Hapet kantieri më i madh i rindërtimit! Rama: Hapësirë cilësisht të re për 11 mijë banorë
Këtë të premte është hapur kantieri më i madh i rindërtimit në Tiranë. I shoqëruar nga kryetari i Bashkisës së Tiranës dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, kryeministri Edi Rama ka prezantuar punën, teksa nuk i ka ndalur thumbat për kundërshtarët e tij.
“Çdo krizë është një mundësi e madhe, nëse populli thotë të këqijat nuk vijnë vetëm për keq, kjo ishte një e keqe shumë e madhe, për ata familje që humbën të afërmit, pastaj për ata që humbën strehë, por e mira në këtë të keqe është që së bashku, ne po ngrohemi më lart se ç’ishim para se të ndodhte kjo tragjedi dhe Tirana, Durrësi dhe zonat e tjera pas rindërtimit do të jenë vende më të mira se ç’ishin për njerëzit. Kjo zonë mbase do ishte prekur për t’u ngritur më pas 30 vitesh kur të krijoheshin mundësitë ndërkohë që ne e prekim këtë zonë sot me ambicien që mbi këto rrënoja apo ngrehina kaotike, të ndërtojmë në pak vite një qendër të re të Tiranës, në adresë të re për Tiranën që duam dhe një hapësirë cilësisht të re për plot 11 mijë banorë. 11 mijë banorë të vjetër dhe të rinj që do të jetojnë jo si një periferi të largët dhe me shumë mungesa të këtij kryeqyteti që zhvillohet, por që do kohën e saj, por si një zonë ku do të jetë kënaqësi të jetosh dhe nga ana tjetër vlera e pasurisë së patundshme do jetë shumëfish më e lartë se është sot këtu”,-tha Rama.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se sot nis ndërtimi i 1000 apartamenteve të para, ku do sistemohen 1 mijë familje. “Dua të falenderoj të gjithë ata që e kanë bërë të mundur, duke nisur nga Kryeministri i Shqipërisë, ministri i Rindërtimit, të gjithë ata që punojnë përditë në komunitet, pasi sot lajmërojmë ndërtimin e 11 pallateve të reja, 1000 apartamentet e para, të cilat do të akomodojnë në vijimësi ata që janë dëmtuar nga tërmeti. Familjet do të marrin një apartament me çelësa në dorë, me kontratë porosie në fillim, dhe me hipotekë ditën kur do të hyjnë me këmbën e djathtë në shtëpinë e tyre të re. Deri në atë moment, teksa ne vijojmë me projektin e rindërtimit këtu, do të vazhdojmë, bashkë me qeverinë shqiptare, të paguajmë kokërr më kokërr, të gjitha bonuset e qirasë për të gjithë ata që janë larguar nga apartamentet që do të duhet të prishen, për t’i lënë vend këtij kantieri të ri dhe apartamenteve të reja. Secili prej tyre sot është në një shtëpi më të mirë se ajo që u prish, derisa të shkojë në një shtëpi akoma edhe më të mirë, që do të jetë përgjithnjë shtëpia e tyre, në këtë projekt të quajtur “River Side””, sqaroi Veliaj.
Ahmetaj teksa inspektoi zonën e re ku do të ndërtohen banesat e banorëve të prekur nga tërmeti, tha se Zona e 5 Majit, e stigmatizuar dikur si bregu i lumit do kujtohet si një simbol i ndryshimit të madh. “Do jetë një nga lagjet më moderne që do ketë kryeqyteti, e jo vetëm. Kjo është shumë më shumë se një lagje, e konceptuar si një qytet më vete ku do akomodohen 11 mijë familje. S’do jetë një koncept i një lagje të lënë pas dore në periferi të Tiranës por do jetë një nga 4-5 qendrat e reja të qytetit”, theksoi Ahmetaj. Sipas ministrit të Rindërtimit, në këtë kantier do angazhohen mbi 1600 të punësuar. Për më tepër, Ahmetaj bëri me dije gjithashtu se në këtë zonë do të jetë ndërtesa e përbashkët e Tatim-Doganave dhe një gjimnaz i ri.