Gjykata e Lartë më 27 shkurt shqyrton kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë
Më 27 shkurt, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë rekursin e paraqitur nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar, me akuzat e ngritura nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kërkesa e Metës synon ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë, duke argumentuar ndër të tjera edhe rolin e tij si drejtues i forcës së dytë opozitare në vend, në një moment kyç për politikën shqiptare, përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Gjyqtarët e caktuar për shqyrtimin e çështjes janë Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, të cilët do të vendosin jo vetëm për rekursin e ish-presidentit, por edhe për atë të deputetes Monika Kryemadhi. Kjo e fundit, ndaj së cilës është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ka kundërshtuar vendimin duke e konsideruar atë të paligjshëm dhe të pabazuar në prova të mjaftueshme.
Meta vazhdon të mbahet në paraburgimin “Jordan Misja” në Tiranë, i njohur ndryshe si burgu 313, pasi si Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ashtu edhe ajo e Apelit, kanë refuzuar kërkesat e tij për një masë më të lehtë sigurie. Akuzat ndaj tij lidhen me dosjet e bashkuara CEZ-DIA, lobimet e ish-LSI në Shtetet e Bashkuara dhe shpenzimet e familjes së tij.
Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet me interes të madh, duke qenë se mund të ndikojë në dinamikën politike përpara zgjedhjeve të majit, si dhe në perceptimin publik mbi ecurinë e proceseve gjyqësore ndaj figurave të larta politike në vend.
AV
KOHA JONË SONDAZH

