Grupi Bardhi-Berisha dhe Basha ”bashkohen” kundër Amnistisë Penale! Ku do ti gjejë PS-ja 84 vota?
Mbledhja e grupit parlamentar të PD-së së Rithemelimit, ka vendosur që të bllokojë edhe nesër seancën e Parlamentit ku është parashikuar të votohet marrëveshja me Italinë për emigrantët, ligji për zonat e mbrojtura dhe amnistia penale.
Në lidhje me amnistinë, grupi i PD ka sqaruar se në parim janë pro amnistisë, por në situatën ku ndodhet parlamenti, grupi i PD-së nuk përfshihet as në diskutime e as në procesin e votimit. Një ditë pas protestës deputetët vendosën të dalin në bazë dhe mësohet se Flamur Noka dhe Gazment Bardhi do të nisin së shpejti një tur në të gjitha degët e PD.
Lulzim Basha bën me dije se ai dhe grupi i tij me deputetë, nuk do të votojnë në seancën e nesërme projektligjin për Amnistinë Penale. Ai tha se nuk është pranuar kërkesa për amnistinë e protestuesve të opozitës. Ky vendim i Bashës erdhi pasi PS refuzoi të falë protestuesit të cilët akuzohen për goditje të punonjësve të policisë, për përdorim të molotëve, që në fakt përfshin të gjithë protestuesit e PD.
Deputeti i PD-së së Rithemelimit, Bledion Nallbati ka reaguar për amnistinë penale, pas qëndrimit që sot mbajti Lulzim basha. Ai thotë se nuk kam propozuar asnjë amendament që synon apo parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar, që janë dënuar apo gjykuar nga GJKKO.
”Çdo mekanizëm, çdo keqinformim apo keqpërdorim, çdo tentativë e mazhorancës duke dezinformuar edhe median është e papranueshme dhe nxjerr në pah se amnistia e propozuar prej tyre nuk ka qellim të përfshijë shtresat që kanë nevojë por synon të përdoret si mburojë për zyrtarët e korruptuar”,-thotë deputeti.