen. Ky është problemi më i madh që ne sot kemi, për të diskutuar me Komisionin e Venecias që ka mbajtur edhe flamurin e Reformës në Drejtësi, apo të rekomandimeve që ato kanë dhënë.
Çfarë diskutojmë?
Diskutojmë me ta a do ta shkarkojmë Presidentin e Republikës apo jo. Një vend që kërkon të çelë negociatat, që ka çështje dhe sfida shumë herë më të mëdha, ekonomike në radhë të parë, pastaj të diskutojmë për gjithë pjesën tjetër të ngërçit apo krizës politike. Ne sot vihemi përballë një diskutimi nëse Presidenti i Republikës ka të drejtën të dekretojë, apo të nxjerrë një dekret që hedh poshtë dekretin e tij të parë, që është plotësisht në të drejtën e tij kushtetuese, pavarësisht interpretimeve politike.
KOHA JONË SONDAZH

