Henri Çili: Cikli reformist i Edi Ramës duhet të vazhdojë një mandat të dytë

Nga Henri Çili

Në nisje të mandatit të kësaj qeverie, në ditën kur ajo po inaugurohej kam botuar një ese të gjatë ose një libër të shkurtër “Kundër-reforma, një shpjegim subjektiv mbi 23 qershorin”. Në atë moment unë përfaqësoja një zë minoritar dhe shumica e shqiptarëve, një milion vota, kishin vendosur të zgjidhnin Edi Ramën kryeministër, që sipas meje kishte një program regresiv dhe me një populizëm in extremis, të cilin unë e gjykoja shumë të dëmshëm për vendin. Jo më vonë se disa javë më pas Edi Rama ra viktimë e kësaj fryme superpopuliste që ngriti vetë. Në vend pati protesta kundër asgjësimit të armëve kimike dhe ai u tërhoq nga një vendim për shkak të tyre. Ky detaj m’u kujtua kur po ndeshim në rrugë, në media sociale, në opinion publik një temë të re: çështjen e importit të mbetjeve, për të cilën fatmirësisht zoti Rama ndërroi mendim dhe me disa rregullime ligjore arriti me guxim ta votonte një ligj të tillë. Në esenë e përmendur më lart kuintesenca ishte kjo: Edi Rama përdori një populizëm regresiv për të mbledhur vota dhe do të bjerë shumë shpejt viktimë e këtij populizmi në qoftë se nuk do ta braktisë atë. Sa më shumë dhe sa më shpejt ta braktisë Edi Rama programin e 23 qershorit, aq më mirë do të ishte për të dhe për Shqipërinë. Tre vjet më vonë jemi në një situatë ku dallohen së paku tri fenomene.

Fenomeni i parë është se jemi në kulmin e një kundërshtimi laraman ndaj qeverisë dhe ndaj Ramës personalisht, në të cilin mblidhen grupe ekstremiste, ziliqarë, intelektualë të mbetur pa kauzë, të hatërmbetur të çdo lloji dhe moralistë publikë të çdo ngjyre. Dhe kjo krijon përshtypjen sikur është një masë e madhe shoqërore që kundërshton politikat e qeverisë dhe zotin Rama përtej defekteve që ai ka “duke provokuar me stilin e tij komunikativ sentimente që nuk kanë të bëjnë me thelbin por janë qëndrime”.

Fenomeni i dytë është se jemi në kulmin e populizmit, ku aktorë të ndryshëm publikë janë duke adaptuar me shpejtësi kauza populiste që janë sa irracionale aq edhe të dëmshme për shoqërinë. Ata e bëjnë këtë vetëm që të krijojnë një front kundërshtimi ndaj qeverisë dhe kryeministrit pa kapur idenë e një lidhjeje të përbashkët të shumë anëtarëve të këtij fronti. Në këtë kuptim zëra, nga ish-kryeministri Berisha te kryetari i opozitës Basha deri te politikanë të rëndësishëm si Blushi janë duke adaptuar qëndrime, të cilat bëjnë të duken shumë racionale dhe shumë të moderuara qëndrimet e Aleancës Kuq e Zi para vitit 2013.

Fenomeni i tretë dhe më i rrezikshëm është krijimi për herë të parë i premisave për organizimin dhe përfaqësimin politik të ekstremit të majtë në vend, e nxitur edhe nga presioni i retorikave në vendet fqinje, retorikave alla Corbyn, atyre antiglobaliste etj. Në Shqipëri ky rrezik nuk ka ekzistuar asnjëherë në këto 25 vite edhe për shkak të neverisë që ka patur vendi ynë për shkak të komunizmit.

