Halimi: Ju rrëfej simbolikën e mesazhit ndaj Ballës

Flet për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së, Arbjola Halimi: Ka tension te deputetët e PD, nëse do të jenë apo jo në lista

Intervistoi: Redjon Shtylla

Deputetja e Partisë Demokratike, Arbjola Halimi, gjatë kësaj javë në një postim në Facebook, përdori një gjuhë me tone të rënda, ndaj deputetit Taulant Balla. Një deklaratë e ardhur nga një deputete femër, e cila nga shumë u përkrah e në të njëjtën kohë u kundërshtua.  Në një intervistë për “Koha Jonë”, Halimi shpjegon domethënien e atij mesazhi. Sipas saj mesazhi nuk ishte thirrje për dhunë. Deputetja  pranon se është një gjuhë agresive, por që, “aq agresive sa mund të duket thirrja ime në fakt qëllimin e ka pasur të kundërt për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij lloj enverizmi që mua më trondit pa masë në Shqipërinë e sotme”. E ndërsa për tensionet e fundit në selinë blu, lidhur me listat e ardhshme, deputetja shprehet se:”Nuk mund ta mohoj që ka një lloj tensioni te deputetët nëse do të jenë apo jo në lista”.

Znj.Halimi, keni mbajtur qëndrime të forta politike, shpesh me deklarata që nuk jemi mësuar t’i dëgjojmë sidomos nga deputete femra. E fundit është ajo për z.Balla, tërheqja zvarrë. I qëndroni ende një aleance të tillë, pasi në idenë e publikut, një deklaratë e tillë më gjuhë të ashpër që bëhet nga një ligjvënëse e Parlamentit, nuk është pozitive?

Së pari ju falënderoj për intervistën dhe mundësinë që më dhatë të shprehem për të sqaruar qëndrimet e mia kundrejt lexueshmërisë mediatike të tyre. Referuar sa më sipër dua të citoj se kam qenë koshiente që kjo është një deklaratë shumë e fortë dhe e ashpër e që do të ngjallte shumë reagime, por unë nuk u ndala. Në pamje të parë kur e lexon mesazhin tim më duhet ta pranoj se duket e interpretohet si një nxitje për dhunë gjë për të cilën as jam e as kam qenë ndonjëherë dakort në jetën time. Kjo, nëse e zhvesh atë nga konteksti në të cilin e kam përdorur sikurse mjaft media nxituan të bëjnë. Në fakt nëse e sheh pak në mënyrë më analitike e tërësore deklarata ime nuk është një nxitje për dhunë, por një thirrje për t’i dhënë fund asaj. Askush nuk u mor me agresivitetin e z.Balla. Kujtoj se gjuha e përdorur, fjalët, tonaliteti dhe ashpërsia e zërit janë po aq agresivitet sa edhe një sulm fizik (për të cilin gjithashtu nuk kam bërë thirrje, e sqaroj më poshtë) po më këtë nuk merret kush. Prej kohësh që sa kam deputete, por edhe më parë z.Balla është mishërim i agresivitetit që përdhos edhe dhunon prej kohësh Kuvendin dhe marrëdhëniet midis kolegëve me qëndrimet e tij kokë e këmbë enveriste e totalitare. Mua kjo më indinjon pa masë. Theksoj se unë e mjaft kolegë të opozitës ndajmë marrëdhënie shumë të mira me shumë deputetë të maxhorancës me të cilët na ndan retorika politike dhe idetë e kundërta, por jo njerëzorja. Kjo e fundit mungon fund e krye tek ky deputet po aq sa edhe tek udhëheqësi i tij, i cili jo pak herë dhunon deputetët e opozitës me shprehje e fraza po aq agresive si “dele”, “pula”, “kujdes se mos vritesh se do të dalë ndonjë gjë poshtë aty ku ulesh” (ju kërkoj ndjesë lexuesve që më duhet ti përmend). Për ta konkluduar sqarimin dua të theksoj se për aq agresive sa mund të duket thirrja ime në fakt qëllimin e ka pasur të kundërt për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij lloj enverizmi që mua më trondit pa masë në Shqipërinë e sotme. Jo pa qëllim kam përdorur edhe të njëjtën simbolikë në shprehjen time sikurse 26 vjet më parë shqiptarët tërhoqën zvarrë bustin e diktatorit jo sepse ishin të marrë e agresivë, por se ai ishte personifikim i ligësisë dhe dhunimit që i kishte bërë atyre dhe vendit. Ky kërkon ta ringjallë me të njëjtat qëndrime. Unë këtë nuk mund ta pranoj edhe nëse më këtë marr kosto. Theksoj edhe njëherë thirrja ime është për ta frenuar dhunën totalitare që po rilind sot jo ta nxit atë. Unë jam një njohëse e mirë e pasojave të dhunës po aq sa edhe të pasojave të nxitjes për shkak të profesionit tim. Kam punuar me mjaft raste të viktimave të dhunës por ka vetëm një moment kur agresiviteti është i pranuar shkencërisht, humanisht, moralisht, e ligjërisht, atëherë kur ti dhunohesh, për tu vetëmbrojtur dhe se është po aq patologjike të mos mbrohesh (me mbrojtje nënkuptoj gjetjen e strategjive e jo sulmet fizike). Kam parë se si këto viktima bëheshin edhe më viktima atëherë kur fuqitë e tyre të mbrojtjes vdesin dukë i lënë dorë e hapësirë dhunuesit. Me këtë unë nuk po them që ti përgjigjesh sulmit me sulm pasi kjo është jo etike, jo njerëzore por kur forca e argumentit, e gjuhës, e dialogut, e komunikimit njerëzor nuk depërton tek qenia ajo që unë kam thënë është që të nxirret jashtë prej aty se po na kërcënon e dhunon të gjithëve. Të nxirret jashtë nga ambientet e Kuvendit pasi nuk është i denjë të jetë aty. Këtë kam thënë dhe asnjëherë sikurse nxituan disa gazetarë e opinionistë se kam kërcënuar me jetë apo se kam bërë thirrje për ta dhunuar fizikisht. Deklarata ime ishte në ashpërsinë e vetë që ky njeri të nxirret jashtë nga Kuvendi. Të mos jetë më aty se nuk e meriton. Madje, nga gjithë jeta politike nëse është e mundur. Është një model i keq. Dhunues dhe i dhunshëm.

