Harta e riskut për zgjedhjet e 14 Majit, ISP: Ja ku mund të ketë tensione, incidente dhe parregullsi elektorale

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar hartën e riskut elektoral për vitin 2023, ku ka bërë një renditje të bashkive me riskun më të lartë dhe atyre me risk minimal. Sipas ISP, harta e riskut elektoral (HRE) u krijua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2015 për të vijuar në zgjedhjet e vitit 2017, 2019 dhe 2021. Qëllimi i kësaj harte është paraqitja e potencialeve të mundshme për tensione, incidente dhe parregullsi elektorale në zona të caktuara. Hartimi i dokumentit dhe i hartës bazohet në disa tregues cilësor dhe sasiorë, përfshirë:

tradita e zgjedhjeve në zonat elektorale;
cilësitë e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshilltarë;
rolin e grupeve kriminale në zona;
rolin e biznesmenëve të mëdhenj dhe emrave “të fortë”, të identifikuar edhe në zgjedhjet e mëparshme;
financimi informal;
tensionet paraelektorale dhe diferenca në vota midis palëve politike.

Parimi mbetet i njëjtë: në zonat ku palët politike kanë diferencë minimale dhe ku ka grupe kriminale aktive, gjithnjë ka pasur incidente dhe parregullsi gjatë proceseve zgjedhore. Gara në zgjedhjet vendore është mazhoritare, një votë më shumë bën diferencën midis kandidatëve dhe në më shumë se 50% të bashkive fitorja e mandatit nuk lidhet vetëm me synime politike, por edhe projekte informale të grupeve mbështetëse, kryesisht grupe informale apo oligarkë.

Për hartimin e HRE janë analizuar rezultatet në 10 vitet e fundit në zonat përkatëse, CV e individëve në garë dhe përbërja e drejtuesve reale të stafeve zgjedhore, niveli i përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë, specifika lokale që lidhen me përbërjen demografike, rolin e familjeve të mëdha apo firmave më të njohura private në zonë, rolin e individëve të njohur për rekorde kriminale, si dhe denoncimet që janë adresuar gjatë viteve për shkelje të legjislacionit zgjedhor, trafikim të votës apo presin ndaj votuesve.

Synimi i ISP nuk është fokusimi tek emrat e veçantë, por paralajmërimi drejtuar partive politike, kandidatëve, autoriteteve ligjzbatuese, autoriteteve të administrimit të votës, medias dhe vëzhguesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në zgjedhje. Stafi i ISP uron dhe dëshiron që parashikimet të mos jenë të sakta dhe në bashkitë me risk të madh zgjedhor të mos shënohet asnjë incident apo parregullsi zgjedhore, gjithsesi përvoja e zgjedhjeve 2015, 2017, 2019 dhe 2021 ka treguar përputhshmëri të lartë midis parashikimeve të hartës së riskut elektoral dhe zhvillimeve në terren.

Në zgjedhjet e vitit 2021 lista e zonave “të nxehta” kryesohej nga Elbasani dhe Durrësi, zona ku realisht u shënuan incidente, përfshirë edhe ngjarje të rënda me humbje jete. Vitit 2023 nuk do të duhet të ketë ngjarje të tilla. Është përgjegjësi direkte e kandidatëve dhe e subjekteve elektorale të respektojnë parimet që kanë firmosur në deklaratën solemne të kryetarëve të partive për integritetin dhe parimet etike të fushatës, dhe në tërësi, të të gjithë procesit zgjedhor.

Zonat me riskun më të lartë për vitin 2023? Tri bashki kanë koeficient të njëjtë negativ: bashkia Durrës, bashkia Kamëz dhe bashkia Vau i Dejës, ndjekur nga bashkitë Shkodër, Elbasan, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë. Në bashkitë më problematike bëjnë pjesë edhe Kukësi, Malësia e Madhe, Shijak, Kruja, Dibra, Bulqizë dhe Hasi. Raporti i detajuar për secilën bashki ofron analizë më të plotë konfidenciale, ndërkohë që tabela me kriteret dhe vlerësimet ofron informacion publik të mjaftueshëm për të kuptuar problematikat dhe shqetësimet.

