Heqja e mandateve, Osmanaj: Rasti i Tahirit ishte i ndryshëm nga i Selamit dhe Rroshit
Nënkryetari i KQZ-së shpjegon arsyet pse u lexua ndryshe ligji i dekriminalizimit nga anëtarët e pakicës në komision
Bisedoi: Herion Mesi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i pari institucion që u përball me trysninë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit në fundin e vitit të kaluar. Kur kanë kaluar dy javë nga vendimi për t’i hequr mandatet dy deputetëve të Vlorës, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si dhe ish-Kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, nënkryetari i institucionit më të lartë zgjedhor në vend Hysen Osmanaj pohon se ashtu si çdo ligj i ri, normalisht që dhe zbatimi i dekriminalizimit ka shkaktuar vështirësi dhe ngarkesa të ndryshme. Por nga ana tjetër, Osmanaj thekson se çdo vështirësi kalon nëse ligji zbatohet me korrektësi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Osmanaj shpjegon dhe votën kundër të tre anëtarëve të pakicës në KQZ për heqjen mandatit të deputetit demokrat, Dashamir Tahiri në mbledhjen e 29 dhjetorit, një votim ky që do të lexohej nga maxhoranca dhe vetë Kryeministri Edi Rama si një qëndrim me dy standarde i opozitës ndaj ligjit të dekriminalizimit. “Duhet të jeni i qartë ju dhe opinion publik se të tre çështjet nuk kanë qenë njësoj. Konstatimi i Prokurorisë së Përgjithshme në fund të verifikimeve ka qenë i ndryshëm për të tre subjektet e verifikuara, ne iu jemi përmbajtur me korrektesë vendimeve të saj. Subjekti në fjalë nuk e ka kryer dënimin, pasi është falur nga shteti italian, në po të njëjtën ditë që është shpallur vendimi i gjykatës. Ndërkohë, mbështetur në pikën 9 të nenit 4, periudha e dënimit i shtohet periudhës së rehabilitimit për të përcaktuar periudhën e ndalimit e cila është deri në shkurt 2015. Ne kemi zbatuar çdo germë si dhe kemi respektuar frymën e ligjit, pasi z. Tahiri është jashtë periudhës së ndalimit”,- shprehet Osmanaj. Ndërkaq, lidhur me reformën zgjedhore në kuadër të përgatitjeve të procesit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 18 qershorit, nënkryetari i KQZ-së shprehet pesimist për një reformë tërësore. Duke mos u ndalur në ndërhyrjet në nene konkrete të Kodit Zgjedhor, Osmanaj thekson se “duhet të bëhen disa ndërhyrje teknike dhe disa saktësime ligjore në nene të caktuara”- thotë ai. Sa i përket propozimeve konkrete për këtë reformë nga ana e KQZ-së, Osmanaj deklaron se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është thirrur nga Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore për të paraqitur propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Zoti Osmanaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e mbylli vitin 2016 duke zyrtarizuar nisjen e zbatimit të ligjit të aq shumë përfolur të dekriminalizimit për personat e zgjedhur, ku më 29 dhjetor vendosi t’i ndërpresë mandatet dy deputetëve të Vlorës dhe Kryetarit të Bashkisë Kavajë. Përtej emrave të përveçëm, sa e vështirë ishte ndërmarrja e një vendimi të tillë?
Fillimi implementimit të çdo ligji të ri i ka vështirësitë e veta dhe, aq më tepër, kur ke të bësh me ndërprerje të mandatit të deputetëve apo shkarkim nga detyra të funksionarëve të lartë publik, pa diskutim që ka vështirësi dhe ngarkesa të ndryshme. Unë personalisht nuk kam pasur asnjë vështirësi në këtë vendimmarrje, pasi jam i ndërgjegjshëm se jam munduar sinqerisht t’i përmbahem me korrektësi ligjit dhe besoj se ja kam arritur qëllimit të zbatoj sipas germës dhe frymës së tij.
Në fakt “mbrojtja” që ju i bëtë zotit Dashamir Tahiri u lexua ato ditë edhe si një qëndrim me dy standarde nga ana e minorancës në KQZ, pasi për z. Shkëlqim Selami dhe z. Elvis Rroshi ju ishit plotësisht dakord që t’ju hiqeshin mandatet. Në vlerësimin tuaj sa e ndryshme ishte çështja e z.Tahiri nga dy çështjet e tjera?