Në postimet e juaja në rrjete sociale, gjuha ndaj z.Balla nuk është aq dashamirëse. Besoni se mesazhe që kanë përmbajtje kërcënimi si ajo e fundit, mund të sjellin një resto negative për opozitën?

Kërcënimi i madh i këtij vendi të siguroj që nuk jam unë e as shprehjet e mia, por kriminaliteti në të cilin është pushtuar vendi. E theksoj Kriminaliteti. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë më kërcënuese se sa krimi. Këtë po përpiqet të luftojë opozita apo PD e sigurisht që, kjo është një sfidë e vështirë pasi nuk është e lehtë të përballesh me kriminelë të veshur me pushtet. Për aq kohë që edhe qëllimi në deklaratat e mia është në koherencë me këtë qëndrim nuk mendoj se përbëj ndonjë resto negative për PD.

Cili është roli i PD në raportin e Shqipërisë me BE? A nuk mendoni se me qëndrimet e saja, PD-ja po bllokon negociatat, sidomos me deklarata se Vetingu u përkthye gabim?

Ky është një spekulim mediatik. Në vetëdijen e çdo demokrati por edhe çdo shqiptari besoj dihet që PD ka në thelb të ekzistencës së saj prirjen për ta bërë Shqipërinë Europiane. Kush përpiqet të spekulojë me këtë del i humbur.

Tashmë që Venecia foli dhe deklaroi që Vetingu është në rregull, maxhoranca ka theksuar se selia blu i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të vijojë të shqyrtojë ligjin sipas kërkesave të PD-së, ku kërkesa bazë është rrëzimi i Ligjit? Nga ajo që keni parë,  duket sikur  PD-ja ka një gatishmërinë për ta vonuar procesin e anëtarësimit?

Po të citoj se çfarë ka thënë Komisioni i Venecias e që nuk është aspak interpretimi që citoni ju në pyetjen tuaj. Komisioni ka thënë shprehimisht: “Konkluzioni kryesor për KV është që grupi i punës i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë nën dispozicion të tyre”. Ky konkluzion është konfirmues i qëndrimit të PD se vetingu duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit e asnjëherë nga institucionet qeveritare. Përcaktimin nëse organet kushtetuese të rivlerësimit kanë ose jo kontrollin e plotë mbi organet qeveritare e bën Gjykata Kushtetuese. Ky është opinion i KV. Gjithçka në përputhje me qëndrimin e PD-së.

