Halimi: Tejkalim i kompetencave’ nuk ekziston, presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje
Ish-ministri i Drejtësisë dhe njohësi i Kushtetutës, Eduard Halimi ka komentuar opinionin paraprak të Komisionit të Venecias, në një intervistë për Syri.net. Sipas tij, “tejkalim i kompetencës” nuk ekziston, ndërsa shton se opinioni i Komisionit të Venecias nuk e thotë në asnjë paragraf të sajin se, cilin nen apo paragraf të Kushtetutës ka shkelur presidenti i Republikës Ilir Meta.
“Termi tejkalim nuk njihet nga Kushtetuta. Në fjalorin shqip shqip, ka të bëjë me tejkalim shpejtësie, apo ti marrësh kompetencat dikujt tjetër. Sipas Kushtetutës, i vetmi institucion, është presidenti.
Shkelje, në bazë[ të fjalorit, do të thotë të dhunosh një nen apo paragraf të Kushtetutës. Nga ajo që kam lexuar unë, nuk gjej një cilësim të tillë, që presidenti i Republikës, me shtyrjen me 100 ditë të zgjedhjeve të ketë shkelur një nen apo paragraf të Kushtetutës. Për sa kohë nuk kemi shkelje, nuk mund të flasim për shkelje të vogël apo të madhe”, shprehet Halimi.
Sipas Halimit, Komisioni i Venecias nuk e ka në tagrin e saj të gjykojë zgjedhjet e 30 qershorit, apo zgjedhje të tjera. Sipas tij, kjo është detyrë e OSBE-ODIHR. /SYRI.net