Helidon Bushati: Koha për të ndryshuar, programi “Shqipëria fiton” transformon vendin
Kandidati i Partisë Demokratike për Shkodrën, Helidon Bushati thotë se programi
i Partisë Demokratike “Shqipëria fiton” synon të transformojë vendin dhe të fuqizojë familjet shqiptare.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Bushati thotë se me këtë program përfundon pandershmëria e krijuar në 8 vjet, ku qytetarët taksohen dhe favorizojnë 10 biznesmenë pranë kryeministrit.
“Programi #ShqipëriaFiton synon të transformojë vendin, të fuqizojë familjet shqiptare, vëmendjen ndaj shtresave në nevojë, rritjen e pagave dhe pensioneve reale.
Përfundon pandershmëria e krijuar në 8 vjet, ku qytetarët taksohen dhe favorizojnë 10 biznesmenë pranë kryeministrit. Sot çdo qytetar blen ushqim me 20% TVSH ndërsa jahtet luksoze paguajnë 0 përqind.
Ky është një sistem i pandershëm. Do të marrë fund!
Taksa e sheshtë 9%, ul informalitetin dhe rikthen ndershmërinë!
Në fokus të veçantë do të kemi shtresën e mesme!
Një ekonomi e fortë është baza për goditjen e monopoleve dhe forcimin e shtresës së mesme.
Ne do t’i japim fund barrës së rëndë të taksimit që qeveria u ka vënë njerëzve më të talentuar, të kualifikuar ose të suksesshëm në vend.
Ka ardhur koha të ndryshojmë. Vendit i duhet një qeveri që punon për qytetarët dhe jo 10 individë që kanë gllabëruar çdo pasuri!”- shkruan ai