Greqia shqetësohet për pronat e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, reagon Tirana: Mos ndërhyni në punët tona
Pak ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Tiranë, Nikos Kotzias rikthehen përplasjet mes Athinës dhe Tiranës. Kësaj here bëhet fjalë për çështjen e pronave të Kishës Ortodokse Autqefale të Shqipërisë.
Së fundi kjo çështje është përmendur nga ministri Kotzias gjatë një interpelance të tij në Kuvend, të thirrur nga deputetit i Demokracisë së Re, Theodoros Karaoglou për pronat e minoritetit grek në Shqipëri. Kotzias ka thënë se “interesi i Greqisë është fokusuar veçanërisht në diasporën tonë dhe të drejtat e pronës së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Por pas kësaj ka reaguar Ministria e Jashtme e Shqipërisë përmes një deklarate, ku kritikon qëndrimin grek sa herë flitet për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Më poshtë deklarata e plotë e MPJ.
Reagim i zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Glevin Dervishi në përgjigje të interesimit të medias mbi deklaratat e Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë
Vëmë re sërish me habi se si problemet juridike pronësore në Shqipëri kthehen në pretekst për të përligjur ndërhyrje në çështje krejt të brendshme të Shtetit shqiptar.
Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare, përveç se frut i mundimeve të panumërta të besimtarëve shqiptarë në breza, është kanonikisht rezultat i qenësisë së një shteti të pavarur dhe sovran shqiptar, në bazë të parimit të kahershëm “Kishë e lirë në Shtet të lirë”.
Këtë autoqefali, të njohur botërisht, të ri konfirmuar në përkatësinë e saj shqiptare nga Shenjtëria e Tij Patriarku Bartolome I-rë, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Fanar, e shohim të shpaloset sot lirshëm karshi kishave simotra në Koncilin Panortodoks të Kretës.
Për pasojë, sa herë që Shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e Shtetit shqiptar, ndërhyn në punët e brendshme të Shtetit shqiptar.
Cështjet juridike pronësore ende të pazgjidhura të Kishës autoqefale shqiptare janë në trajtim të vazhdueshëm dhe do të shqyrtohen në bazë të ligjit dhe në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Çështja e rikthimit të pronave në Shqipëri, është një proces që prek shtetasit shqiptarë pa dallim etnie, feje apo kombësie.
Republika e Shqipërisë ka një angazhim të përhershëm për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, pjesë përbërëse e të cilave janë dhe të drejtat e pakicave. Vendi ynë është palë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve, e cila përbën dokumentin më të plotë ligjor në planin ndërkombëtar për garantimin e të gjitha të drejtave të minoriteteve. Gjithsesi, Shqipëria mbetet e hapur për t’iu referuar çdo praktike pozitive në funksion të përmirësimit më tej të standardeve në këtë fushë.
KOHA JONË SONDAZH