Duhet të jeni i qartë ju dhe opinion publik se të tre çështjet nuk kanë qenë njësoj. Konstatimi i Prokurorisë së Përgjithshme në fund të verifikimeve ka qenë i ndryshëm për të tre subjektet e verifikuara, ne iu jemi përmbajtur me korrektesë vendimeve të saj. Konkretisht, unë do ju citoj të tre vendimet e prokurorisë për të tre subjektet: I pari, z. Roshi përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar në nenin 2, pika 1germa “a”, dhe pika 2, germa “a” dhe “b” të ligjit 138/2015; I dyti, z. Selami përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar në nenin 2, pika 2, germa “a” të ligjit 138/2015; dhe I treti z. Tahiri përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar në nenin 2, pika 1, germa “ç” të ligjit 138/2015. Siç e kuptoni dhe ju lehtësisht janë tre vendime të ndryshme për vepra të ndryshme dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe pasi njerëzit gjykohen sipas veprës që kryejnë, pra ruhet një parim proporcionaliteti të cilit ju ka përmbajtur dhe ligji për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Ne vetëm kemi përcaktuar periudhën e ndalimit të ushtrimit të funksionit për të tre subjektet bazuar në nenet sipas vendimit të prokurorisë, për rastin e parë kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë, prodhimin e shitjen e lëndëve narkotike (rasti i Z. Roshi), vepër për të cilin sipas nenit 4, pika 1 dhe 5 të ligjit 138/2015, periudha e ndalimit të ushtrimit të funksionit zgjat gjatë gjithë jetës.
Për rastin e dytë, pjesëmarrja në një organizatë kriminale për trafikim të personave ekstrakomunitarë, siç është rasti i Z. Selami, ndaj të cilit është vendosur masë shtrënguese e sigurisë personale, është në sferën e ndalimit sipas përcaktimeve të prokurorisë dhe është në periudhën e ndalimit, bazuar në nenin 4 dhe 16, pika 1 e ligjit 138/2015, derisa nuk ka një vendim pafajësie në favor të tij. Gjykata e Brindisit, në Itali e ka pushuar çështjen, por nuk i ka dhënë pafajësi, periudha e ndalimit është 10 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji, pra është brenda periudhës së ndalimit.
Për rastin e z Tahiri edhe ky subjekt përfshihet në fushën e ndalimit të ushtrimit të funksionit, sipas përcaktimeve të prokurorisë, pasi është dënuar nga gjykata italiane me 9 muaj burg si dhe 300 euro gjobë për leje drejtimi të falsifikuar, gjyq i zhvilluar pa prezencën e tij, me datë 29.5.2009. Mbështetur në pikën 4, të nenit 4 të Ligjit nr. 138/2015, periudha e ndalimit të ushtrimit të funksionit llogaritet nga momenti i përfundimit të dënimit deri në momentin e rehabilitimit, që sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 69 të Kodit Penal, është 5 vjet.
Subjekti në fjalë nuk e ka kryer dënimin, pasi është falur nga Shteti Italian, në po të njëjtën ditë që është shpallur vendimi i gjykatës. Ndërkohë, mbështetur në pikën 9 të nenit 4, periudha e dënimit i shtohet periudhës së rehabilitimit për të përcaktuar periudhën e ndalimit e cila është deri në shkurt 2015. Më falni se u zgjata, por doja të dal me konkluzion, se ne kemi zbatuar çdo germë si dhe kemi respektuar frymën e ligjit, pasi z. Tahiri është jashtë periudhës së ndalimit.
A ka kërkesa të tjera nga Prokuroria për heqjen e mandateve për persona të tjerë?
Deri në këto momente që bisedoj me ju nuk na kanë ardhur kërkesa të tjera.
Ndërkohë, nëse Kryebashkiaku i shkarkuar Elvis Rroshi do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila në rastin më të mirë nuk do të ndryshojë situatën, por do të lerë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave, atëherë do të kemi zgjedhje të pjesshme në Bashkinë e Kavajës. Kur mund të jetë data më e afërt e zhvillimit të tyre?
Është e përcaktuar në ligjin zgjedhor se datën e zgjedhjeve e cakton Presidenti i Republikës pasi të njoftohet për ndërprerjen e mandatit, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 dita e njoftimit përfundimtar të heqjes së mandatit.
Duke qenë se në qershor do të mbahen dhe zgjedhjet parlamentare, a pritet të ketë ndonjë problem në organizimin e tyre?
KQZ-ja është organi më i lartë shtetëror për administrimin e procesit zgjedhor dhe jemi të detyruar të marrim të gjitha masat për zgjidhjen e problemeve që do na dalin. Në këtë proces ka dhe aktorë të tjerë, të cilët duhet t’i kryejnë detyrimet e veta ligjore si institucionet shtetërore qendrore, vendore dhe forcat politike.
Kur kanë mbetur 6 muaj nga data e zgjedhjeve, duket se partitë politike ende nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët sa i përket realizimit të reformës zgjedhore. Sa do e dëmtojë kjo situatë veprimtarinë e KQZ-së në procesin e organizimit të zgjedhjeve?
Unë nuk besoj shumë kur dëgjoj fjalën reformë, për sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, dhe për këtë arsye, mendoj se nuk do këtë ndryshime thelbësore në këto zgjedhje. Por nga ana tjetër shpresoj që të paktën të bëhen disa ndërhyrje teknike dhe disa saktësime ligjore në nene të caktuara.
A ka paraqitur KQZ-ja gjatë kësaj kohe ndonjë propozim konkret për këtë reformë dhe ku konsistojnë propozimet tuaja?
Ne si KQZ nuk jemi thirrur nga Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore për të paraqitur propozimet tona.
KOHA JONË SONDAZH

