Hapja e dosjeve/Paloka: PD e mbështet, por Rama e aktivizoi çështjen me marionetat e tij politike
"Dyshja Rama-Meta katër vjet më parë kundërshtoi me forcë Ligjin për Lustracionin të propozuar dhe të miratuar nga Partia Demokratike.
Dyshja Rama – Meta ka risjellë sot në pushtet dhe pozicione drejtuese kuadro të larta të ish Sigurimit të Shtetit. Kjo është arsyeja se pse as transparenca ligjore dhe institucionale dhe as hapja e dosjeve nuk mund të bëhen nga kjo dyshe.
Edi Rama nuk ka asnjë interes dhe asnjë mundësi të bëjë transparencë të besueshme. Nuk mund të hapin dosjet vetë hartuesit e tyre që sot janë rikthyer në pushtet me Edi Ramën dhe Ilir Metën.
Kjo cështje është aktivizuar javët e fundit nga Edi Rama dhe marionetat e tij politike dhe mediatike për të zhurmuar të gjithë problematikën e keq-qeverisjes.
Për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga braktisja e pashembullt e premtimeve elektorale dhe futja e vendit në krizë ekonomike.
Nga skandalet e përditshme të qeverisjes dhe perspektiva akoma më e errët për vendin me rritjen e taksave dhe buxhetin klientelist. Nga kriminalizimi i qeverisjes dhe i parlamentit", theksoi Paloka.
Në vijim ai shtoi se Partia Demokratike është e vendosur që së bashku me përfaqësuesit legjitimë të ish të përndjekurve politikë të jetë në ballë të përpjekjes për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe përgjegjësive për këto krime.
"Por kjo nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit sot në qeveri dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre", u shpreh ai.