Është rasti të ndalemi pak dhe të shohim ç’ka ndodhur këto vite. Ndonëse Edi Rama erdhi në pushtet me një program regresiv dhe përfaqësoi një frymë antireformiste, rrugës kryeministri Rama adaptoi shpejt disa elementë, të cilët paradoksalisht iu kundërvunë këtij programi populist “duke tradhtuar disi votën e 23 qershorit ose duke bërë gjëra që shkonin përtej 23 qershorit”, megjithëse nuk pati një braktisje të drejtpërdrejtë të atyre premtimeve aspak të përshtatshme për zhvillimin e vendit. Disa prej këtyre reformave për mua do të ishin me kosto shumë të madhe për kryeministrin dhe Partinë Socialiste, reforma që kanë krijuar territore apo ishuj të vegjël rezistence, të cilët mbledhur së bashku nën artin e përdorimit të populizmit krijojnë përshtypjen e një kundërshtimi të madh ndaj kryeministrit Rama. Shpejt e shpejt po rendis disa nga këto reforma: Reforma territoriale krijoi një kosto të madhe duke lënë jashtë zyra të shtetit dhe batakçillëkut lokal dhjetëra e qindra zyrtarë dhe interesa në komuna dhe bashki që u zhbënë nga ndarja e re territoriale.

Reforma në arsimin e lartë krijoi kundërshtim frontal në radhë nga të gjithë filozofët e vjetër dhe nga një armatë pedagogësh të sistemit shtetëror të arsimit (jo të gjithë por pjesa dërrmuese) të lartë, që nënkupton 90% të kapaciteteve të sistemit tonë të arsimit të lartë, të cilët helmojnë përditë opinionin publik duke u përpjekur të ruajnë një gjendje të mjerë të sistemit punist në arsimin e lartë shqiptar, të cilës reforma Rama i dha fund.

Reforma për nëpunësit civil dhe praktikat gjithnjë e më të mira të rekrutimit në administratë sidomos në atë të lartë kanë krijuar pakënaqësi shumë të madhe të socialistëve, të cilët nuk mund të kalojnë konkurset që i kanë prerë rrugën kalimit masiv nga partia në administratë, ndonëse ka akoma shumë për të bërë në këtë drejtim dhe tendenca është e mirë.

Formalizimi i ekonomisë, ideja që një ditë kontrolli tatimor do të vijë dhe do të kërkojë rregull në dokumentacion, do të sjellë kosto në biznes ka krijuar një pakënaqësi të madhe si edhe ka rritur kostot administrative të biznesit, sepse nuk është bërë gjithçka dhe gjithnjë me performancën më të mirë të mundshme.

Një reformë e rëndësishme është kontrolli i territorit. Me gjithë koston e bllokimit të ndërtimeve kjo reformë ka dhënë efekt duke ndalur një babëzi të jashtëzakonshme te ne për të shkatërruar mjedisin, rrënuar territorin dhe prishur paratë me shëmtira urbane dhe inxhinierike. Kjo ka qenë një nga dramat më të mëdha tonat në këto 25 vite.

Dhe e fundit, reforma në drejtësi për të cilën Rama rezistoi, këmbënguli edhe pse ajo mund të njihet si reforma e ndërkombëtarëve. Kjo reformë ka krijuar një tërbim të papërmbajtur në korporatën e drejtësisë. Dhe të gjitha këto grupime, kosto reale të reformave të rëndësishme, reformave të mëdha, të gjitha jo populiste, të gjitha me kosto njerëzore dhe emocionale për aktorët njerëzorë që kanë prekur, ose interesat apo traditën politike shqiptare, duket se kanë krijuar një front laraman kundërshtimi dhe rezistence ndaj qeverisë: madje kanë krijuar një front zëmadh që bërtet shumë. Por a do të thotë që janë shumicë?! Në parim për të gjitha mendjet racionale të këtij vendi, për të gjithë aktorët shoqërorë me peshë dhe ata që shkojnë përtej interesit personal të momentit, një hatërmbetjeje apo një tensioni, të gjitha janë reforma që meritojnë përshëndetjen e elitës shoqërore, intelektuale dhe të ekspertëve më me zë, sepse janë reforma me karakter të qartë modernizues, kundër interesit elektoral të kryeministrit apo Partisë Socialiste e shumicës së majtë në tërësi, që i ka votuar këto reforma. Të gjitha këto reforma do të meritonin një duartrokitje apo së paku një mirënjohje tek aktorët e përgjegjshëm të shoqërisë. Krijohet përshtypja edhe nën efektin e mediave që ato kanë mbuluar me kundërshtim thuajse totalitetin e shoqërisë shqiptare.