Nga raporti rezultojnë edhe disa bashki, në të cilat situata zgjedhore është shumë më e qetë në të gjithë komponentët e saj dhe ku shanset për risk elektoral janë minimale. Të tilla janë bashkitë Pustec dhe Maliq, Roskovec dhe Delvinë, Patos dhe Gramsh, Belsh dhe Përmet, Libohovë dhe Kuçovë, Konispol dhe Dropull, Tropojë dhe Skrapar, etj.

Merita specifike e këtyre zonave, krahas treguesve objektivë, janë edhe vetë kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë, të cilët kanë dëshmuar dhe dëshmojnë sjellje më të përgjegjshme dhe përpjekje për të zhvilluar procese zgjedhore sa më afër normave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.

QARQET MË SHQETËSUESE? DURRËS, LEZHË DHE SHKODËR

Klasifikimi sipas qarqeve nuk ka domethënie të rëndësishme në zgjedhjet vendore, por lidhet kryesisht me pasojat e organizimit në zgjedhjet parlamentare. Partitë i caktojnë stafet drejtuese elektorale mbi bazë qarku, pra edhe personat që drejtojnë fushatat në nivel qarku janë edhe personat përgjegjës për aplikimin e standardeve zgjedhore, suksesin apo dështimin e tyre.

Referuar të dhënave sipas qarqeve, qarku më problematik mbetet Durrësi me tri bashki problematike, Durrësin, Krujën dhe Shijakun. Në renditje vendi pasues i përket Lezhës me vetë bashkinë Lezhë, Kurbinin dhe Mirditën, ndjekur nga qarku Shkodër ku bëjnë pjesë disa bashki problematike, përfshirë Shkodra (periferia), Vau i Dejës, Malësia e Madhe dhe Puka.

Qarku me nivelin më minimal të potencialit për incidente dhe devijim nga praktikat zgjedhore mbeten Berati dhe Korça, i pari edhe për shkak të disproporcionalitetit në konkurrim (opozita nuk fiton prej shumë procese zgjedhore aty) dhe i dyti për shkak të traditës së krijuar zgjedhore ndër vite.

HARTA E RISKUT ELEKTORAL 2023

Tabela pasqyron hartën e zonave zgjedhore, në të cilat ka potencial për tensione, presione, incidente, trafikim të votës, abuzim me ligjin elektoral, akuza për manipulim, kontestim të mundshëm dhe rivalitet të ashpër politik gjatë zgjedhjeve vendore 2023. Harta e riskut përllogariten sipas 10 koeficienteve, secili me nga 5 pikë maksimale. Zonat me numrin më të lartë të pikëve paraqet edhe zonën më problematike, me riskun më të lartë në procesin zgjedhor.

TENSIONE POLITIKE NË PROCESIN ZGJEDHOR

Kriter vlerësimi është raportimi i nivelit të potencialit për të pasur konkurrencë të ashpër dhe konflikte të vazhdueshme midis subjekteve kryesore politike dhe kandidatëve kryesorë në zgjedhje. Të dhënat janë krahasuar edhe me ecurinë e procesit elektoral nga janari 2023 deri në ditët aktuale të fushatës elektorale.

KANDIDATË APO PJESTARË NË STAFE/SHTABE ME LIDHJE KRIMINALE

Kriter është vlerësimi i nivelit të angazhimit të kandidatëve me rekorde kriminale në stafet elektorale, në listat e kandidatëve për bashkinë, në administrimin zgjedhor ose në aspekte të ndryshme të aktiviteteve elektorale të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për kryetarë bashkie.

Të dhënat bazohen në CV e kandidatëve, të dhënat e mbledhura nga DPB, nga proceset gjatë viteve në organet e drejtësisë, nga monitorimi i dekriminalizimit dhe nga raporte policore gjatë viteve të fundit.

