Halim Kosova: Bashkia duhet të promovojë qytetin
Kandidati i PD për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, ka zhvilluar një takim sot pasdite me banorë, artistë dhe pedagogë në zonën pedonale në kryeqytet. Kosova e vuri theksin te rëndësia e turizmit për Tiranën. Doktor Halimi tha se “Bashkia duhet ta promovojë qytetin” dhe se për këtë duhet “një bashkëpunim i vazhdueshëm me grupet e interesit”. Kosova tha se ka një plan të qartë për Tiranën dhe shpjegoi strategjinë e tij për të aktivizuar një tur me biçikleta rreht e përqark kryeqytetit, për të tërhequr sa më shumë turistë të huaj dhe vendas në Tiranë. Kosova tha se “Nuk kam humbur asnjë sekondë për të gjetur faje në karrierën time, por t’i përvishemi punës për të përfituar kohën e humbur.” Sa për kulturën, Kosova tha se artistëve i duhen dhënë hapësira falas, në mënyrë që ata të promovojnë dhe të vënë në praktikë idetë e tyre, në një qendër të posaçme. Kandidati demokrat premtoi se një gjë e tillë do të realizohet në një zonë të lënë pas dore, e cila do të rigjallërohet.