Gjykata Kushtetuese dhe pensionet e ushtarakëve, dy premtimet e mbajtura të kryeparlamentarit Ruçi
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka shumë arsye të jetë i kënaqur në mbyllje të këtij sesioni parlamentar. Numri i akteve ligjore të miratuara e kalon atë të një sesioni normal. Pavarësisht vështirësive, ia ka arritur të garantojë funksionimin e Kuvendit, edhe pse me komisionet online. Nevoja për të miratuar ligjet e Republikës e ka detyruar t’i mbajë deputetet “në rrjesht” në seanca plenare, natyrisht me masa të forta mbrojtëse. Madje, për transparencën e veprimtarisë parlamentare ka marrë edhe një vlerësim të bujshëm nga OSBE/ODIHR që në verë të këtij viti.
“Parlamenti i Shqipërisë ishte një ndër të parët që lejoi komisionet të punonin në distancë, përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Në lidhje me transparencën e punës parlamentare, në një sërë shtetesh pjesëmarrëse janë regjistruar praktika të mira në përdorimin e krizës aktuale për të shtuar qasjen në informacion dhe të dhëna të hapura. Në Shqipëri, për shembull, vendimi për të lejuar zhvillimin në distancë të mbledhjeve të komisioneve, duke përdorur platforma videokonference, ka mundësuar që transmetimi live i këtyre mbledhjeve të jetë i arritshëm për publikun e gjerë”, shkruhet midis të tjerash në raportin e OSBE/ODIHR “Dimensioni Human i OSBE dhe përgjigjet shtetërore ndaj pandemisë Covid-19”, i publikuar në korrik 2020.
Por suksesi më i madh i politik, madje me rëndësi kombëtare e strategjike, i Gramoz Ruçit si kryeparlamentar në këtë sesion është zgjedhja nga Kuvendi e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Të gjithëve u kujtohet sesi në 6 shtator, Ruçi lëshoi bombën: “Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna. Institucionet e përfshira në këtë proces t’i bëjnë mirë hesapet me Kuvendin e Shqipërisë!” Ishte ky premtimi dhe paraljamërimi që bëri Gramoz Ruçi, në fjalimin e hapjes së sezonit të ri parlamentar. Premtim që e entusiazmoi Ambasadorën e ShBA, Yuri Kim, e cila artikuloi mjaft lëvdata për Ruçin. Kim ka qënë shumë e prerë dhe shumë e vendosur për bërjen funksionale të Kushtetueses brenda dhjetorit. Kam premtimin e Gramoz Ruçit, ka përsëritur disa herë Ambasadorja Kim. Dhe Ruçi, në fakt, e mbajti premtimin. Më 17 dhjetor, madje më shpejt sesa mendohej, në kundërshtim me të gjitha pritshmëritë, Kuvendi votoi anëtarin e vet për Gjykatën Kushtetuese, Altin Binaj. Ky është një sukses politik, sukses kombëtar, por edhe sukses personal i Gramoz Ruçit. Burime nga Kuvendi i Shqipërisë pohojnë se Ruçi nuk kishte lenë asnjë hapësire për ndonjë plan B për shtyrjen e Kushtetueses. Të gjithëve u kujtohet letra që i nisi KED, një letër korrekte, por që kishte brenda edhe paralajmërimin institucional se Kryetari i Kuvendit nuk do të toleronte zvarritjet. Dhe nuk i toleroi. Madje bashkëpunoi edhe me Presidentin Ilir Meta, me të cilin maxhoranca ishte në luftë. Më 30 qershor Ruçi i shkoi Metës në zyrë për të rakorduar për Kushtetuesen, Dhe duket se dy bashkëpunëtorët e vjetër, për një çështje madhore të Shqipërisë, e gjetën gjuhën.
Suksesi tjetër, i cili mund të quhet më shumë një arritje personale e Gramoz Ruçit, është ligji për pensionet e parakohshme të ushtarakëve. Në një letër të gjatë, para disa muajsh, shoqatat e ushtarakëve i kujtonin Ruçit premtimin që ua kishte bërë ballë për ballë se ne nuk do t’i lemë ushtarakët të sorollaten gjykatave për të siguruar të drejtat e tyre të pensioneve të përakohshme, por do të garantojmë zgjidhje ligjore. Dhe Ruçi u duk se vonoi, por nuk harroi. Me një nismë ligjore personale, si depuet, e detyroi Qeverinë të gjejë një zgjidhje ligjore për mbi 9 mijë ushtarakë që vendimet kontradiktore të gjykatave i sorrollatnin nga një derë në tjetrën. Edhe kjo nismë u miratua më 17 dhjetor.
Të paktën me këto dy arritje Gramoz Ruçi e tregoi veten edhe njëherë si një politikan serioz e korrekt dhe kryeparlamentar i premtimeve të mbajtura. /SP/