Përkundër kësaj, Edi Rama nuk ka guxuar në shumë prej fushave. Nuk ka guxuar të heqë dorë nga idiotësia e taksës progresive, e cila ishte një nga arsyet e ndalesës dhe të rrënimit ekonomik të Shqipërisë. Ishte një masë me një kosto të jashtëzakonshme administrative për biznesin shqiptar dhe e provuar me aspak rendiment për të ardhurat dhe arkën e shtetit, që më shumë prishi punë se sa rregulloi, ose rregulloi aq pak sa ishte e parëndësishme para asaj që prishi. Edi Rama nuk ka guxuar të përballet me të vërtetën e idiotësisë së shëndetësisë falas me në krye ministrinë përkatëse, si një pamundësi absolute për t’u bërë në një shtet të varfër si Shqipëria, por edhe sikur Shqipëria të ishte vendi më i pasur është një nga sistemet më regresive që nuk e lë shëndetësinë të zhvillohet. Investimet shpenzuese kanë qenë në shumicën e kohës tipar i buxhetit dhe investimeve publike, edhe pse disa elemente estetike janë shumë pozitive për të ndryshuar imazhin e qyteteve apo Shqipërisë së vizitueshme, kanë bërë që në ekonomi të mos injektohen investime zhvilluese me karakter multiplifikator ose shumëfishues. Po ashtu etatizmi si fryma e përgjithshme e kulturës së të majtës, dhe të majtës socialdemokrate aq më shumë dhe buizmi nëpër administratën shqiptare nëpërmjet zgjerimit të ministrive, agjencive, rregulloreve, vendimeve, udhëzimeve, të cilat të gjitha janë harxhim kohe, ka sjellë ngadalësim dhe rritjen e kostove administrative. Një administrativizëm dhe etatizëm ka shpërthyer dhe ka lulëzuar në administratën shqiptare gjatë këtyre viteve si një frymë e reminishencë direkte e kulturës së majtë, me efekt shumë negativ të ngadalësimit të reformave. Edi Rama nuk ka guxuar të përballet me disa të vërteta të rëndësishme ende domen i populizmit shqiptar; taksat në fshat, taksën e produktivitetit, financimin e politikës e shumë tema gangrenë që mbeten paprekur për shkak të populizmit. Por është në interesin vital të shoqërisë shqiptare që Edi Rama dhe qeveria aktuale duhet të guxojnë për të ardhmen me çdo çmim, përfshi këtu edhe marrjen e një kostoje elektorale, e cila është në pamje të parë, por që shumica e popullsisë e kupton dhe e pranon. Edi Rama nuk duhet të hezitojë, dhe presioni i opinionit publik dhe aktorëve shoqëror duhet të jetë i fortë në këtë drejtim, të heqë dorë nga ky sistem i komplikuar me nivel të lartë dhe shumë jo zhvillues për ekonominë, duke adaptuar një sistem më të thjeshtuar dhe më funksional taksash. Më afër rrugës së tretë në krahasim me progresivitetin e socialdemokracisë. Niveli i biznesit shqiptar është ende shumë fillestar për të përballuar një taksë progresive, biznesi shqiptar është ende në fazë investimesh, kapitalizmi 25-vjeçar shqiptar është ende shumë i dobët për të përballuar këtë, ai ka nevojë për investimet dhe inkurajim, që t’i japë më shumë shoqërisë nëpërmjet punësimit se sa taksimit. Edi Rama duhet të fillojë një reformë urgjente anti-etatiste duke shkurtuar maksimumin e drejtorive, të rregulloreve dhe ligjeve, duke krijuar një proces derregullimi që është tipik për