Hajredin Fratari: Arrestimi im me urdhër nga lart, do e çoj çështjen në Strasburg
Ai thotë se urdhëri për arrestimin e tij është dhënë nga dikush në qeveri, dhe akuzon pikërisht Tahirin.
Ai thotë se për tre ditë është mbajtur në mjediset e paraburgimit në shkelje të plotë të ligjeve të vendit dhe të Drejtave Themelore të Njeriut.
Për këtë arsye Fratari shkruan se do e çojë këtë çështje në Gjykatën e Strasburgut.
“Për të gjithë ata që nuk më njohin, dëshiroj të theksoj se kjo nuk është padrejtësia dhe vuajtja e parë dhe as më e madhja që personit dhe familjes sime u janë shkaktuar ndër vite.
Në vitin 1979 jam arrestuar dhe dënuar me 20 vite burg, sipas nenit famëkeq të agjitacion-propagandës, për të vetmen arsye pse isha pasardhës i njërës prej familjeve më patriote dhe bir i një babai që kundërshtoi terrorin stalinist.
Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, ju dedikova me përkushtim, me korrektesë dhe me ndershmëri pasionit tim të hershëm të ndërtimit. Sipërmarrjen time e kam ngritur vetëm me djersën e ballit dhe me punën e ndershme, nuk i kam rënë asnjëherë askujt në qafë dhe nuk kam shkelur asnjëherë asnjë ligj, asnjë rregull të shtetit dhe të vendit tim.
Por kjo nuk i ndaloi të vepronin ata që organizuan skenarin e fundit ndaj meje.
Fatkeqësisht pas njëzet e dy vitesh demokraci, familja ime dhe unë personalisht përjetuam sërish një dramë të rëndë.
Një dramë që na risolli ndër mend persekutimet dhe vuajtjet që kanë ndjekur fatin e familjes Fratari, së cilës i është dashur të përballet kohë mbas kohe me mllefin haxhiqamilist, me dhunën dhe me persekutimin hoxhist dhe, tashmë, edhe me hakmarrjen personale”, shkruan ai.
Më tej Fratari sqaron edhe arrestimin e tij:
“Më datë 24 tetor 2014, në orën 10: 15 një punëtor më sjell në zyrë urdhërin nga INUK për pezullim 10-ditor punimesh të objektit që po ndërtoj.
Një orë përpara, policia kishte shkuar në objekt dhe kishte nëpërkëmbur katër punëtorë me preteksin e kontrollit. Punëtorët që ruanin objektin dhe merreshin me pastrim e me sistemim materialesh më pas u shoqëruan në polici.
Ndërkohë mua më kërkuan të paraqitesha në Postën e Policisë Farkë ku pa asnjë mandat më vunë direkt prangat. Nuk u mjaftuan me kaq por më bënë edhe një xhiro me pranga përpara atyre që ishin grumbulluar. Pa kundërshtuar hypa në makinën e policisë. Kur i pyeta pse po më arrestojnë m’u përgjigjën shkurt e prerë: “Je i arrestuar”.
Ai thotë se pallati për të cilin akuzohet, është ndërtuar me leje të rregullt nga Komuna Farkë.