Harta e re elektorale/ Zgjedhjet 2017, PS synon fitoren në tavolinë?
Përllogaritja e re e mandateve/ I shtohen Tiranës 2 deputetë, 1 Durrësit, ndërsa i hiqen Kukësit dhe Korçës nga 1 mandat

Herion Mesi
Në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës pritet të ketë një hartë të re elektorale, e cila përcakton edhe rishpërnadarjen e mandateve. Menjëherë pas zëvendësimit të kryetarit të KQZ-së, nga Partia Socialiste, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile që t’i dërgojë të dhënat mbi numrin e përgjithshëm të shtetasve dhe ndarjen e tyre në çdo qark, në bazë të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Kjo kërkesë bëhet me qëllim përllogaritjen e mandateve parlamentare për secilin prej 12 qarqeve, siç parashikohet nga Kodi Zgjedhor. Duke pasur akses në këto të dhëna, mësohet se PS-ja ka bërë tashmë një përllogaritje të saj, që nëse miratohet nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, kjo lëvizje mandatesh që, sipas socialistëve, bëhet për të reflektuar lëvizjet e popullatës brenda vendit, do ti shkojë KQZ-së për miratim, e kjo e fundit më pas t’ia dërgojë atë për miratim Parlamentit.
Shpërndarja e re e mandateve
Sipas përllogaritjeve të shpërndara dje nga bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla, bie në sy fakti që Tirana dhe Durrësi do të kenë rritje të mandateve, ndërsa Kukësi, Korça e Berati do të përfaqësohen secili Qark me nga 1 deputet më pak në parlamentin e ri. Lëvizjet demografike brenda territorit shqiptar si dhe lindjet natyrale do të përcaktojnë edhe ndarjen elektorale të re për zgjedhjet parlamentare të 2017. Bazuar në rezultatin e vitit 2013, pa patur parasysh koalicionet, apo ndryshimin e votës së shqiptarëve, KQZ ka nisur përllogaritjen e ndarjes së re elektorale, duke i paraprirë përgatitjes së procesit elektoral. Ajo që bie në sy, është një rishpërndarje e mandateve, të cilat prekin një numër të kufizuar qarqesh. Berati i cili sipas rezultatit të 2013 përfaqësohet në Parlament me 8 deputetë, pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, do të ketë një deputet më pak. Po kështu, edhe Korça humbet një mandat. Nga 12 deputetë, në Parlament do të jenë 11 të cilët do të përfaqësojnë këtë Qark. Kukësi humbet një mandat, nga 4 në 3 të tillë. Mandate të cilat rishpërndahen në dy qarqet më të mëdha. Tirana fiton 2 mandate, duke bërë që numri i deputetëve në 2017 të rritet nga 32 në 34. Ndërkohë që dhe Durrësi përfiton një deputet më shumë.

Analiza e mandateve
Projeksioni nxjerr në dritë dhe një tjetër fakt në lidhje me forcat politike, ku Partia Socialiste synon një fitore në tavolinë të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kjo pasi e djathta humbet dy mandatet përkatësisht në Kukës dhe Korçë, por i fiton e majta ato në Tiranë dhe Durrës. Kjo pasi ndryshojnë edhe raportet mes shumicës dhe pakicës. Në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar në Tiranë, kandidati i majtë për kryebashkiak Erjon Veliaj, doli fitues me mbi 40 mijë vota nga kundërshtari i tij Halim Kosova, që duke përllogaritur projeksionin e ri, i bie që këto dy mandate të cilat i shtohen kryeqytetit me shumë gjasë do jenë mandate që do i shkojnë së majtës. Po ashtu e njëjta situatë paraqitet në Durrës, ku po sipas votave të 2015-ës koalicioni i majtë rezultoi fitues një diferencë prej më shumë se 12 mijë votash, çka nënkutpon se sërish ky mandat i shtuar do jetë në favor të së majtës. Ndërsa në Berat, ajo që preket është e majta, e cila pritet të humbasë një deputet. Por me shumë gjasë [përllogaritja do të prekë aleaten kryesore të koalicionit qeverisës, LSI-në.
Në fund të nëntorit, KQZ bën ndarjen e mandateve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që bën shpërndarjen e mandateve në bazë të përllogaritjeve të numrit të popullsisë me formulën përkatëse, i është drejtuar me një shkresë Ministrisë së Brendshme ku i kërkon informacion mbi numrin e popullsisë në çdo zonë. Në shkresën e KQZ mësohet se kërkesa është bërë duke iu referuar Kodit Zgjedhor, ku në bazë të nenit 76, parashikon që katër muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit të kuvendit, drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile duhet ti dërgojë KQZ numrin e përgjithshëm të shtetasve për çdo qark, kjo bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, për të llogaritur numrin e mandateve për kuvend në çdo zonë zgjedhore. Po ashtu duke iu referuar kësaj shkrese parashikohet që KQZ jo më vonë se data 30 nëntor duhet të kryejë llogaritjen dhe të miratojë mandate për çdo zonë zgjedhore. Kështu harta elektorale pritet të ndryshojë në zgjedhjet e ardhshme por kjo mund të shërbejë edhe për debat mes politikës, të paktën deri në fund të këtij muaji kur KQZ do të vendosë për shpërndarjen e mandateve të deputetëve për zgjedhjet e ardhshme.
KOHA JONË SONDAZH