të paktën nivelin e të majtës amerikane dhe të majtën “bleriste”. Duke mbajtur nivelin qendror të politikave në ministri (si ministri politikash) dhe duke ia kaluar nivelin ekzekutiv agjencive qeveritare apo duke bërë shumëçka me sektorin privat, me partneritetin publik-privat, duke zgjeruar koncesionet apo duke i kaluar outsource shumë shërbime që mund t’i kryej sektori privat. Pushteti vetëm mbikëqyr, kujdeset të mos kemi pozitë monopol të mos kemi abuzim. Edi Rama duhet të guxojë të merret me ekonominë që është çështja kryesore e çdo qeverie. “E para është ekonomia”, është një slogan i famshëm i fushatave amerikane. Një profil konkurrues i ekonomisë shqiptare është absolutisht nevojë emergjente ku duhet të drejtohen të gjitha mjetet duke çuar këtu investimet publike me karakter zhvillues, duke thjeshtuar procedurat, duke informatizuar dhe rritur transparencën apo duke i dhënë impuls zhvillimit të atyre sektorëve ku më së shumti Shqipëria ka strukturë dhe mundësi reale kontributi në GDP, të cilët mund t’i identifikojnë më mirë specialistët. Ide të tilla apo çështje të tilla mund të kishte shumë, por ato janë më shumë pjesë e debatit teknik e publik. Sidoqoftë ajo që mund të thuhet në përfundim është fakti që sot kryeministri Edi Rama, kryesisht ai personalisht, por edhe ekipi e stili i tij, përtej nevojës për riorganizim, thjeshtim, vitalizim, përfaqësojnë vullnetin më të rëndësishëm dhe më të besueshëm reformues të shoqërisë shqiptare në këtë kapërcyell të rëndësishëm të ciklit tonë të zhvillimit, ku në shumë e shumë procese jemi vonuar e ku dikush duhet t’i “ekzekutojë” ato me guxim dhe pa patur frikën e populizmit apo kostove elektorale dhe nga ana tjetër ky moment është ndoshta nga momentet e fundit, përpara se disa prej këtyre proceseve të kthehen në të pakthyeshëm. Edi Rama është investim i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, të gjithë ata që e kanë mbështetur, madje dhe ata që e kanë kundërshtuar kanë krijuar një figurë politike me fuqi të madhe, bashkuar dhe me ambicien e tij të rëndësishme si individi dhe siç e thekson ai vetë “për të mbetur në histori”. Ky potencial duhet shfrytëzuar në dobi të shoqërisë shqiptare dhe interesit publik dhe si i tillë cikli historik i nisur nga Rama duhet të vazhdojë përtej një mandati. Duke e kthyer prozhektorin në diçka tjetër. Me gjithë respektin për shpirtin protestues, kontestues, për këdo aktor të shoqërisë shqiptare, duke i quajtur legjitime arsyet e çdokujt nga ato të opozitës politike deri te kredot intelektuale në këtë vend, prozhektorët duhet të orientohen gjetkë: Presion publik Edi Ramës që cikli i tij reformues të kapë të gjithë elementët e jetës së vendit dhe të mbrohet dhe të mos impaktohet nga populizmi. Masat do ta kuptojnë, publiku do ta votonte. Kush e di publikun dritëshkurtër është i gabuar. Publiku në shumicën e tij, përtej ekstremeve apo grupeve skajshmërisht të impaktuara apo emocionale, do ta mbështeste një mandat të dytë, me kusht që ai të ishte reformues dhe dobisjellës për të gjithë. Mapo

SHKARKO APP