Hezitimi francez për negociatat frikëson Tiranën
Pak kush e mendonte, se kur Presidenti francez, Macron flet për reformim të procedurave për vendet që duan të hyjnë në BE, paska patur në mendje dështimet e Shqipërisë në raport me BE, sidomos me azilantët shqiptarë.
Sot fillon takimi final i shefave të shtetëve të BE dhe Tirana zyrtare mbetet me sytë nga qielli, duke u lutur. Por duhej që kryeministri Rama të mos kishte krijuar krizë të rëndë politike që më pas të ngrinte zërin në Bruksel.
Franca ka bllokuar dje procesin e çeljes së negociatave më Shqipërinë. Një ditë para mbledhjes së Këshillit të Europës, ku do të merret vendimi i 28 shteteve për negociatat, Presidenti i Francës, Emanuel Macron, deklaron se nuk do të ketë dritë jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Deklarata e Macron u bë pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe do të thotë se negociatat mes vendeve të BE-së, të paktën deri dje, kanë dështuar.
Presidenti i Francës tha se negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të bëhen vetëm pas reformimit të Bashkimit Europian. “Ashtu si kancelarja, mendoj se ky rajon është me një rëndësi strategjike për Europën. Mendoj se kemi ende gjëra të tjera për të finalizuar, më pas të hapim negociatat. Mendoj që duhet ta reformojmë këtë procedurë që është aktualisht e pakthyeshme, kemi dhe gjëra të çuditshme në këtë proces”,- deklaroi presidenti i Francës. Në këtë mënyrë, Macron ka pranuar se nuk ka marrëveshje për datën 18 tetor dhe qëndrimi i Francës do të jetë kundër hapjes së negociatave. Për të marrë një “po” për negociatat duhet vota e të 28 vendeve dhe nëse refuzon vetëm një shtet, siç është rasti i Francës, nuk ka hapje negociatash.
Ky qëndrim i Francës, sipas qeverisë në Tiranë, është interpretuar si pjesë e debateve të BE për reformimin brenda saj. Fjala reformë duket si një çështje mes vendeve anëtare, por dje Macron e ka shpjeguar idenë e ndryshimeve pikërisht me rastin e Shqipërisë. Konkretisht Macron ka përmendur kërkesa e larta për azil nga Shqipëria në Francë duke e vlerësuar këtë fakt si mungesën e reformave të qeverisë “Rama”. “Për shembull kemi lëvizjen e lirë përpara se të hapen negociatat. Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është një lloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil nga ky vend”,– tha Macron duke shpjeguar projektin e tij.
Deklarata për azilantët është dhe më negative se refuzimi i negociatave. Një farë mënyrë, presidenti i Francës po hedh idenë e rikthimit të vizave për vendet e Ballkanit, konkretisht Shqipërisë, për shkak të fluksit të lartë. Shpjegimi që dha dje kreu i shtetit francez për refuzimin e negociatave dhe pikëpyetjet mbi vizat është një shuplakë e fortë dhe për qeverinë “Rama”. Nga këto deklarata rezulton se Shqipëria nuk po mbahet larg BE-së për shkak të problemeve franko-gjermane, siç thotë Rama, por për shkak të dështimit të qeverisë shqiptare. Azilantët nuk janë një temë e re në marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë. Në 4 vitet e fundit, qeveria franceze, ministri i brendshëm i Francës dhe deri drejtuesit e policisë franceze kanë kërkuar marrjen e masave nga qeveria “Rama”. Sot shihet se ky problem jo vetëm nuk është zgjidhur, por është kthyer në një pikë kryesore, mes të tjerave, të cilat Franca i vendos si bllokadë për negociatat.
Deklaratat të presidentit të Francës, të cilin Edi Rama preferon ta quaj dhe mik personal, janë goditja më e fortë politike që ka marrë qeveria shqiptare. Deri dje opinioni në Tiranë po bombardohej me idenë se Franca po kërkon reformimin e BE dhe Shqipëria është thjesht e pafat.
Pak kush e mendonte, se kur Macron flet për reformim të procedurave për vendet që duan të hyjnë në BE, paska pasur në mendje pikërisht dështimet e Shqipërisë në raport me BE. Kjo është goditja më e rëndë për procesin e integrimit dhe përgjegjësia sigurisht që është e qeverisë “Rama”, duke nisur nga azilantët dhe deri të kriza e rëndë politike, e cila ka rëndësinë e saj edhe te negociatat./M.Xhani/