Harito: Në administratë punonjës pa diplomë ose pa arsimin përkatës

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike Milena Harito prezantoi projektbuxhetin e institucionit që drejton në Komisionin për Integrimin Europian, ndërsa e konsideroi reformën në administratë si një nga tre çështjet kyçe në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Harito tha se nënpunësit do të merren në administratë nëpërmjet testimit, duke shtuar se për herë të parë janë zhvilluar konkurse transparente dhe të sekretuara.

“Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hann është shprehur se reforma në administratë është njëra ndër 3 pikat kyçe të rrugës drejt BE. Konkurset e bëra sipas ligjit, janë një aspekt tjetër që është vlerësuar nga BE.

Konkurset për herë të parë janë bërë plotësisht online, ndërsa provimet me shkrim ishin të sekretuara. Për t’ju treguar sesa transparente ishte, do ju thoja që në konkurs konkurruan 5200 veta dhe fituan 38”, tha ministrja Harito.

Deputetja socialiste Valentina  Leskaj ngriti shqetësimin se në poste drejtuese janë të punësuar persona që nuk kanë shkollimin e duhur.

 “Janë të punësuar për shembull njerëz në poste drejtuese që nuk janë me shkollimin e duhur. Ju thatë që këtyre do u jepet dy vjet kohë për t’i bërë kriteret? Pse janë punësuar këta, kaq e varfër qenka Shqipëria?”, tha Leskaj.

Ndërsa deputetja Arta Dade  ngriti si shqetësim faktin se në administratë ka të punësuar nuk kanë diplomë universitare.

“Ne kemi marrë përgjegjësi për këto çështje në administratën publike. Këto raste duhen identifikuar. Keni bashkëpunimin tonë për këto çështje”, theksoi ajo.

Deputeti Ben Blushi tha se pavarësisht se në faqen online njoftohet se ka vende të lira pune në administratë, nuk njoftohet se cilat janë pozicionet konkrete të punës të lira.

 “Nëqoftëse ka diçka që unë nuk e kuptoj është sesi funksionon administrata e sotshme. Ka një problem, se ju aplikoni për pozicionet, p.sh një njeri konkurron për inxhinier, pastaj përfundon në tjetër vend.

Diçka tjetër, po shoh faqen online dhe kuptoj që këtu ka vende pune, por nuk tregohet saktësisht se në ç’poste ka vende pune. Këtë komitetin që përzgjedh fituesit kush e ve aty, kush e kontrollon”,ngriti shqetësimin deputeti Blushi.

Në përgjigje të këtyre pyetjeve të ngritura nga deputetët, ministrja Harito tha se “120 persona ishin ata që nuk plotësonin kriteret e diplomës”.

“Ju shpjegoj që nga 87 mijë punonjës buxhetorë, janë 9 mijë nëpunës civilë. Kjo gjë rrit kriteret që duhet të plotësohen. Pastaj të mos harrojmë që kriteret janë vendosur nga institucionet që i kanë zgjedhur, të cilat kanë patur dhe kriteret e tyre”, sqaroi Harito.

SHKARKO APP