Halimi: Ndryshimet duhet të kalojnë në Kushtetuese

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, i ftuar në SYRI TV, komentoi për moderatoren Juli Krisafi situatën e krijuar në vend pas vendimit të njëanshëm të qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën.

“Asnjëherë Kushtetuta nuk është ndryshuar pa një konsensus të plotë mes opozitës dhe qeverisë”.

“Për një çështje kaq të mprehtë, jo vetëm Shqipëria, por në çdo demokraci, në rast se qeveria i bën këto ndryshime në mënyrë të njëanshme, vendi rrëshqet drejt një autoritarizmi total,” tha ai.

Sipas Halimit, çështja e sistemit “ka të bëjë thelbësisht me qeverisjen e vendit dhe se si populli do të zgjedhë qeverinë e re”.

Ai insistoi se problemi i madh në Shqipëri është mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

“Ndryshimet duhet të kalojnë në Kushtetuese,” tha ai se ato duhen konfirmuar pasi ndryshimet shkojnë përtej një mandati dhe se ndryshimi i sistemit duhet bërë me konsensus. “Në mungesë të Kushtetueses, referendumi mund të ishte një rrugëdalje”.

“Nëse do kishim Gjykatë Kushtetuese, nuk do të kishim krizë politike,” tha Halimi, duke theksuar se një nga vendimet e rëndësishme që do merrej, do ishte ai për ligjshmërinë e 30 qershorit.

“Jo vetëm që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, por as nuk e dimë se kur do të krijohet. Reforma në drejtësi është një kaos total dhe nuk ka dritë në fund të tunelit,” tha Halimi.

SHKARKO APP