Gjykatat mbyllin dyert, masa ekstreme për të burgosurit
Sistemi i Drejtësisë në vend ka marrë masa ekstreme ndaj situatës së koronavirusit në vend. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka urdhëruar ndërprerjen e shërbimeve gjyqësore në vend, kjo si një masë parandaluese dhe për ruajtjen e shëndetit të stafit gjyqësorë. Pezullimi sipas pikës 2 nuk do të prek shërbimet gjyqësore me natyrë të ngutshme, të cilat do të zhvillohen të gjitha por pa praninë e publikut.
Seancat e vlerësimit të masave të sigurisë përjashtohen nga pezullimi, por me kushtin që mos ketë publik përfshirë edhe median. Edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi masat për ndërprerjen e pranisë së publikut pranë këtij institucioni për të kryer denoncimet e tyre. Denoncimet do të bëhen vetëm me postë ose nëpërmjet internetit, masë të cilën e pasoi edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur që të pezullojë të gjitha takimet e familjarëve me të burgosurit dhe të paraburgosurit. Gjatë periudhës së pezullimit, burgjet do të furnizojnë nga ana e tyre të burgosurit me ushqime dhe produkte të tjera të nevojshme. Në shtetin fqinj, Italinë, ku virusi po përhapet me shpejtësi qeveria ndaloi takimet me familjarët për të burgosurit, çka shkaktoi revolta në të gjitha burgjet. Pati përleshje me policinë, tentativa për arratisje por edhe të vdekur në radhët e të burgosurve.