Zgjedhjet po afrojnë, ku listat në PD përflitet që riaktivizojnë klanet e vjetra dhe të reja. Për ju cila është perspektivë politike që mbështesni për ardhmen në pushtet të PD-së?

Nuk mund ta mohoj që ka një lloj tensioni te deputetët nëse do të jenë apo jo në lista. Kjo vlen për të gjitha partitë, por është një tension i butë, i pranueshëm. Deri më tani nuk kam parë asgjë qëndrim extrem apo përplasje dhe besoj se do të jetë kështu deri në fund. Jam dakort me deklaratat e kryetarit që të afrohen të rinjtë në varësi të kontributit dhe potencialeve, vlerave që ofrojnë. Gjithashtu, mund të them se një pjesë e deputetëve aktualë në PD janë në fakt deputetë të rinj, por që as kontributi i të vjetërve nuk duhet mohuar. Ndërsa për vlerat absolute të PD nuk kam koment pasi do të mbeten gjithnjë vlerat absolute të saj.

Në mbledhjet e grupit, kritikat e vazhdueshme ndaj mënyrës së drejtimit të partisë nuk mungojnë, ku dhe kolegët tuaj shpesh gjykojnë vendimet e z.Basha. A ka në selinë blu të pakënaqur me kreun e PD-së dhe pse ndodhin këto kritika?

Nuk është e vërtetë që në mbledhjen e grupit ka kritika të vazhdueshme. Edhe ky është një tjetër spekulim. Në mbledhje ne zhvillojmë gjithnjë diskutime, pyetemi, dëgjohemi dhe gjithnjë vendimi është i mirëkonsultuar. Personalisht nuk kam asnjë pakënaqësi madje mendoj se jam ndjerë e dëgjuar. Kaq më mjafton. Nëse ka të pakënaqur unë nuk di tua them pasi në perceptimin tim nuk më rezulton përpos ndonjë kritike të zbehtë.

Si e keni parë veten tuaj në raport me të ardhmen në PD, do ketë edhe në mandat të dytë, edhe pse kjo nuk varet nga ju?

Do tua them me sinqeritetin më të madh se ajo që më ka bërë të ndihem edhe më komode në pozicionin tim është se asnjëherë gjatë kohës që jam deputete nuk jam shqetësuar për mandatin tim të dytë. Nuk e kam menduar fare. Nuk e kam pasur si shqetësim pasi nuk është se e kisha menduar dhe të parin. Kam zgjedhur vetë të mos e mendoj se çfarë mund të bëhet. Kjo më ka ndihmuar shumë për të qenë e lirshme në qëndrimet e mia por u siguroj që edhe kolegët e mi kanë mbajtur të njëjta qëndrime konstruktive pavarësisht mendimeve apo gjykimeve se do të jenë ose jo në lista. Fundja ky nuk është interesi themelor për ne. Interesi themelor është mirëqenia e vendit dhe vazhdimësi e forcimi i PD.

Keni kritikuar kolegët tuaj, qoftë dhe nëpërmjet rrjeteve sociale. E shihni të nevojshme dhe të duhur këtë situatë apo janë mënyra për të tërhequr vëmendje, duke qenë se jeni afër zgjedhjeve parlamentare?

Përgjithësisht nuk më pëlqen të tërheq vëmendjen. Aq më tepër me skenarë të përllogaritur. Ju siguroj që nuk e kam fare në natyrë të fitojë kredo politike në këtë mënyrë plus që vëmendja sidomos ajo mediatike nuk më ka munguar. Kaq sa është më mjafton. Në fund të fundit duhet të tërheqësh vëmendjen atëherë kur ke gjëra të rëndësishme për të thënë. Përjashtuar nga ky rregull gjithsesi dhe duke parë problemin që kanë mediat për të rendur drejt skandalit dhe jo gjithnjë problemeve të qenësishme që mund të ketë ne popull, e më duhet të pranoj se për ta bërë mediatik problemin e ngritur e kam bërë edhe ndonjë reng, por të pranueshëm.

SHKARKO APP