NDIKIME TË GRUPEVE INFORMALE DHE TË OLIGARKËVE & “TË FORTËVE”

Kriteri lidhet me interesat specifike që kanë në fushatë dhe zgjedhjen e drejtuesve të rinj vendorë grupe të caktuara informale, përfshirë biznesmenë të njohur, individë apo grupe jopolitike që kanë interesa kryesisht kontrolli mbi bashkitë, individë të “të fortë” dhe me rekorde kriminale, etj. Të dhënat janë marrë nga intervista dhe monitorime në secilin qark.

BASHKIA KONSIDEROHET BASTION NGA NJË PARTI

Kriteri lidhet me nivelin e konkurrueshmërisë historike, nëse zona (bashkia) është bastion i një pale politike apo ka potencial për rotacion politik. Të dhënat sigurohen nga rezultatet e votimeve ndër vite dhe specifikat e kandidatëve në zgjedhje.

BIZNESMENË AKTIV SI KANDIDATË / MBËSHTETËS NË FUSHATË

Kriteri lidhet me projekte politike dhe ekonomike të individëve të fuqishëm (me pushtet kryesisht ekonomik), ndikimi i tyre në emërimin e kandidatëve nga vetë partitë politike dhe interesi i tyre për të imponuar fitoren e kandidatëve të caktuar. Të dhënat ndryshojnë sipas zonave dhe veçorive specifike, me fokus kryesisht zonat bregdetare dhe ato me potencial turistik apo me burime nëntokësore.

DIFERENCA NË VOTA MIDIS PARTIVE POLITIKE / KANDIDATËVE

Kriteri lidhet me diferencën në votave mazhoritare midis partive dhe kandidatëve për kryetarë bashkish, bazuar kryesisht në zgjedhjet e dekadës së fundit. Kriteri ndërthuret edhe me nivelin e konkurrencës (qenia e dy ose më shumë kandidatëve), tregues që në votimin mazhoritar mund të jetë përcaktues për fituesin e tyre. Sa më e vogël diferenca dhe sa më shumë fragmentarizëm të votës, aq më shumë potencial për abuzime me votën dhe standardet elektorale.

TRADITA POLITIKE & POTENCIAL PËR KONFLIKTE TË NDRYSHME POLITIKE LOKALE

Kriteri lidhet me traditën politike në zonat specifike, por edhe me specifikat e kandidatëve aktualë, ekzistenca dhe ndikimet e konflikteve lokale, si dhe përdorimi i këtyre konflikteve nga palët në funksion të strategjisë së tyre elektorale.

INTERESI PËR TË KONTESTUAR REZULTATIN

Kriteri vlerëson nivelin e interesit të palëve humbëse / me potencial për të humbur, për të kontestuar rezultatin. Kur niveli është i lartë, konkurrenca elektorale ia lë vendin nevojës për dokumentimin, provokimin apo krijimin e dosjes ankimore që në diskutim legjitimitetin e procesit zgjedhor. Sa më i madh interesi, aq më shumë shanse për incidente dhe shkelje.

AKUZA DHE INCIDENTE NË ZGJEDHJET E MËPARSHME

Kriteri lidhet me specifikat e zonave zgjedhore, kryesisht bazuar në të dhënat kritike të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe vendore në Shqipëri, në denoncimet e ardhura nga mediat dhe partitë në ato zgjedhje, në raportet e monitoruesve dhe në raste e hetimeve nga organet ligjzbatuese.

NIVELI I ANGAZHIMIT TË BURIMEVE SHTETËRORE & “SHTETIT” NË FUSHATË

Kriteri përcakton nivelin e përdorimit të burimeve shtetërore dhe “shtetit” në fushatë në favor të një subjekti ose kandidati, dhe për pasojë, kundër një kandidati ose një subjekti tjetër politik. Sa më i lartë niveli i përdorimit të burimeve shtetërore aq më shumë cenohen të drejtat qytetare në zgjedhje dhe krijohen hapësira e argumente për incidente e kontestime të procesit zgjedhor.

SHKARKO APP