Harta e re elektorale/ Zgjedhjet 2017, i shtohen Tiranës deputetë, ja kujt i hiqen
Në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës pritet të ketë një hartë të re elektorale, e cila përcakton edhe rishpërnadarjen e mandateve. Tirana dhe Durrësi do të kenë rritje të mandateve, ndërsa Kukësi, Korça e Berati do të përfaqësohen secili Qark me nga 1 deputet më pak në parlamentin e ri.
Lëvizjet demografike brenda territorit shqiptar si dhe lindjet natyrale do të përcaktojnë edhe ndarjen elektorale të re për zgjedhjet parlamentare të 2017.
Bazuar në rezultatin e vitit 2013, pa patur parasysh koalicionet, apo ndryshimin e votës së shqiptarëve, KQZ ka nisur përllogaritjen e ndarjes së re elektorale, duke i paraprirë përgatitjes së procesit elektoral.
Ajo që bie në sy, është një rishpërndarje e mandateve, të cilat prekin një numër të kufizuar qarqesh.
Berati i cili sipas rezultatit të 2013 përfaqësohet në Parlament me 8 deputetë, pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, do të ketë një deputet më pak. Po kështu, edhe Korça humbet një mandat.
Nga 12 deputetë, në Parlament do të jenë 11 të cilët do të përfaqësojnë këtë Qark. Kukësi humbet një mandat, nga 4 në 3 të tillë.
Mandate të cilat rishpërndahen në dy qarqet më të mëdha. Tirana fiton 2 mandate, duke bërë që numri i deputetëve në 2017 të rritet nga 32 në 34.
Ndërkohë që dhe Durrësi përfiton një deputet më shumë. Projeksioni nxjerr në dritë dhe një tjetër fakt në lidhje me forcat politike.
E djathta humbet dy mandatet përkatësisht në Kukës dhe Korçë, por i fiton ato në Tiranë dhe Durrës. Kjo ndryshon edhe raportet me shumicën.
Në Tiranë, Partia socialiste do të ketë 20 deputetë dhe e djathta 14, ndërsa në Durrës do të kemi një barazim mandatesh 7 me 7.
Ndërsa në Berat, ajo që preket është e majta, e cila pritet të humbasë një deputet.


KOHA JONË SONDAZH


